1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Margaret Thatcher ndërron jetë

dpa/reuters/dw8 Prill 2013

"Zonja e Hekurt", një nga figurat më të shquara në skenën politike botërore të viteve 1980-të ndërroi jetë.

https://p.dw.com/p/18Br0
Fotografi: William Lovelace/Express/Getty Images

Ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher vdiq të hënën (08.04.2013) në moshën 87 vjeçare si pasojë e një hemoragjie cerebrale. Politikania konservatore vuante prej disa vitesh nga demenca dhe kishte kohë që shfaqej shumë rrallë në publik.

Thatcher ishte kryeministre e Britanisë së Madhe në vitet 1979-1990 duke qenë edhe gruaja e parë që mbante këtë post. Ajo bëri emër kryesisht në lidhje me luftën për ishujt Falkland kundër Argjentinës dhe rolit të saj në kuadër të Komunitetit të dikurshëm Evropian. Thënia e saj, "Dua të më ktheni paratë e mia", me të cilën ajo arriti të realizonte të ashtuquajturën "skonto për britanikët" brenda financave të BE-së janë bërë legjendare. Pas largimit të saj nga Downing Street, ajo u bë pjesë e fisnikërisë britanike dhe anëtare e Dhomës së Lordëve.

Margaret Thatcher dominoi politikën britanike dhe pjesë të politikës botërore në vitet 1980. Brenda vendit ajo shkaktoi furore sidomos me kursin e saj jashtëzakonisht të ashpër kundër sindikatave deri atëhere tradicionalisht të forta në Mbretërinë e Bashkuar, me shkurtimin e përfitimeve sociale dhe valën e privatizimeve. Kritikët e politikës së saj i konsiderojnë këto hapa si gabime të rënda politike, ithtarët si reforma që vazhdojnë të jenë të rëndësishme për ndryshimet strukturore.

Në politikën e jashtme, Thatcher ishte po aq e pakompromis. Me presidentin amerikan Ronald Reagan thuhej se ajo kishte një miqësi të ngushtë politike. Kurse marrëdhëniet e saj me ish-kancelarin gjerman Helmut Kohl (CDU), ishin të trazuara. Pas rënies së perdes së hekurt, Thatcher qe fillimisht skeptike në lidhje me ribashkimin e Gjermanisë.

Mbretëresha Elizabeth II dhe kryeministri britanik David Cameron shprehën pikëllimin e tyre për vdekjen e Margaret Thatcher-it. Sipas njoftimeve nga Downing Street Thatcher-it do t'i bëhen nderimet e fundit me një ceremoni të madhe funebër, por pa homazhe publike.

Ronald Reagan dhe Margareth Thatcher, samiti i G 7 më 20 - 21 korrik 1981 në Ovata
Ronald Reagan dhe Margareth Thatcher, samiti i G 7 më 20 - 21 korrik 1981 në OvataFotografi: AP