1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia me shumë detyra

Aida Cama17 Dhjetor 2006

Të premten në darkë, 15 dhjetor filluan në Berlin mbrëmjet maqedonase. Në takimin e parë u diskutua për rrugën e Maqedonisë drejt BE

https://p.dw.com/p/AraJ
Detlef W. Stein, Dr. Gjorgi Filipov dhe Prof. Lothar Altman
Detlef W. Stein, Dr. Gjorgi Filipov dhe Prof. Lothar AltmanFotografi: DW

Sikur të varej nga ambasadori maqedonas në Berlin atëherë Maqedonia do të duhet të ishte që sot anëtare e Bashkimit Europian. Sepse Dr. Gjorgi Filipov mendon se Maqedonia është: "Historia e suksesit të politikës së Bashkimit Europian në Europën Juglindore".

Ku ndodhet Maqedonia sot?

Maqedonia ka statusin e vendit kandidat për tu pranuar në Bashkimin Europian, një status të ndërmjetëm midis Kroacisë, e cila i ka filluar bisedimet me BE dhe Shqipërisë, e cila nuk është caktuar ende si vend kandidat. Pyetja që shtrohet për Maqedoninë sot është se kur do të fillojnë bisedimet e pranimit?

Qeveria e re e zgjedhur nga zgjedhjet parlamentare të verës ka përcaktuar axhendën për pranimin e vendit në BE. Sipas qeverisë maqedonase bisedimet mund të fillojnë që në vitin 2008. Por Komisioni i Europian i ka dhënë direktivat qeverisë maqedoniase dhe ato vështirë se mund të realizohen para vitit 2012. Kështu mendon Lothar Altman, i fondacionit Shkenca dhe politika.

Në raportin e KE të nxjerrë para një muaji thuhet se Maqedonia ka arritur vitet e fundit përparime të mëdha në reforma. Por ritmi i tyre ka rënë vitin e fundit, mbase për shkak të zgjedhjeve. Komisioni Europian ka kritikuar qeverinë e maqedonisë, megjithëse pamja e prezantuar nga ambsadaori Filipov ishte shumë rozë.

Prof. Lothar Altman mendon se:"Detyrat e shtruara nga Komisioni Europian nuk mund të realizohen kaq shpejt."

Sa i përket detyrave politike, Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë reformat duhen vazhduar sidomos në përmirësimin e ligjit te zgjedhjeve, në administratën publike, ku megjithë ligjin e ri shihen mangësi. Në administratë vendosen edhe sot njerëz sipas përkatësisë politike, çka u tregua shumë ndjeshëm pas zgjedhjeve.

Në kriteret ekonomike vihet re se ekonomia e tregut është zhvilluar në Maqedoni, inflacioni ështe i ulët, të dhënat makroekonomike të qëndrueshme, stabiliteti në sektorin financiar po ashtu, borxhet janë në nivel të ulët. Papunësia e lartë në 39 për qind është një tregues shumë i keq ekonomik. Po ashtu investimet e huaja janë në nivel shumë të ulët. Por problemin më të madh në fushën ekonomike Maqedonia e ka tek aftësia e përballimit të konkurencës. Në krahasim me ekonomitë e vendeve të tjera ekonomia maqedonase është e dobët, me importe të larta, industria e tekstilit është sektori që punëson një të dhjetën e krahut të punës, por kjo industri nuk ka shumë të ardhme.

Përveç politikës dhe ekonomisë, KE ka parë edhe sistemin maqedonas të drejtësisë ku nota të këqija ka marrë kryesisht luftimi i korrupsionit. Sa i përket te drejtave të pakicave etnike jane vënë re përmiresime, megjithatë nuk është arritur ende pjesëmarrje e ekuilibruar e pakicave në administratën shtetërore, polici etj. Kritikë KE i kushton shprehimisht edhe gjendjes së pakicës rome.

Kështu që pamja që ka sot rruga e Maqedonise në BE është: "Maqedonia ka shumë detyra për të bërë".