1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Të rinjtë e papunë ëndërrojnë të gjejnë fatin jashtë

5 Shkurt 2011

Të rinjtë në Maqedoni përballen me probleme serioze në gjetjen e vendeve të punës. Pritjet e shumta në Agjencinë për punësim i dekurajon ata. Gjithnjë e më shumë të rinj ëndërrojnë të gjejnë fatin jashtë vendit.

https://p.dw.com/p/10BFP
Stacioni i trenit, ShkupFotografi: DW

Autoritetet në Maqedoni kanë konfirmuar se numri i qytetarëve të evidentuar si të papunë ka arritë rreth 350 mijë persona. Nga ky numër 57% e të papunëve përfshin grupmoshën e të rinjve prej 18 deri 27 vjeç. Me një armatë të të papunëve, gjetja e një vendi të lirë të punës për të rinjtë është bërë problem serioz në Maqedoni. Duke patur parasysh shifrat alarmante për papunësinë e të rinjve, Agjencia për punësim ka ndërmarrë disa aktivitetete dhe masa konkrete për zbutjen e kësaj situate.

Mazedonien Land und Leute Fabrik Nähbetrieb in Bitola
Rrobaqepsia Koninkton, BitolaFotografi: Nikos Pilos

Abdylsamet Shabani zëvendësdrejtor i Agjencionit për punësim thotë se është përpiluar një plan operativ, ku do të përfshihet një numër i konsiderueshëm i të rinjve të papunë, të cilët do të angazhohen në firma private. “Këto persona do të jenë në praktikë në ndonjë firmë private, pasi të kalojnë trajnimin katërmujor të cilin ne do ta paguajmë, firma do të vendosë se personat e tillë do t`i mbajë nëse i duhen apo jo në firmë”, thotë zëvendësdrejtori i Agjencisë për punësim Abdylsamet Shabani.

Një lehtësim i madh për Agjencinë për punësim do të jetë edhe granti i fituar nga BE në vlerë prej 1 milion e 300 mijë euro me të cilin rreth 8000 të papunë do të aftësohen për profesione deficitare. “Në këtë grant do të jenë të përfshirë personat që aftësohen sidomos në gjuhë, kompjuter, në gjërat të cilat janë të nevojshme për personat që janë në evidencën tonë të të papunëve dhe që normalisht në tregun e punës i kërkojnë”, thotë Abdylsamet Shabani.

Mazedonien Land und Leute Gericht in Skopje Amtsgericht
Të rinjtë e kanë të vështirë të gjejnë punë të përshtatshmeFotografi: Petr Stojanovski

Në Maqedoni funksionojnë edhe agjenci private për punësime të përkohëshme, që ndihmojnë në uljen e papunësisë tek të rinjtë. “Profesione më të kërkuara nga agjencionet private për punësim janë menaxherët, asistentët adminstrativë, kontabilistët dhe agjentët e marketingut. Por këto profesione rrallë gjenden në mesin e të rinjve të papunë”, thotë Aneta Dodeva.

Luljeta Ibrahimi pas përfundimit të fakultetit ka konkuruar në disa institucione shtetërore për tu punësuar, por ajo edhe pas tre viteve ka mbetur pa punë. “Nga agjencia për punësim nuk pres shumë, duhet të kalojnë vite deri sa të gjesh punë dhe nuk është e sigurt se do të punësohesh në profesionin që ke mbaruar. Do të pres edhe një apo dy vite, nëse s`ka punë do ta provoj fatin jashtë vendit”, thotë Luljeta.

Mazedonien Land und Leute Alexander der Große Flughafen in Skopje
Aeroporti i ShkupitFotografi: Petr Stojanovski

Dalibor Krstevski është jurist i diplomuar, deri më tani nuk i ka buzëqeshur fati për tu punësuar. “Maqedonia nuk po i mundëson të rinjve punësim si në vendet tjera, dëshira jetësore e imja është ta kërkoj fatin jashtë Maqedonisë” thotë Krstevski .

“Është vështirë të gjesh punë, në familjen time kam dy motra të moshuara që janë të papunë, kur ato kanë vështirësi ç'të them për vete që sapo kam diplomuar”, shprehet Dragan Janev, i cili sapo ka mbaruar fakultetin ekonomik.

Për parandalimin e shkuarjes të të rinjve jashtë vendit për të gjetur punë, zërin e kanë ngritur edhe organizatat joqeveritare e të rinjve, të cilët kërkojnë nga qeveria që të jetësojë më shumë projekte për zbutjen e papunësisë tek grupmoshat e reja.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama