1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

RMV me qeveri të re, kryeministër Hristijan Mickoski

24 Qershor 2024

Deputetët e Kuvendit të RMV-së votuan qeverinë e re me 77 vota pro dhe 22 kundër. Në qeveri futet edhe koalicioni shqiptar VLEN.

https://p.dw.com/p/4hPsf
Qeveria e re në parlament jep betimin
Qeveria e reFotografi: Petr Stojanovski/DW

Mandatari për krijimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE në fjalimin e tij para votimit tha se duhet bërë shumë punë dhe kërkohen projekte konkrete. Ai premtoi se "shteti do të jetë në duart e qytetarëve dhe institucionet do të punojnë për ta". Qytetarët dëshirojnë më tepër para, jetë më dinjitoze, ndërsa këto për shkak të paaftësisë së pushtetit të deritanishëm nuk ka qenë të mundura. Mickoski tha se nuk do të kërkojë 100 ditë "muaj mjalti", ai premtoi investime të menjëhershme, ringjallje ekonomike, rritje të pensioneve dhe pagave, investime në arsim, shëndetësi dhe kulturë. Që të martën ai paralajmëroi investim prej më shumë se 400 milionë euro, ulje të tatimeve por edhe ndjekje të të gjitha krimeve dhe reforma të harmonizuara me standardet evropiane.

Mickoski: "Nuk duam muaj mjalti"

Hristijan Mickoski paraqet konceptin për qeverisje
Hristijan MickoskiFotografi: Boris Grdanoski/AP/picture alliance

"Po vjen koha kur atdheu duhet të bëjë më shumë për qytetarët. Çdo njëri prej jush ka bërë gjithçka për atdheun e tij, tani është koha kur ai të bëjë për ju. Sipas njohurive që i kemi, situata në shumë fusha është afër vdekjes klinike, institucionet janë në kolaps. Ne do të përgjigjemi me vendosmëri dhe do të njoftojmë opinionin për gjithçka. Nuk do të kërkoj 100 ditë muaj mjalti. Investimet do të fillojnë menjëherë, që të martëm do të investojmë më shumë se 400 milionë euro”, tha Mickoski. Ai ka thënë se ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë derisa ai të jetë kryeministër.

Kasami: Koha është për veprim

Pas votimit të qeverisë së re, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, partia e të cilit është futur në koalicionin qeveritar, ka deklaruar se  ndryshimi erdhi dhe se shqiptarët u çliruan nga regjimi i kaluar - ndërsa tani është koha për veprim.

"Kuvendi votoi anëtarët e qeverisë së re, të cilën qytetarët e zgjodhën më 8 maj. Tani nuk kemi kohë për të humbur, na pret shumë punë. Qytetarët presin jetë më të mirë, investime të cilat do të zhvillojnë ekonominë, do të ketë paga më të larta, investime infrastrukturore dhe të ardhme të sigurtë”, ka thënë Bilall Kasami.

Opozita ka adresuar një sërë kritikash

Opozita kundërshton qeverinë e re
Opozita kundërshton qeverinë e reFotografi: Petr Stojanovski/DW

Deputetët e LSDM-së dhe të Majtës votuan kundër Qeverisë, ndërsa Fronti Evropian e ka lëshuar seancën pak para votimit të qeverisë. Blerim Bexheti, koordinator i grupit parlamentar nga Fronti Evropian ka thënë se nuk votuan qeverinë e re sepse ajo "nuk ka legjitimitet nga komunitetet etnike”. Nga LSDM-ja opozitare u dëgjuan shumë kritika për mospërfilljen e dinjitetit dhe emrit të shtetit.

"Nëse zgjedhjet e fituara nga VMRO-DPMNE për dikë do të thonë shpresë, tani ende pa u akomoduar në qeveri mund të konstatojmë se shpresa vetëm se ka ikur. Është e pakuptueshme se si për vetëm disa ditë janë shkelur shumë çështje. Nuk përmendet emri i shtetit, dinjiteti dhe e ardhmja e shtetit”, ka deklaruar Sonja Llukarevska, deputete e LSDM-së.

Nga opozita maqedonase thonë se përbërja e qeverisë pasqyron numrin minimal të grave në qeveri dhe "kjo vetëm sa konfirmon mizogjininë e rrënjosur në partinë në pushtet".

"Më shumë ministri dhe më pak gra, kuadro të ish-kryeministrit Gruevski, ministra anonimus. Është pak hipokrite të flisni për interesa strategjike të vendit ndërsa kandidat për ministër të jetë ndjekës i regjimit të Putinit”, ka thënë deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska. 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut