Marrëdhëniet personale më të mira se ato zyrtare
6 Prill 2008Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai amerikan, Xhorxh Bush, nuk arritën t'i mënjanonin divergjencat në lidhje me sistemin e mbrojtjes kundër raketave, që planifikojnë të ndërtojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Evropën Lindore. Mbas takimit të tyre të fundit, si presidentë, në Soçi, në brigjet e Detit të Zi, presidenti rus, do të thoshte: „Ne vazhdojmë të kemi të njëjtin qendrim, si më parë. Por ka disa sinjale pozitive. Pala amerikane i dëgjoi me vëmendje shqetësimet tona, në fillim në kuadër të negociatave dy plus dy si dhe në takimin e sotëm. Ne shohim, që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i interesuar seriozisht dhe sinqerisht për ta zgjidhur këtë problem. Ne e përshëndesim këtë atmosferë."
Bushi dhe Putini nënshkruan në Soçi një marrëveshje strategjike kornize. Aty janë fiksuar temat më të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënieve amerikano-ruse. „Nënshkrimi i strategjisë bazë tregon për gjerësinë dhe thellësinë e bashkëpunimit tonë. Por edhe për divergjencat. Marrëveshja dëshmon, se megjithëse ekzistojnë dallime, ne mund të bashkëpunojmë", tha presidenti amerikan Xhorxh Bush. Kështu, të dyja palët ranë dakord, që të arrihet një marrëveshje e re për çarmatimin bërthamor. Marrëveshja fillestare për reduktimin e armëve strategjike bërthamore skadon vitin e ardhshëm.
Bushi e cilësoi Putinin "një udhëheqës të fuqishëm", të cilin e respekton, sepse e shpreh hapur mendimin e tij. Mbi 20 herë janë takuar dy presidentët gjatë periudhës së tyre në post. Në Soçi ata u takuan për herë të fundit në këtë funksion. Presidenti Putin do të zëvendësohet pas katër javësh nga pasardhësi i tij i Dmitrij Medvedev, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në bisedime. Raporti personal ndërmjet dy presidentëve është më i mirë se ai politik mes dy shteteve.