1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia drejt një sistemi të ri të shoqërisë demokratike

9 Tetor 2009

Në kuadër të manifestimit “Javët Gjermane në Maqedoni” u organizua konferenca politike me temë “Raporti midis qytetarit dhe shtetit në shoqërinë demokratike”.

https://p.dw.com/p/K382
Flamuri i BE dhe Maqedonisë
Flamuj të BE-së dhe MaqedonisëFotografi: Petr Stojanovski

Përvoja e bashkimit të dy Gjermanive pas rrëzimit të murit të Berlinit dhe zhvillimi i sistemit shoqëror të një shteti të përbashkët ka domethënie edhe për tranzicionin e shoqerisë maqedonase, vlereson Herta Dojbler Gmelin , ish ministre e Drejtesisë së Gjermanisë. Për Gerd Hajnrih Kemper-in, Kryetar i Gjykatës Supreme në Magdenburg, tranzicioni i sistemit juridik i Gjermanisë Lindore në raport midis qytetarit dhe shtetit gjatë 20 viteve të kaluara është realizuar me sukses.

Përvoja çeke e tranzicionit me theks të veçantë zbatimi i ligjit për lustrim u prezantua nga Vojçek Siminçek, profesor universitar në Berno. Sipas tij, me çështjen e lustrimit është marë Ministria e Puneve të Brendshme.

Komisioni për çështje lustrimi, i domosdoshëm në Maqedoni

"Policia ka pasur në dispozicion dosje dhe dokumentacione, çdo qytetar ka pasur të drejtën të kërkojë vërtetim për të dëshmuar se a ka qenë apo jo bashkëpunëtor i organeve të sigurimit. Varësisht nga përgjigjja, qytetari ka patur mundësi të mbrohet me gjyq", thotë Vojçek Siminçek. Gjithnjë sipas tij, në Çeki, qytetarët kanë dalë më fitimitarë në proceset gjyqësore .

Zyra përfaqësuese e BE-së në Shkup
Zyra përfaqësuese e BE-së në ShkupFotografi: Petr Stojanovski

Shpend Vinca është anëtarë i Komisionit për lustrim në Maqedoni. Përvoja Gjermane dhe Çeke për çështjen e lustrimit sipas tij është më se e nevojshme për Maqedoninë.

"Këmbimi i përvojave do të na ndihmojë më shumë meqë ne jemi në fazën e parë të punës. Kjo do të thotë se komisioni për lustrim i Maqedonisë ka filluar procesin e lustrimit të 11 anëtarëve të tij, ndërkaq, i ka pranuar edhe deklaratat e para të 4 kategorive të para të përfshira me ligj: kryetari i shtetit, deputetët, kryeministri dhe ministrat ". thotë Shpend Vinca.

Suzana Saliu-Neziri përfaqësuese e "Transparent-zero korupcion ", thotë se raporti shtet-qytetar është sfida më e madhe e një demokracie. Në bazë të përparimit të këtyre raporteve mund të vlerësohet edhe niveli i demokracisë së një shoqërie.

Ndryshimet nuk duhen vetëm në sistemin legjislativ

"Maqedonia, tradicionalisht ka pasur një trajtim, një raport burokratik, jo human dhe shkelës i të drejtave të qytetarit dhe tani është shumë vështirë të ndryshohen këto raporte brenda natës. Nuk duhet të ndryshohen vetëm ligjet, nuk duhet të bëhet reformë vetëm në legjislaturë, patjetër duhet të bëhet reformim në shpirtin, sjelljen dhe mentalitetin e funksionarit shtetëror" vlereson Suzana Saliu-Neziri.

Në konferencë u tha se çështja e lustrimit në Maqedoni po realizohet me vonesë të madhe pas 20 viteve të hyrjes në sistemin pluralist, ndërsa në Gjermani procesi i njejtë ka filluar pas rënjes së murit të Berlinit.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi