1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekte europiane në shkollat e Maqedonisë

Fatos Musliu1 Tetor 2013

Nëpër shkollat fillore dhe të mesme po realizohen një sërë projektesh që kanë për qëllim përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe krijimin e një atmosfere tolerante.

https://p.dw.com/p/19s2x
Fotografi: DW/A. Dimitrievska

Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni vlerësohen si një shtyllë e veçantë për zhvillimin e mirfilltë të demokratizimit të shoqërisë. Miriana Malevska, pedagoge në Universitet, duke vlerësuar rëndësinë e realizimit të projekteve që kanë si synim përmirësimin e mardhënieve ndëretnike në Maqedoni thekson se në parim shoqëria shumëetnike është vështirë të menaxhohet, jo vetëm tek ne por edhe në vende të tjera që kanë nga dy apo tre bashkësi të mëdha etnike. "Është shumë vështirë të harmonizohen interesat e tyre sepse kërkesat e tyre janë të mëdha, madje ato shpesh mund të çojnë edhe në ndarje të mëdha. Në shoqëritë e përziera etnike është vështirë të arrihet edhe pajtimi, në veçanti pas periudhave konfliktuale". Sipas Miriana Malevska projektet ndëretnike që realizohen në shkollat fillore dhe të mesme do të japin rezultat në të ardhmen, mirëpo krahas fëmijëve dhe nxënësve, në këto projekte duhet të inkuadrohen edhe të rriturit, sepse shpesh herë ata janë gjeneratorët kryesorë për paragjykimet që i hasim te grupmoshat më të reja.

“ Projektet ndëretnike duhet të kenë një pikësynim, ato nuk duhet vetëm të realizohen, por në vazhdimësi duhet të analizohen rezultatet dhe të intervenohet me kohë aty ku projekti nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara”, shprehet Malevska.

Politika preventive për parandalimin e dhunës

Nxënësit e shkollave të mesme nga 9 qytete të Maqedonisë janë në realizim e sipër të projektit “Shkolla të sigurta - mjedis tolerant”. Ky projekt i përkrahur edhe nga misioni i OSBE-së, ka për qëllim mënjanimin e dhunës në shkolla dhe shmangien e incidenteve ndëretnike në ato institucione shkollore ku mësimin e zhvillojnë nxënës nga etnitete të ndryshme. “ Kur është qetë në shkollë ndjehem mirë, por kur shohim dhe dëgjojmë për rrahje, atëherë shqetësohem dhe nuk e ndjej veten të sigurtë”, thotë Verlibor Arsovski, nxënës pjesmarrës në projektin “ Shkolla të sigurta - mjedis tolerant”. “Për rrahjet që ndodhin në shkollë fajtor është karakteri i personit dhe edukata familjare . Ne jemi të rinj dhe duhet të jemi tolerantë me njëri tjetrin, pa marrë parasysh se cilit etnitet i takojmë”, thotë Agron Hamiti, nxënës i shkollës së mesme nga Tetova.

Mazedonien türkisch sprechende Schüler Unterricht
Nxënës të etnive jo maqedonase në shkollën "Bratstvo Edinstvo" në OhërFotografi: DW/M. Jovanovski

Projekti në fjalë ka për qëllim që në shkolla të zhvillohet politika e protokollit dhe programe të tjerë që do ta identifikonin dhunën në mesin e nxënësve. Cena Çepevska , kryeshefe e stacionit policor në Shkup, thotë se projektet që kanë të bëjnë me parandalimin e dhunës në shkolla, duhet të mbështeten nga të gjithë faktorët në shoqëri. “Duke marrë parasysh se shkolla është shtëpia e dytë e fëmijës, do të ishte mirë që të gjithë të angazhohemi që shkollat të jenë të sigurta dhe në to të frymojë toleranca, para së gjithash ajo ndëretnike “, thotë Çepevska.

"Të jetojmë së bashku" projekt i komunës Çair

Komuna e Çairit është një "Maqedoni e vogël". Në të jetojnë pothuajse të gjitha etnitetet që jetojnë në Maqedoni. Kjo komunë është një ndër komunat më të dendura në Evropë dhe më e populluara në Maqedoni. Të jetohet në këtë Komunë, të akomodosh të gjitha dëshirat dhe të gjitha kërkesat, është vështirë, thotë Teuta Agai, këshilltare për bashkëpunim ndërkombëtar dhe koordinatore e projektit “ Të jetojmë së bashku”. Ideja për këtë projekt ka lindur si rezultat i bashkëpunimit me komunën Byqyrka të Stokholmit nga Suedia. Projekti është realizuar në 9 shkolla fillore ku në mënyrë aktive kanë marrë pjesë nxënësit, prindërit dhe arsimtarët.

“ Duke implementuar projektin ku ishin të përfshirë nxënës nga të gjitha grupet enike, ne konstatuam se fëmijet tanë janë me shumë paragjykime. Por jo vetëm nxënësit edhe arsimtarët, edhe administrata në pushtetin lokal ka paragjykime”, shprehet Teuta Agai.

Paragjykimet luftohen me mjete artistike

Komunikimi i fëmijëve me prindërit në shkollë, komunikimi me shokë e shoqe në rrugë, interpretimi i lajmeve nga mediat, të gjitha këto së bashku futen në kokat e fëmijëve dhe kështu mund të lindin paragjykimet dhe stereotipet. “Në projektin tonë ne punojmë me mjete artistike, sepse është shumë më lehtë t'i bësh bashkë fëmijët e etniteteve të tjera etnike, fetare apo sociale, përmes mjeteve artistike siç është vallëzimi, teatri apo pikturimi. Fëmijët harrojnë se cilit grup i takojnë dhe bëhen bashkë. Nuk ka rëndësi çfarë gjuhe flet, çfarë grupi etnik je, apo çfarë përkatësie politike kanë prindërit, kur punon përmes metodave artistike. Këto projekte praktikisht eleminojnë problemet me të cilat ballafaqohen fëmijët andaj janë të mirëseardhura”, shprehet Agai.

Gegen Gewalt an Schulen
Një pllakat kundër dhunës në shkollëFotografi: DW

Pjesëmarrësit në projekt janë bërë shokë të mirë dhe kanë ardhur në përfundime se mund të jetojnë së bashku. Përmes këtyre projekteve shpesh edhe të rriturit mësojnë nga më të vegjëlit. Sipas koordinatores Teuta Agai, fëmijët nuk lindin me paragjykime, paragjykimet lindin nga rrethi, duke filluar nga familja, shkolla , universiteti dhe media. Ne duhet të pranojmë se përgjegjësia është tek të rriturit.

“Multikulturalizmi në sistemin tonë të edukimit dhe kapaciteti i sistemit tonë të edukimit për të promovuar multikulturalizmin dhe për të stabilizuar raportet ndëretnike, lë shumë për të dëshiruar dhe është një çështje tejet aktuale në Maqedoni. Komuna e Çairit si pjesë e koalicionit evropian kundër rracizmit dhe ksenofobisë praktikon një politikë konsekuente për të luftuar diskriminimin dhe ksenofobinë, kjo nuk është punë e lehtë, ne duhet ta ndërtojmë këtë frymë dalëngadalë”, thotë Agai.

Bartja e përvojave evropiane

Në komunën e Çairit ka qëndruar një delegacion i drejtuar nga Hans Heselman, ish president i koalicionit evropian të qyteteve kundër rracizmit me seli në Nyremberg. Delegacioni gjerman ka mbetur i mahnitur nga projekti i komunes së Çairit, ndaj ata do të angazhohen që i njejti të realizohet edhe në Gjermani në qytete që kanë banorë nga shumë etnitete. "Kryqi i Kuq i Gjermanisë mbush 150 vjet që nga themelimi dhe detyra kryesore në këtë përvjetor është zgjerimi interkulturor. Kjo detyrë do t‘i përshtatej shumë mirë edhe nivelit lokal”, ka deklaruar Heselman.

Të jesh pjesë e koalicionit evropian kundër rracizmit dhe ksenofobisë, do të thotë shumë, do të thotë të jesh një hap më pranë Evropës, theksoi zonja Agai duke shtuar se me këtë projekt, komuna e Çairit i afrohet vlerave evropiane dhe do të japë një ndihmë konkrete që vendi sa më shpejt të jetë pjesë e familjes evropiane.