1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia dhe romët azilkërkues

6 Prill 2012

Maqedonia do të ndëshkojë romët, që kërkojnë azil në BE. Pas këtij kufizimi të lirisë së lëvizjes qëndrojnë kërcënime nga Brukseli. Veprimtarë të të drejtave të njeriut e kritikojnë vendimin.

https://p.dw.com/p/14YVE
Partia për emancipimin e plotë të romave në Maqedoni
Partia për emancipimin e plotë të romave në MaqedoniFotografi: DW

Qysh nga dhjetori i vitit 2009 në hapësirën Schengen janë hequr vizat për shtetasit e Serbisë dhe të Maqedonisë. Shumë romë nga këto vende e shohin këtë si shans për një jetë më të mirë në perëndim. Fluksi i azilkërkuesve romë është rritur, por asnjëri prej tyre nuk e ka fituar të drejtën e strehimit politik.

Për ta zbutur situatën, qeveria e Maqedonisë ka miratuar një paketë masash: “Ajo parashikon që Republika e Maqedonisë të bëjë punë paraprake për ta ulur numrin e azilkërkuesve”, thotë Spiro Ristovski, ministër i punës dhe çështjeve sociale në Maqedoni.

Kjo do të thotë për shembull që personat që janë përpjekur më parë të kalojnë kufirin pa dokumente të vlefshme, nuk do të lihen të dalin nga vendi. I ashtuquajturi “keqpërdorim i azilit” do të ndëshkohet: Kush kthehet në vend si azilkërkues i refuzuar, do të futet në një listë qendrore, e cila do t'u shpërndahet ushtarëve të kufirit. Këta kanë të drejtë ta ndalojnë atë të dalë nga vendi.

Fëmijë romë marrin mësim
Fëmijë romë marrin mësimFotografi: Petr Stojanovski

Në dhjetor 2011, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian miratuan një sugjerim të Komisionit Evropian për ta anuluar përkohësisht heqjen e vizave për vende të tilla si Serbia ose Maqedonia, në se numri i azilkërkuesve që vijnë prej tyre nuk do të pësonte rënie. Maqedonia kështu frikësohet, se në se shumë romë, shtetas të saj, do të kërkojnë azil në perëndim, ajo do ta humbasë sërish lirinë e lëvizjes, që e pat ëndërruar për një kohë të gjatë. Organizata gjermane Pro Asyl i kritikon masat drastike të qeverisë maqedonase. Në një njoftim të botuar në faqen e internetit ajo i quan ato shkelje të drejtave të njeriut. Por organizata vë në dukje edhe se Brukseli e ka detyruar Maqedoninë, si kandidate të BE-së, të kufizojë lirinë e lëvizjes për romët. Qeverisë në Shkup nuk i mbetet gjë tjetër, veç të pengojë azilkërkuesit e mundshëm që të hyjnë në BE.

„Për mua është e pabesueshme që të pengosh njerëzit të lëvizin lirisht”, thotë Silke Maier-Witt nga Forum Ziviler Friedensdienst (Forumi i shërbimit civil për paqen). Ajo punon në Shkup me projekte të ndryshme për integrimin e romëve dhe pakicave të tjera. „Është traditë e të gjithëve në Ballkan: Kush ka nevojë për para, shkon të punojë në perëndim. Si t'ia bëjnë ndryshe këta njerëz pa perspektivë?”

Silke Maier-Witt e ka parë vetë se sa keq jetojnë romët në Shkup. “Gjithë familja shkon me karrocë të mbledhë shishe plastike. Për një pirg gjigant marrin një euro.” Për ata që janë të varfër, edhe një kërkesë azili e pashpresë, del me leverdi.

Sipas një studimi të Nismës Evropiane për Stabilitet (ESI), një familje katëranëtarëshe që kërkon azil në Gjermani, Belgjikë ose Suedi, merr rreth 700 euro në muaj, plus shërbimet mjekësore falas. Kjo është shumë më tepër nga të ardhurat e një familje të varfër rome në Maqedoni. Studimi tregon se për romët nga Ballkani, Gjermanisë i nevojiten shtatë muaj derisa të refuzojë zyrtarisht kërkesën azilit. Për familjen kjo do të thotë që të paktën për një farë kohe ajo ka të siguruar një strehë mbi kokë dhe ushqim të mjaftueshëm.

Romët nga Maqedonia nuk kanë të drejtë  azili në asnjë vend të BE-së, sepse ata nuk konsiderohen si të përndjekur politikë. Ata janë të përfaqësuar në parlamentin e Maqedonisë, madje edhe në komisionin parlamentar, ku është miratuar vendimi për ndëshkimin e azilkërkuesve që përpiqen të largohen nga vendi. Deputeti i tyre në këtë komision ka ndër mend të bëjë fushata sqaruese për t'i informuar pjesëtarët e pakicës së vet se kërkesat e tyre për azil në BE janë të pashpresa.  

Fëmijë romë në lagjen Shutka
Fëmijë romë në lagjen ShutkaFotografi: DW

Fakti që romët janë të përfaqësuar në Parlament nuk i mbron këta aspak nga diskriminimi i përditshëm, thotë Martin Stockmann, nga Caritasi i Essenit. Për 15 vjet rresht ai ka drejtuar në Maqedoni projekte për romët. Diskriminimi i tyre ka përmasa të ndryshme, sqaron Stockmann: “Ata nuk diskriminohen vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe përkatësisë etnike, por në radhë të parë për shkak të pozitës së tyre të skajshme në shoqëri." këto gjëra janë të ndërthurura me njëra-tjetrën, por “po ta shohësh me vëmendje, është thjeshtëzim të flasësh për diskriminim për shkaqe etnike.”

Sidoqoftë, t'ua ndalosh romëve daljen nga vendi është një kufizim i të drejtave themelore, thotë Martin Stockmann: "Këtu kemi të bëjmë me një konflikt ndërmjet lirisë individuale të qytetarëve dhe përpjekjeve të Maqedonisë për t'u lidhur në Evropë.”

Autor: Alexandra Scherle / Sasko Dimevski

Redaktoi: Verica Spasovska