1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi gjendjen e grave në Irak dhe Afganistan

Ulrike Mast-Kirshning7 Dhjetor 2006

Si paraqitet gjendja e grave në Irak dhe Afganistan në prag të ditës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut?

https://p.dw.com/p/AsDP
Grua duke bërë bukën në Irak
Grua duke bërë bukën në IrakFotografi: AP

SHBA donin të transferonin në Irak demokracinë dhe lirinë, të drejtat e njeriut përfshirë këtu edhe barazinë gjinore sipas modelit perëndimor. Edhe në Afganistan çlirimi nga talebanët është parë si çlirim i grave nga shtypja fundamentaliste. Si paraqitet gjendja e grave në Irak dhe Afganistan?

"Ne është dashur të durojmë shumë vuajtje në kohën kur të huajt disa herë sulmuan vendin tonë".

Dhe koha e talebanëve sqaron Saliha Mehrezad, sot deputete në kryeqytetin afgan Kabul, ka qenë koha më e errët për gratë në Afganistan. Ato faktikisht kanë qenë të mbyllura në shtëpi, të mbështjellura me rroba fund e krye, e kishin të ndaluar të shkonin në shkollë apo të ushtronin një profesion, thjeshtë pa asnjë të drejtë vetëm pse ishin gra. Kjo sidoqoftë ka ndryshuar ndërkohë.

Edhe gratë në Irak ankohen për humbjen e të drejtave të tyre gjatë diktaturës së Sadam Hyseinit:

"Ne nuk kishim të drejtë të flisnim, nuk kishim të drejtë të udhëtonim pa shoqërimin e një burri. Ne përjetuam shumë luftëra. Lufta irakiano-iraniane zgjati tetë vjet. Gjatë kësaj lufte ne humbëm më shumë se një milionë irakianë dhe një gjysëm milioni tjetër u plagosur dhe mbeti invalid".

Ajo çfarë tregon Dr. Rajaa Al Khuazai, kryetare e Këshillit Nacional të grave dhe anëtare e qeverisë së përkohshme në Irak për vitet e fundit të diktaturës së Sadam Hyseinit është e njëjtë me përvojat e koleges së saj, deputetes afgane. Ndryshe nga Afganistani Iraku nuk ka qenë në duart e fanatikëve fetarë por kontrollohej ashpër nga krijesa laike shtetërore dhe deri në vitet e 90-ta gratë ishin të shkolluara mirë dhe guxonin të ushtronin profesione të ndryshme. "Ne nuk kishim shpresë se do ta heqim qafe vet ndonjëherë Sadam Hyseinin andaj shpresonim në përmbysjen e tij", thotë Raaja Al Khuazai.

Në të dy këto vende kushtetutat e reja garantojnë edhe barazia gjinore.

Në Afganistan të drejtat e grave përfundojnë aty ku fillon Sheriati, sepse ai ka përparësi ndërsa në Irak gratë i kanë të shkruara në letër të drejtat e tyre.

Se sa shpejtë, para së gjithash gratë e shkolluara me pozita të larta mund të vihen në shënjestër të sulmeve në Irak e di mirë Raaja Al Khuazai, e cila ka marrrë pjesë në nënshkrimin e kushtetutës aktuale irakiane.

"Si anëtare e Këshillit qeveritar isha një prej tre grave. Kur dëgjova se kolegeja ime Akuila al Hashimi u vra në hyrjen e shtëpisë së saj e ndjeva se isha në rrezik. Dhe tragjedia e ardhshme ishte edhe vrasja e gruas tjetër anëtare e këshillit qeveritar, Ezzedine Salim, ajo ishte vetëm 19 vjeçare. Kështu unë isha e sigurtë se isha në rradhë".

Por edhe gratë që nuk janë shumë të eksponuara në Irak konfrontohen me rreziqe të reja. Dhunimet, tregtia me qenie njerëzore dhe vrasjet për çështje nderi janë shtuar dukshëm kohëve të fundit. Vejushat, burrat e të cilave kanë humbur jetën në luftë jo vetëm që jetojnë në varfëri por përballen çdo ditë me dhunë, në familje, në rrugë dhe në treg.

Një fat ky të cilin e ndajnë me gratë afgane para së gjithash në rajonet rurale të vendit. Kur Saliha Mehrezad, deputetja nga Kabuli sot angazhohet për interesat e grave duhet të frikohet nga sulmet. Si Safija Omar Jan, e ngarkuara me çështjet e grave nga Kandahari e cila u vra para pak kohësh.

"Ajo ishte një grua e cila ka bërë shumë më shumë për shkollimin sesa të tjerët. Shumë njerëz në Afganistan e përbuzin vrasjen e saj për shkak se vrasësi ka realizuar planet e armiqve të vendit. Ai e ka bërë këtë për para", thotë Saliha dhe shton se keqbërsi e ka pranuar se i janë premtuar shumë para prej disa pakistanezëve për të vrarë Safija mar Janin.

Dr. Edith Schlaffer, themeluese dhe kryetare e Organizatës Joqeveritare austriake 'Gratë pa kufij' i sheh gratë në këto dy vende në defenzivë veçanërisht kur është fjala që ato të përzihen në drejtimin politik të vendit të tyre. Megjithatë pjesëmarrja më e madhe e grave në jetën politike do të shpiente përpara më shpejt këto dy vende.

"Studimet ndërkombëtare kanë treguar se gratë janë më pak të korruptuara se burrat. Përse?. Ato në të vërtetë nuk punojnë vetëm për vete por edhe për shoqërinë. Gratë janë të lidhura shumë ngushtë përmes lidhjeve intenzive personale me fëmijët dhe të afërmit e tyre".

Rindërtimi, pa marrë parasysh në Irak apo Afganistan, kështu shprehet Edith Schlaffer ka nevojë të domosdoshme për një pjesëmarrje më të madhe të grave. Vetëm kështu në të ardhmen mund të mirren më shumë në konsideratë nevojat e njerëzve.

Burrat duhet të integrohen në projektet zhvilimore, kërkon Schlaffer ndërsa gratë para së gjithash në pikat kyçe të pushtetit. Mjerimi në jetën e përditshme është shumicën e rasteve pasojë e mbetjes së tyre jashtë negociatave paqësore ndërkombëtare.