1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia e Veriut para riformësimit të qeverisë

13 Shkurt 2023

Kryeparlamentari Talat Xhaferi ka caktuar për sot (13.02) seancën për riformësimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut bazuar në planin e dorëzuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski.

https://p.dw.com/p/4NQjT
Talat Xhaferi, kryetar i parlamentit, Maqedonia e Veriut
Talat Xhaferi, kryetar i parlamentit, Maqedonia e VeriutFotografi: Petr Stojanovski/DW

Plani i kryeministrit Kovaçevski vjen si rezultat i arritjes së marrëveshjes nga LSDM-ja me Aleancën për Shqiptarët, për futjen e kësaj të fundit në qeveri. Partia Alternativa që ishte pjesë e koalicionit qeveritar ka njoftuar se do të dalë nga qeveria për të kaluar në opozitë. Kjo u bë e dituar nga kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili ka thënë se LSDM-ja e ka shkelur marrëveshjen me të cilën ata u bënë pjesë e qeverisë, sepse nuk ka implementuar as marrëveshjen politike dhe as atë për kuadrot. 

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi
Kryetari i Alternativës, Afrim GashiFotografi: Petr Stojanovski /DW

"LSDM nuk e mbajti premtimin edhe pse Alternativa u bë pjesë e qeverisë kur shteti ishte në situatën më të rëndë. Me shumicën e re rrezikohet rëndë e ardhmja evropiane dhe ndryshimet kushtetuese, por në rast se ka një nismë për të ndryshuar Kushtetutën, Alternativa do të mbështesë ndryshimet”, deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

ASH rikthehet në Qeveri

Aleanca për Shqiptarët ka tetë deputetë dhe me përfshirjen në qeveri do t'i krijojë stabilitet qeverisë aktuale që përbëhet nga LSDM, BDI dhe disa parti më të vogla. Hyrja e ASH-së në qeveri ka shkaktuar më shumë pakënaqësi tek Alternativa pasi të gjitha ministritë që udhëhiqte ajo tani kanë kaluar tek Aleanca për Shqiptarët.

Maqedonia e Veriut
Maqedonia e VeriutFotografi: Government of North Macedonia

"Futja e Aleancës për Shqiptarët në qeveri është e bazuar në parimet e demokracisë së brendshme dhe të demokratizimit të shoqërisë, në një kohë kur Maqedonia e Veriut përballet me kriza të shumëfishta, që të gjitha përcaktuese për orientimin pro-perëndimor të vendit. Aleanca për Shqiptarët po merr përgjegjësinë si parti shtetëndërtuese”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

LSDM: Me shumicën e re parlamentare më shumë stabilitet politik

LSDM-ja përmes një kumtese ka njoftuar se me zgjerimin e qeverisë, përkatësisht me pjesëmarrjen e Aleancës për Shqiptarët në qeveri, kanë siguruar shumicën për reforma dhe stabilitet politik të vendit.

"Shumica parlamentare do të punojnë me përkushtim për integrim të përshpejtuar evropian”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski.

Dimitar Kovaçevski
Dimitar Kovaçevski Fotografi: Government of North Macedonia

Krahas proklamimeve të shumta se shumica e re parlamentare do të ketë 72 deputetë sipas të gjitha gjasave me daljen e Alternativës në opozitë, shumica parlamentare do të numërojë 69 deputetë, numër ky që nuk mjafton për ndryshimet kushtetuese që janë kusht për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

VMRO: Përbërja e re qeveritare nuk do të sjellë as reforma, as përparim

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në takimin koordinues me grupin parlamentar të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Rindërtim të Maqedonisë, ku është diskutuar për rikonstruktimin e qeverisë ka konstatuar se zgjidhjet kadrovike për përbërjen e qeverisë janë rezultat i koalicionit "tregëti” ku interesi primar nuk është përparimi i shtetit, por interesat e biznesit dhe ambiciet personale të personelit.

"Vetë zgjidhjet që janë propozuar tregojnë se qeveria menaxhohet nga BDI dhe Ahmeti, ndërsa Kovaçevski është shërbëtor i interesave të tij. Derisa Ahmeti dhe BDI po shkrijnë dhe zhvlerësojnë opozitën shqiptare, Kovaçevski dhe LSDM-ja po paguajnë për planin e Ahmetit”,tha Hristijan Mickovski kryetar i VMRO-DPMNE-së. Sipas VMRO-DPMNE, kjo përbërje qeveritare nuk do të sjellë as reforma e as përparim, por krim, tenderë në hije dhe thellim të krizës.

Kundër përbërjes së re qeveritare janë shprehur edhe dy deputetët e BDI-së Izet Mexhiti dhe Merita Koxhaxhiku si dhe deputeti i pavarur Kastriot Rexhepi.

"Nuk mund të pretendojmë që i bashkojmë shqiptarët në frontin evropian kur po e përçajmë vetë subjektin apo shtëpinë tonë, andaj është e qartë se është një aleancë për interesa, aleancë e pazareve dhe për të heshtur zërin ndryshe”, deklaroi Izet Mexhiti, deputet i BDI-së.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut