1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060911 Franken Schweiz Euro

7 Shtator 2011

Për shkak të krizës së borxheve në eurozonë dhe shqetësimeve për zhvillimin e ekonomisë së SHBA-së, kohët e fundit franga zviceriane shënoi një mbiçmim të ndjeshëm.

https://p.dw.com/p/12UNK
Franga zvicerane
Franga zviceraneFotografi: picture-alliance/maxppp

Është një shpallje lufte ndaj spekuluesve dhe menaxherëve financiarë: Banka Qendrore Zvicerane nuk toleron më një kurs këmbimi euro-frangë poshtë kufirit 1,20 franga dhe për të arritur këtë do të ndërhyjë në tregjet e valutës. Argumentimi i saj: mbiçmimi masiv i kohëve të fundit i frangës zviceriane mbart rrezikun e tendencave deflacioniste për Zvicrën, thuhet në një deklaratë zyrtare të Bankës Qendrore Zvicerane. Prandaj synohet një dobësim afatgjatë i monedhës zvicerane. Për ta realizuar këtë, Banka Qendrore Zvicerane duhet të përdorë shuma tejet të larta parash, për shembull për të blerë euro në tregjet e valutave, mendon eksperti i financave Joachim Klement nga firma konsulente Wellershoff & Partner: "Ky aksion do të jetë i shtrenjtë për Bankën Qendrore Zviceriane. Flasim për shumë miliardë franga, që duhen hedhur në qarkullim, për të arritur stabilizimin e kursit të këmbimit. E mira këtu është që Banka Qendrore Zvicerane është i vetmi institucion në botë, i cili mund të hedhë pa kufi franga në qarkullim. Pra nuk ka rrezik që t'i mbarojë municioni."

Mbiçmimi i frangës krijon probleme për ekonominë zvicerane

Kur kurset e këmbimit ndryshojnë shpejt, pasojat e për ekonomitë janë të mëdha
Kur kurset e këmbimit ndryshojnë shpejt, pasojat e për ekonomitë janë të mëdhaFotografi: picture-alliance/dpa

Banka Qendrore u detyrua të reagonte, pasi trysnia nga ekonomia dhe partitë politike, por edhe nga sindikatat, po shtohej nga java në javë. Në radhë të parë ekonomia i trembet humbjes në rritje të aftësisë së saj konkurruese në eksporte. Sindikatat duan të shmangin pushimet nga puna. Sipas një anketimi, 20% e sipërmarrjeve eksportuese zvicerane i tremben falimentimit. Në të njëjtën kohë ky hap historik i Bankës Qendrore Zvicerane mbart edhe rreziqe të rëndësishme, mendon konsulenti Joachim Klement: "Në periudhë afatmesme deri afatgjatë rreziku kryesor është që kjo sasi parash, që hidhet në qarkullim, të mos largohet në kohë nga cikli ekonomik dhe që të përballemi pra me rreziqe inflacioniste. Në një hap të parë përftohen interesa më të ulëta për hipotekat, çka është e mirë për investuesit. Por kjo do të thotë edhe që ngjashëm si në SHBA në fillim të këtij shekulli çmimet e shtëpive dhe imobiljeve të rriten artificialisht, dhe të prodhohet efekti i njohur si 'flluska e imobiljeve."

Banka Qëndrore Zvicerane merr masa

Pas vendimit të Bankës Qendrore për fiksimin e kursit të këmbimit frangë-euro u shënua një rritje në tregun zviceran të aksioneve dhe franga humbi në vlerë. Por beteja e valutave është një operacion afatgjatë. Me këtë hap dramatik Banka Qendrore Zvicerane sinjalizoi se do të ndërhyjë me sasi të pakufizuara parash në tregjet e valutave. Ajo mund të ndërhyjë me shuma miliardëshe dyshifrore. Banka Qendrore shkoi madje më tej dhe la të hapura opsione të tjera, nëse zhvillimi ekonomik i vendit dhe tendencat deflacioniste e bëjnë këtë të detyrueshme.

Autor: Hans-Jürgen Maurus/Eliana Xhani

Redaktoi: Angjelina Verbica