1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masa kundër gripit të shpendëve në Shqipëri

Odise Kote19 Janar 2006

Qeveria shqiptare vendos masa të rrepta karantine në pikëkalimet kufitare të jugut të Shqipërisë për t'u ruajtur nga virusi i gripit të shpendëve

https://p.dw.com/p/As86
Pamje e një pularie
Pamje e një pularieFotografi: AP

Importi i pulave dhe produkteve të shpendëve nga Greqia, Turqia dhe Rumania është i ndaluar rreptësisht të hyjë në territorin shqiptar. Ky është urdhëri i Ministrit shqiptar të bujqësisë e ushqimit, Jemin Gjana lëshuar pak ditë më parë për Drejtoritë rajonale të bujqësisë e ushqimit. Në të gjithë pikëkalimet kufitare jugore në Qafëthanë, Kapshticë, Tre urat, Përmet e Kakavije janë ngritur postat e karantinës për të kontrolluar situatën e mos lejuar importet e pulave e produkteve të shpendëve.

Drejtori rajonal i bujqësisë e ushqimit në Gjirokastër, Bekim Sinani pohon se postat e karantinës janë të pajisura me specialistë dhe asistencë teknike të specialistëve të Bashkimit Europian për të kontrolluar krejt situatën. Sipas drejtorit Sinani, në pikëkalimet kufitare jugore realizohet kontrolli i imët, ndërkohë që në funksion të këtij procesi janë vendosur edhe laboratorët e analizave të hollësishme bakteriologjike për të mbajtur nën vëzhgim të rreptë pularitë vendore.

Paralelisht me këto masa, janë kryer e po kryhen edhe teste e analiza përgjatë kufirit me shtete si Greqia e Maqedonia, prej nga ku mund të vijë edhe rreziku i përhapjes së virusit të gripit të shpendëve. Zbulimi këtij virusi në Turqi, vend, nga i cili vjen dhe një pjesë e rëndësishme e importeve e që kalon nëpër pikëkalimet kufitare jugore, duket se i ka vënë në alarm institutin e studimeve veterinare, ministrinë e bujqësisë dhe atë të shëndetësisë. Qeveria shqiptare pas lajmit mbi afrimin e virusit të gripit të shpendëve në Turqi, rivendosi masa të rrepta karantine në pikëkalimet kufitare të jugut të Shqipërisë për të ruajtur popullatën nga ky virus.

Pulat dhe prodhimet e shpendëve, që importoheshin nga Greqia, Turqia e Rumania, me urdhërin e ri të pak ditëve më parë të Ministrisë shqiptare të bujqësisë e ushqimit janë rreptësisht të ndaluara të hyjnë në territorin shqiptar. Postat karentinore kanë tani detyrën e përgjegjësinë të kontrollojnë pikëkalimet doganore kufitare si dhe gjithë gjatësinë e vijës kufitare me këto vende.