Marrëdhëniet Holandë - Gjermani
6 Maj 2012Holanda neutrale kujtonte se do të shpëtonte. Por më 10 mars 1940, Gjermania naziste e sulmoi shtetin e vogël fqinj në Veriperëndim. Rreth 230 mijë holandezë u vranë në Luftën e Dytë Botërore në Holandën 9 milionëshe. Ata që i mbijetuan luftës vuajtën nga uria, varfëria dhe mbetën në rrugë.
Tre të katërtat e hebrenjve holandezë, saktësisht 110 mijë vetë u vranë. Në përndjekjen e hebrejve, Holanda mbajti qëndrim relativisht pasiv, thotë Friso Wielenga, drejtor i Qendrës për studimet holandeze në Universitetin e Mynsterit. Mbas luftës kolaboracionistët u dënuan juridikisht.
Rrugë e vështirë drejt normalitetit
"Moffen" i quanin holandezët gjermanët në Luftën e Dytë Botërore, një epitet zhvleftësues që vjen nga fjalët "myk dhe erë e keqe". Shumë antigjermane atmosfera në Holandë ka qenë në fillim të viteve 50-të, por jo vetëm në atë kohë, thotë Friso Wielenga. Ai tregon se pjesë të caktuara të popullsisë së dy vendeve janë afruar që më parë. Në vitin 1947 u krijua Komisioni për koordinimin e marrëdhënieve kulturore me Gjermaninë.
Ndryshime ka patur edhe në nivel rajonal. Në Amsterdam ku janë vrarë shumë hebrej, armiqësia ndaj gjermanëve ka qenë shumë e ndjeshme. Kurse në Roterdam, rajon që bashkëpunon ekonomikisht me zonën e Rinit në Gjermani, "hapja ndaj Gjermanisë ka qenë më e madhe se në Amsterdam", raporton në vitin 1953 ambasadori gjerman në Holandë, Hans Mühlenfeld.
Rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Holandës u hap ngadalë deri në vitet 60-të, megjithë martesën e princesësh holandeze, sot mbretëreshë, Beatrix me gjermanin Claus von Amsberg. Lufta e Dytë Botërore u aktualizua shpesh me proceset kundër kriminelëve të luftës, ai ajo kundër Eichmann-it. Holanda e ndoqi me kujdes procesin e zbardhjes së luftës. Holanda priste gjenste morale nga Gjermania, që tregonte se Gjermanisë i vinte keq për krimet e së kaluarës, thotë Friso Wielenga.
Gjesti i Gustav Heinemann-it
Ky gjest erdhi nga Gustav Heinemann, presidenti i parë gjerman i cili vizitoi më nëntor 1969 Holandën, pas L2B. Ai vizitoi ndër të tjera Memorialin e hebrejve në Hollandse Schouwburg në Amsterdam, një teatër i cili shërbeu gjatë luftës si vend për grumbullimin e hebrejve në rrugën drejt kampeve të shfarosjes.
Edhe kancelari Willi Brandts ka qenë një nga personat që ka ndikuar në çtensionimin e marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Holandës. Gjunjëzimi i tij simbolik në Varshavë, bindi edhe holandezët për rrugën e re që kishte nisur Gjermania.
Kohë të trazuara në vitet 90-të
Një fazë e re në marrëdhëniet holandë- gjermani pasoi në vitet 1990. Gjermania u ribashkua dhe shumë vende së bashku me Holandën, pyesnin cila do të ishte e ardhmja e Gjermanisë kaq të madhe. Kohët ishin të trazuara. Si reaksion ndaj një zjarri të vënë me motive ksenofobe në Solingen, si pasojë e të cilës humbën jetën pesë vetë, 1,2 milionë holandezë i dërguan një kartolinë kancelarit gjerman në të cilën shkruhej "Unë jam i indinjuar".
Edhe marrëdhëniet ndërshtetërore morën një goditje kur kancelari Helmut Kohl, pengoi në vitin 1994, kryeministrin disavjeçar holandez Ruud Lubbers, të merrte postin e kryetarit të Komisionit Evropian. Edhe në marrëdhëniet ekonomike pati incidente. DASA gjermane bleu prodhuesin holandez të avionëve, Fokker.
Erdhi koha për të vepruar. Në nivele të larta politike u organizuan projekte të përbashkëta, konferenca dhe programe afrimi. Po ashtu u bë përpunimi i librave të historisë. Deri në mes viteve 90-të, historia e Gjermanisë në librat e shkollës në Holandë merrte fund me vitin 1945. Ndërkohë pjesë e librave të historisë është bërë edhe zhvillimi i Gjermanisë së pasluftës.
"Në futboll mund të fitojë edhe më i vogli"
Ndërkohë marrëdhëniet midis Holandës dhe Gjermanisë nuk shënojnë ngjarje të mëdha, megjithëse fqinji i vogël është i prirur të kërkojë ruajë identitetin e vet në raportet me fqinjin e madh. Holandezët tremben se mos kthehen në landin e 17-të të Gjermanisë.
Por ndeshjet e futbollit midis Gjermanisë dhe Hollandës janë gjithnjë ngjarje të mëdha, megjithëse nuk janë aq interesante sa në vitet 80-të. Kur Holanda mundi 1988 Gjermaninë në gjysmëfinalen e kampionatit evropian, fitorja ishte më e rëndësishme se kupa. "Futbolli është luftë", thoshte trajneri i kombëtares holandeze, Rinus Michels.