1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: parlamenti debat për përgjegjësinë e presidentit

Fatos Musliu27 Maj 2016

Iniciativa e partisë opozitare maqedonase, LSDM e drejtuar nga Zoran Zaev, për përgjegjësi ndaj vendimit për falje të presidentit Gjorgje Ivanov ka hyrë në procedurë parlamentare.

https://p.dw.com/p/1Iv76
Mazedonien Parlament in Skopje
Fotografi: picture-alliance/dpa/EPA/G. Licovski

Iniciativa e LSDM-së është mbështetur edhe nga deputetët e partisë BDI. Por pavarësisht mbështetjes nga BDI-ja për konstatimin e përgjegjësisë së presidentit Ivanov, nevojitet një shumicë prej dy të tretave ose 82 vota nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE ka 59 deputetë, pothuajse është e pabesueshme që të arrihet kjo shumicë. Parlamenti më parë votuar draftin e partive në pushtet për të ndryshuar ligjin për amnestinë. Kjo i mundëson presidentit tërheqjen e vendimit pa dhënë argumente shtesë, çka mund të sillte zgjidhjen e krizës politike në vend. Por deri më tani Ivanov, nuk e ka ushtruar këtë të drejtë. "Presidenti Ivanov si më parë, ashtu edhe në të ardhmen do të veprojë vetëm në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Maqedonisë dhe vetëm në interes të shtetit dhe të qytetarëve", njoftojnë nga kabineti i Presidentit të Republikës.

Analistët: parlamenti ka motiv për ta ndëshkuar presidentin

Analistët politik janë të shokuar nga deklarata e fundit e Presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov i cili është shprehur se asnjëherë nuk është penduar për vendimin për falje dhe se një vendim të ngjashëm do ta kishte marrë përsëri. Analisti Albert Musliu vlerëson, se kjo deklaratë sinjalizon që Ivanov nuk ka ndërmend që ta tërheqë vendimin skandaloz. Ai thekson se kjo deklaratë e Ivanovit duhet të jetë motiv për të gjitha partitë, të cilat në mënyrë deklarative angazhohen kundër amnestisë gjë që tentojnë ta zgjidhin përmes Parlamentit të Maqedonisë duke ia hequr në këtë mënyrë të drejtën presidentit.
Nikollovska: presidenti duhet të japë dorëheqjen

Prof. në Fakultetin juridik në Shkup Margarita Caca Nikollovska, thekson, se ndryshimet në ligjin për amnesti, prej nga presidenti Gjorge Ivanov mund ta tërheqë vendimin me iniciativën e tij ose me kërkesën e personave të prekur, nuk kanë për ta zgjidhur krizën politike. “Po të pyetesha unë, presidenti, ashtu siç e solli vendimin për amnesti, ashtu edhe duhet ta tërheqë atë dhe t'i thotë lamtumirë funksionit të presidentit. Një sjellje e tillë e një presidenti, që është njëkohësisht edhe jurist, nuk mund të justifikohet me asgjë. Është shkelur një numër i madh parimesh dhe siguria juridike është vënë në dyshim nga ai personalisht”, thotë Margarita Caca Nikollovska. Ajo konsideron se tërheqja nga skena politike e disa figurave të amnestuara, nuk i liron ata nga përgjegjësia penale. “Kryeministri dhe të tjerët kanë mundur të japin dorëheqje, të largohen nga skena politike. Mirëpo, largimi nga skena politike nuk nënkupton edhe lirim nga përgjegjësia politike. Dikush tenton që në mënyrë selektive ta largojë përgjegjësinë penale nga vetja”.

Presidenti duhet të ndihmojë zgjidhjen dhe jo thellimin e krizës

Prof. Mersel Billalli, thotë se përmes deklaratave të presidentit të shtetit, përkundër qëndrimeve shumë të qarta të Uashingtonit, Brukselit dhe Berlinit, diskreditohet institucioni i presidentit, duke u shndërruar në “zë” për promovim të qëndrimeve të VMRO DPMNE-së, partisë në pushtet.

“Deklaratat e presidentit për fat të keq janë pjesë e realitetit tonë. Nuk duhet të na habisë ai me këto qëndrime. Neve duhet të na habisë e kundërta, nëse dëgjojmë ndonjë qëndrim të arsyeshëm. Në rrethana të tilla, kur është fjala për persona të papërgjegjshëm në strukturën qeveritare dhe pjesën e ekzekutivit të presidentit, tani në aspektin procedural mund të shtrohet çështja e votëbesimit”, thotë Bilalli.

Veprimet dhe qëndrimet e presidentit nuk ndihmojnë në tejkalimin e situatës së tensionuar politike në vend , thotë analisti Mitko Gaxhoski.Qëndrimi i presidentit Ivanov është i qartë, por ai nuk kontribuon në zgjidhjen e situatës politike në vend. Përkundrazi, me këto qëndrime edhe më shumë thellohet kriza politike, veçanërisht nëse sërish presidenti Ivanov vendos për të amnestuar edhe një valë tjetër, përkatësisht persona të tjerë që hetohen nga prokuroria speciale publike”, nënvizon Gaxhoski, njohës i çështjeve politike.

Vendimi për faljen e zyrtarëve nën hetim, përfshi dhe ish-kryeministrin Gruevski, i rriti ndjeshëm tensionet politike në Maqedoni, çka solli dhe rritjen e angazhimit të diplomacisë evropiane e asaj amerikane, që bënë thirrje për tërheqjen e vendimit për amnesti.