1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Referendumi shans për stabilitet e siguri në rajon

8 Shtator 2018

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev ka thënë se Maqedonia është e fokusuar dhe nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s.

https://p.dw.com/p/34WcC
NATO Gipfel in Brüssel Mazedonien Einladung zu Beitrittsgesprächen
Fotografi: Reuters/D. Zammit Lupi

Brenda pak javësh do të keni një referendum, në të cilin do të vendosni për të ardhmen, për anëtarësimin tuaj në BE dhe në NATO. Ju do të vendosni nëse doni të votoni dhe të shprehni mendimin, ndërsa NATO-ja është gati t'ju pranojë si shtetin e 30-të anëtar, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg gjatë vizitës së tij në Shkup. Ai vuri në dukje se në samitin në korrik, të gjithë anëtarët e Aleancës ranë dakord që Maqedonia të bëhet anëtare dhe të fillojë negociatat e pranimit. Nëse e implementoni marrëveshjen e emrit, ju do të bëheni shtet anëtar i NATO-s. Shpresoj që herën tjetër që do të vij këtu, do të vij si në një vend-anëtar i Aleancës, ka thënë Stoltenberg.

"Do të mbani referendum, ky është vendimi juaj, por ju ftoj të na dëgjoni zërin. Ky është një shans për stabilitet dhe siguri në rajon, që të anëtarësoheni. Ne jemi të gatshëm që të presim vendin tuaj si anëtar të NATO-s. Ju inkurajoj që të vazhdoni reformat, kjo ju bën më të fortë. Ne dëshirojmë të shohim suksesin e vendit tuaj, ne do t'iu mbështesim. Ardhmëria juaj është në duart tuaja, ju presim në NATO”, ka deklaruar Stoltenberg.

NATO Gipfel in Brüssel Mazedonien Einladung zu Beitrittsgesprächen
Fotografi: Reuters/D. Zammit Lupi

Stoltenberg: Mundësi historike për vendin

Stoltenberg u takua edhe me kryetarin e opozitës, Hristijan Mickoski dhe presidentin Gjorge Ivanov, të cilët janë kundër marrëveshjes për emrin dhe i ka porositur se nuk mundet që të presin anëtarësimin në NATO nëse Maqedonia nuk e realizon marrëveshjen. "Kjo është mundësi historike për këtë vend, bëhet fjalë për mundësi të papërsëritshme të bëheni anëtare të bashkësisë ndërkombëtare, por për ta bërë atë, patjetër duhet që të pajtohemi me marrëveshjen për emrin, nuk ka rrugë tjetër për anëtarësim në NATO. Dikush mendon që mundet të thotë "po” për anëtarësim dhe jo për referendumin, por nuk ka mundësi të tillë. Është iluzion i plotë që të mendohet se nëse thoni "jo” për marrëveshjen dhe "po” për anëtarësim, do të bëheni pjesë e NATO-s, duhet t'i thuhet "po” marrëveshjes për emrin dhe "po” anëtarësimit, që të anëtarësoheni”, është shprehur Stoltenberg.

Zaev: Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev para shefit të NATO-s ka thënë se është i sigurt se referendumi do të kalojë me sukses, madje ai shtoi se referendumi ka një mbështetje prej 75-80 përqind. Ai po ashtu theksoi se menjëherë pasi referendumi të kalojë me sukses do të fillojë dhe faza tjetër, ajo e ndryshimeve kushtetuese. "Jam i bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se pas saj do të mund të vazhdojmë me ndryshimet kushtetuese pa vonesa. Pres që procesin ta përfundojmë në kohë, që protokolli për hyrje në NATO të nënshkruhet në fillim të vitit 2019, dhe që të munden vendet anëtare në NATO ta fillojnë procesin e ratifikimit. Rezultatet e anketave të opinioneve publike janë të mira, qytetarët tanë duan që të zgjidhet çështja e emrit dhe vendi të bëhet anëtar i NATO-s dhe BE-së. 75-80 përqind e mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE, kjo na jep optimizëm se jemi në rrugën e vërtetë”, ka deklaruar Zaev.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se ftesa e pritur për anëtarësim në NATO ka ndikuar në kohezionin e brendshëm në shtet. Në pyetjen për opinionin për kundërshtimin e Rusisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, Zaev ka thënë se Maqedonia është e fokusuar dhe nuk ka alternativë tjetër përveç NATO-s.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut