1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040108 Türkei Rauchverbot

Michael Jansen6 Janar 2008

Parlamenti turk vendosi që duke filluar nga mesi i vitit 2009 në vend ndalohet duhani. Masat e parashikuara janë edhe më të ashpra se në Gjermani

https://p.dw.com/p/Cl2u
Fotografi: AP
Duhanxhinjve po u ngushtohet gjithnjë e më tepër zona e veprimit. Edhe parlamenti turk vendosi që duke filluar nga mesi i vitit 2009 në vend ndalohet duhani. Madje masat e parashikuara në Turqi janë edhe më të ashpra se në vende të tjera, pra as leje për restorante apo klube të veçanta dhe as aktorë që pinë duhan se ua kërkon roli në ndonjë film.


Burra, gra, të rinj apo pleq: përveç këtyre fjalëve askush nuk mund të të thotë gjë të saktë se sa vetë pinë duhan në Turqi. Sipas vlerësimeve mendohet se mbi gjysma e popullsisë turke pi duhan. E megjithatë, ose ndoshta pikërisht për këtë në vend nuk ka protesta masive ndaj ligjit për ndalimin e duhanit. Madje edhe ata që pinë duhan mendojnë se ky ligj është i mrekullueshëm:


"Mua më duket në rregull, unë po mundohem ta lë duhanin, dhe madje e kam rralluar nga një në gjysmë pakete në ditë."


"Ndalimi i duhanit kishte kohë që duhej bërë. Ne duam të hyjmë në BE."


"Për ata që s'pinë duhan, duhani është torturë, se pasi del nga ndonjë bar vjen erë duhan sikur të kishe pirë vetë."


"Unë vetë e pi cigaren, po duhet të mendojmë edhe për  ata që s'e pinë."


Kundër këtij ligji janë pronarët e bareve dhe të restoranteve:


"Po rehati i njerëzve? Në punë s'i lënë të pinë duhan dhe tani s'do t'u lejohet të pinë as në pushim e drekës kur vijnë në restorant."


"E ku do të pinë duhan gjithë këta duhanxhinj? Rrugët do të mbushen plot me tym. Nëse ky ligj do të na dëmtojë edhe ne biznesin, kjo do të duket më vonë."


Deri në mes të vitit 2009 lokalet dhe klientët kanë kohë të ushtrohen dhe të mësohen me rregullin e ri. Pas kësaj periudhe duhani ndalohet rreptësisht dhe ligji nuk parashikon leje të posaçme madje as për kafenetë tradicionale të provincave që ofrojnë nargjile.


Ligji anti-duhanit në Turqi është ndër më të ashpërit në Evropë. Thuhet se pas tij është kryeministri Tayyip Erdogan, një anti-duhanxhi militant. Në të ardhmen pritet që edhe në televizor të ndalohet shfaqja  e artistëve duke pirë cigare.   Në këtë mes shumëkush shtron pyetjen, mirë me artistët, po me Kemal Ataturkun, prej të cilit nuk ka thuajse asnjë fotografi pa cigaren në një dorë dhe gotën e rakisë në tjetrën, s'i do t'i bëhet hallit? Duke komentuar këtë ligj deputeti social-demokrat,  Isa Gëk, tha në parlamentin turk:


"A do të thotë kjo që do ta cenzurojmë Çurçillin nga filmat dokumentarë? Apo do t'i cenzurojmë të gjithë filmat dhe fotografitë në të cilat Ataturku paraqitet duke pirë cigare? Mos ndoshta në të ardhmen do të duhet të merremi me budallallëqe të tilla?"


Gazetat turke me sa duket e kanë gjetur zgjidhjen. Ato botuan tani një nga fotografitë e mirënjohura të Ataturkut, e cila ishte retushuar lehtë. Në mes të gishtrinjve ai nuk mbante si në origjinal cigaren, por një laps.