1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Rishkim i të gjitha teksteve shkollore të arsimit fillor dhe të mesëm

28 Qershor 2011

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni mbështet idenë e unifikimit të teksteve shkollore të vendeve të rajonit për të shmangur paragjykimet etnike dhe mosadaptimin e teksteve me realitetin e ri në vend.

https://p.dw.com/p/11kl1
Symbolbild EU und Slowenien, Kroatien, Bosnien-Herzegowina, Serbien Montenegro, Mazedonien, Kosovo. DW-Grafik: Per Sander 2010_05_17_ex_jugoslawien_und_eu.psd
Fotografi: DW

Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it, vlerëson se pastrimi i teksteve shkollore nga e kaluara, do të mundësojë njeherësh edhe inkorporimin e vlerave arsimore të vendeve të zhvilluara të Evropës në sistemin arsimor të Maqedonisë. Ministria e Arsimit për këtë vit ka aprovuar revidimin e teksteve për klasën e gjashtë të arsimit fillor, por kjo nuk është e mjaftueshme thotë Dardhishta.

"Ne kërkojmë që brenda një viti të kishim reviduar të gjitha tekstet shkollore, sepse nëse furnizohemi me tekste të reja, le të funizohemi me tekste të reja, programe të reja , dhe kështu të ketë një shkarkim të ri të programeve për të gjitha lëndët mësimore", thekson Dardhishta.

Pro revidimit të teksteve shkollore shprehet edhe Havzi Mustafa, profesor universitar dhe njeherësh autor i teksteve shkollore

“Puna e teksteve shkollore nuk është vetëm çështje e pedagogëve dhe shkencëtarëve , as e arsimtarëve dhe prindërve, por më shumë po i ngjan dhe po shërben për të krijuar më tepër tensione dhe për të tërhequr vëmendje sa herë që kjo i nevoitet dikujt për të manipuluar”, deklaron Mustafa

Ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, thotë se çështja e revidimit të teksteve shkollore është proces i vështirë. Për të arritur efektin e dëshiruar, nevoitet angazhim i ekspertëve më eminentë të arsimit.

“Së shpejti aprovimi i teksteve shkollore , do të bëhet nga Komisioni nacional për tekste shkollore si organ i pavarur, e jo nga ministri apo autori i tekstit. Një praktikë e tillë besoj se do të pranohet nga arsimtarët “, thotë Todorov.

Por derisa të formohet ky komision, në tekste vazhdojnë të vërehen gabime jo vetëm teknike, por edhe gabime që fyejnë ndjenjat kombëtare dhe fetare të etnitetit shqiptar. Kjo ka detyruar anëtarin e komisionit për tekstet shkollore, Skënder Hasani, të japë dorëheqje pasi edhe pas vërejtjeve, në disa libra vazhdojnë të egzistojnë gabimet e njejta.

“Unë reagova kur e pashë se aty ka fyerje dhe fakte jo shkencore dhe jashtë metodologjisë së punës shkencore për hartimin e librave. Për fat të keq këto tentativa të Ministrisë së Arsimit nuk u ndaluan dhe kaloi ky libër me tendenca për t'i prishur mardhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni”, thotë Skënder Hasani, ish-anëtar i Komisionit për tekste shkollore.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, ka kërkuar edhe unifikimin e teksteve shkollore me ato të vendeve të rajonit.

“Ne kemi kërkuar të kemi programe unike edhe me shtetet fqinjë, jo vetëm me shtetin shqiptar , me Shqipërinë dhe Kosovën, edhe me Serbine, të jetë një program për krejt shtetet në rajon se nuk jemi shumë”, thotë Dardhishta.

Profesori Havzi Mustafa është i mendimit se planprogramet e vendeve të rajonit duhet të unifikohen me ato të Bashkimit Evropian.

“Kjo nënkupton edhe programe të reformuara, ashtu që do të mbeten shumë pak libra që lidhen me gjuhën, gjeografinë apo historinë lokale, që duhet të plotësohen nga kuadrot vendore. Nëqoftëse bëhet një unifikim, do të garantojmë një shkollë cilësore me përmasa moderne” shton Mustafa.

Byroja për Zhvillimin e Arsimit, premton se deri në fillimin e vitit të ri shkollor, do të pastrohen të gjita tekstet shkollore për të cilat ka vërejtje nga mësimdhënësit.

Autor: Fatos Musliu
Redaktor: Pandeli Pani