Maqedoni : Partitë politike në garë për zgjedhjen e kandidatëve
19 Janar 2009Që nga shpallja e zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në Maqedoni, në bllokun politik maqedonas kanë filluar të profilizohen kandidatët e mundshëm për postin e presidentit të shtetit. Opozita maqedonase i ka dhënë mbështjetje diplomatit Srgjan Kerim, ndërsa VMRO-DPMNE tani për tani mbështet profesorin universitar, Gjorgji Ivanov. Edhe pse ish ministri i punëve të brendshme Ljube Boshkovski ka kandiduar zyrtarisht për postin e presidentit, ai nuk ka marrë mbështjetje nga asnjë parti politike.
BDI bisedon me VMRO-DPMNE për zjedhjet e marsit
Partitë politike shqiptare ende nuk kanë propozuar asnjë kandidat për president. BDI është duke zhvilluar bisedime me VMRO-DPMNE, si partner të koalicionit qeveritar për përkrahjen e mundshme të kandidatëve në zgjedhje të Marsit. Poqese arrihet një marrëveshje, ku kandidati i VMRO-DPMNE-së do të kushtëzohej me obligime ndaj komunitetit shqiptar, atëherë ai do të mund të fitojë mbështjetjen e BDI-së, është shprehur kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti. Bisedimet me partinë e Nikolla Gruevskit po zhvillohen edhe për zgjedhjet në nivel vendor. “Aty ku komuniteti maqedonas është minoritet, obligimet që dalin nga shumica shqiptare karshi minoritetit maqedonas duhet të respektohen dhe e kundërta të vlejë për ato komunat ku shqiptarët janë minoritet,” ka deklaruar Ali Ahmeti.
Kryetari i PDSH-së opozitare, Menduh Thaçi thotë se partia e tij do të dalë pa koalicione në zgjedhje të Marsit. “Do të shohim se si do të zhvillohet situata në raundin e parë, çfarë përcaktimesh politike do të kenë ata kandidat, sa do të jenë të gatshëm të bisedojnë nëse kanë dëshirë të marrin mbështetjen tonë për platformën dhe përcaktimet tona”.
DR dhe PDK nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Demokracia e Re dhe Bashkimi Demoratik Kombëtar janë dy partitë të vetme shqiptare që kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi në prag të zgjedhjeve lokale dhe presidenciale. Sipas kryetarëve Imer Selmani dhe Hysni Shaqiri, bashkëpunimi është i nevojshëm për politikën e shqiptarëve të përçarë në Maqedoni. Ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska ka thënë se policia ka filluar përgatitjet intensive për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Qeveria ka përgatitur plan aksional që do të vihet në zbatim para zgjedhjeve të Marsit. Të gjitha institucionet e vendit do të jenë në funksion të mbajtjes së zgjedhjeve të drejta dhe demokratike sepse ato për momentin janë prioritet kryesor për Maqedonin,” vlerëson Jankullovska.
(aca)
►◄