1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbi 125.000 viktima në zonat e prekura nga tërmeti në Azinë Juglindore

31 Dhjetor 2004

Numri i viktimave në zonat e prekura në Azinë Juglindore nga tërmeti në oqeanin Indian ka arritur në mbi 125.000. Në radhët e viktimave mendohet se ka dhe shumë turistë perëndimore, deri tani njoftohet për mëse 2200 syresh, rreth 1000 gjermanë konsiderohen të humbur.

https://p.dw.com/p/ArRF
Në Indi pas tërmetit detar
Në Indi pas tërmetit detarFotografi: AP


Indonezia ka bërë thirrje për organizimin e një konference ndërkombëtare më 6 janar për mbështetjen e të prekurve nga vala Tsunami. Ministri i jashtëm i Indonezisë Hasan Virajuda deklaroi se në këtë konferencë duhet të zhvillohen konsultime për rindërtimin e rajoneve të shkatërruara.

Në një konferencë shtypi në Nju Jork Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan përshëndeti gatishmërinë ndërkombëtare për ndihma në zonat e prekura nga tërmeti dhe batica. "Po vazhdojmë të kërkojmë viktimat, duke mos harruar për asnjë çast të mbijetuarit. Janë miliona njerëz që kanë nevojë dhe vecanërisht ata më të varfërit të cilëve u duhet mbështetja jonë." Deri tani sipas Anan, janë lëvruar ndihma financiare në vlerën rreth gjysmë miliardë dollarë, prej tyre 250 milionë dollarë janë vënë në dispozicion nga Banka Botërore.

BE-ja dhe Gjermania kanë lëvruar përkatësisht nga 20 milionë euro. Nga aksioni "Gjermania ndihmon janë mbledhur deri tani rreth 7 milionë euro donacione, ndërsa Kryqi i Kuq gjerman ka marrë mbi 3 milionë donacione. Kancelari i Gjermanisë Gerhard Shrëder në sfondin e katastrofës së tërmetit detar në Azi u ka bërë thirrje gjermanëve të ndihmojnë. Bota është prekur nga një katastrofë natyrore e paparë ndonjëherë, tha Shrëder në fjalën e tij me rastin e vitit të ri. Shrëder propozon që shtetet e pasura, ndër to edhe Gjermania të marrin përsipër krijimin e partneriteteve për rindërtimin në këtë rajon. Shrëder është shprehur edhe për organizimin e një konference ndërkombëtare të donatorëve si dhe që vendeve të tilla si Sri Lanka, Indonezia e Tajlanda t´u falen ose shtyhet afati i shlyerjes së borxheve.