1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia kërkon sqarimin e vijës kufitare me Kosovën

Fatos Musliu18 Prill 2006

Buçkovski: Bashkësia ndërkombëtare duhet ta mbyll çështjen e përcaktimit të vijës kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës. Çelësi i zgjidhjes së këtij problemi është tek ndërkombëtarët

https://p.dw.com/p/Argh
Kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski
Kryeministri i Maqedonisë, Vllado BuçkovskiFotografi: dpa



Kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski si asnjëherë më parë po insiston që demarkacioni i kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës të përfundojë para zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës. Në shumë metropole vendimmarrëse tanimë po flitet se statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë pavarësia.

Ne, ka theksuar Buçkovski, do ta pranojmë çdo zgjidhje për Kosovën që ka mbështjetje nga bashkësia ndërkombëtare, por ne në vazhdimësi do të insistojmë që çështja e kufirit të mbyllet para statusit. Parimi i bisedimeve të filluara në Vjenë për statusin e Kosovës është që çështja e kufirit të zgjidhet para statusit.

Maqedonia ka tentuar përmes apeleve, që Beogradi dhe Prishtina ta zgjidhin këtë çështje, por të gjitha këto përpjekje kanë qënë të kota, ka deklaruar Buçkovski që më tej shton: "Bashkësia ndërkombëtare duhet ta mbyll çështjen e përcaktimit të vijës kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës. Çelësi i zgjidhjes së këtij problemi është tek ndërkombëtarët dhe ata nuk duhet të ikin nga kjo çështje."

Dëshira e Kosovës për pavarësi duhet të rezultojë me prodhim të stabilitetit në rajon e jo me lënien e çështjeve të hapura: "Unë disa herë kam deklaruar se mbyllja e çështjes së kufirit midis Maqedonisë dhe Kosovës është në dobi të kauzës kosovare. Sinjalet për stabilizim që vijnë nga pala kosovare nuk do mend se do ta forcojnë pozicionin e tyre në momentin kur definohet statusi i Kosovës" ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë Vllado Buçkovski.

Nënkryetarja e BDI-së Teuta Arifi i vlerëson si tejet të sukseshme marrëdhëniet midis Shkupit dhe Prishtinës. Ajo nuk sheh asgjë të keqe që çështja e kufirit të diskutohet edhe pas statusit përfundimtar të Kosovës. Gjithnjë sipas Zonjës Arifi, Kosova si shtet i pavarur do të ketë shumë gjëra për ti biseduar me fqinjin e saj jugor, Maqedoninë. Në një atmosfere relaksuese, Teuta Arifi shpreson se Shkupi dhe Prishtina pozitivisht do ta zgjidhin çështjen e kufirit.

Të njëjtin qëndrim mban edhe opozita shqiptare në Maqedoni: "PPD-ja edhe më tutje mban qëndrimin e vet se demarkacioni i kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë duhet të bëhet pasi që Kosova të fitojë statusin e pavarësisë. Ne mendojmë se çdo insistim i tepruar në këtë drejtim nga pala maqedonase nuk do ti kontribuonte marrëdhënieve të mira që duhet të kultivohen midis kosovës dhe Maqedonisë, ka deklaruar deputeti i PPD-së, Ismet Ramdani.

Kryeministri Vllado Buçkovski nga takimi me homologun e tij kosovar Agim Çeku pret që çështja e demarkacionit te kufirit të përmbyllet në të mirë të të dy fqinjëve.