Maqedonia e Veriut: Ligji për gjuhët sërish në shqyrtim
9 Dhjetor 2019Ekspertët juridik të Këshillit të Evropës nënvizojnë, se në krahasim me legjislacionin e vitit 2008, ligj i ri dukshëm e zgjeron përdorimin e gjuhës shqipe dhe në shumë aspekte i tejkalon standardet evropiane të konfirmuara me Konventën korrnizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Kartën Evropiane për gjuhët rajonale dhe të pakicave. Sipas vlersimeve të Komisionit të Venecias në disa rajone ligji i ri për gjuhët mund të shkojë shumë larg me imponim të institucioneve publike në detyrime juridike joreale, veçanërisht në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe në procedurë gjyqësore, të bashkangjitur me sanksione të rënda në rast të mosrespektimit dhe mundësisë për ndryshim të vendimeve gjyqësore, përderisa ka mungesë të përkthimeve dhe interpretimeve gjatë procedurës. Sipas mendimit të Komisionit Venecias, përmbajtja e ligjit mund të ngadalësojë në mënyrë domethënëse funksionimin e gjithë gjyqësorit, duke rrezikuar shkelje serioze të së drejtës për gjykim, e drejtë e garantuar me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Zaev: Do t'i respektojmë sugjerimet e Komisionit të Venecias
Ligji për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike do të rishikohet bazuar në vlerësimin e Komisionit të Venecias, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.Sipas tij do të ketë ndryshime në pjesën që ka të bëjë me përdorimin e gjuhës shqipe në gjyqësor, në mënyrë që të shmangen situatat që rrezikojnë të drejtat e tjera dhe që të mundësohet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare.
"Gjuhët shërbejnë që njerëzit të kuptohen mes tyre, ne kemi dalë me një zgjidhje ligjore. Kur debatuam në kuvend dhe pas miratimit të tij thamë se do të presim Komisionin e Venecias dhe do ta respektojmë vlerësimin e këtij institucioni. Ministria e Drejtësisë do të përgatisë ndryshimet dhe ne do t'i dërgojmë ato përsëri për miratim në Kuvend, në përputhje me vlerësimet e Komisionit të Venecias”, vuri në dukje kryeministri Zaev.
Osmani: Po aq e rëndësishme sa gjuha është edhe shteti juridik
Zëvendëskryeministri Bujar Osmani konsideron se çdo lëvizje e njëanshme në ekuilibrin në marrëdhëniet maqedono-shqiptare, të cilat janë arritur me shumë punë, do të hapë rreth vicioz dhe spirale e cila do të na largojë nga shtegu që kemi nisur. Duke i komentuar vendimet e Komisionit Venecias, Osmani thekson, se aq sa është e rëndësishme gjuha, aq i rëndësishëm është edhe shteti juridik. Sipas tij, të gjitha vërejtjet e Komisionit të Venecias duhet të zbatohen në planet e aksionit.
"Komisioni i Venecias nuk është supermarket ku një produkt mund ta blini ndërsa produktin tjetër jo. Kështu që s'mund të bisedoni për vërejtjen ndaj gjyqësorit dhe të mos bisedoni për bankënotat. Jam i pari që them se asnjë lëndë gjyqësore nuk guxon të bjerë, sepse nuk kemi kapacitet për përkthim në gjyqësor”, vlerëson Bujar Osmani zëvëndëskryeministër për Çështje Evropiane.
VMRO-DPMNE: Ligji për gjuhët duhet të jetë konform Kushtetutës
Partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila është deklaruar kundër Ligjit për gjuhët, kërkon që të respektohet qëndrimi i Komisionit të Venecias, veçanërisht pasi Maqedonia është një vend që po synon anëtarësimin në Bashkimit Evropian. Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoilkovski tha, se VMRO-DPMNE nuk është kundër përparimit të të drejtave të qytetarëve në Maqedoni, por ato duhet të jenë sipas Kushtetutës.
"Atë e kërkonte VMRO. Të ulemi dhe të bisedojmë, të bëhet ligj funksional për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni.Të bëhet tekst ligjor i cili do të jetë sipas Kushtetutës, ligjeve, funksionalitetit dhe tërë ajo ka të bëjë me vlerësimin e Komisionit të Venecias që mos ta sjellim shtetin në situatë siç është tani”, ka thënë Stoilkovski.
Ligji që është në fuqi parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në qeveri, kuvend, organet e pushtetit gjyqësor dhe administratën publike. Mbishkrimet e të gjitha institucioneve në nivel qendror janë në dy gjuhë, ndërsa në nivelin lokal gjuha shqipe përdoret në të gjitha komunat me mbi 20 për qind popullsi që flet gjuhën shqipe. Ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar më 14 mars të vitit 2018, por hyrja e tij në fuqi është zvarritur për gjatë kohë meqënëse ish-presidenti Gjeorgji Ivanov e refuzonte dekretimin e tij.