1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni: Fushata zgjedhore shoqërohet me dhunë

Fatos Musliu20 Qershor 2006

OSBE deklaron se bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar për zgjedhjet dhe dhunën e shtuar. Vëzhguesit e ODHIR-it në raportet e tyre kanë dhënë vlerësime tejet negative për ecurinë e fushatës zgjedhore.

https://p.dw.com/p/Arf1
Fushatë zgjedhore në Maqedoni
Fushatë zgjedhore në MaqedoniFotografi: AP

Shpërthimi i dhunës dhe incidenteve të vazhdueshme midis simpatizuesve dhe anëtarëve të partive politike në fushatën parazgjedhore në Maqedoni, ka arritur kulminacionin. Pas demolimit të disa shtabeve zgjedhore, heqjes së flamujve nga vendet publike dhe grisjes së materialit propagandues, në komunën Saraj të Shkupit, midis aktivistëve te PDSH-së dhe BDI-së është zhvilluar një luftë e armatosur, ku për fat të mirë nuk ka patur persona të lënduar.

PDSH ka akuzuar se në incidentin e Sarajit policia ka qenë e involvuar në përkrahjen e aktivistëve të BDI-së, ndërsa kjo e fundit thotë se aktivistët e tyre janë sulmuar nga persona të PDSH-së. Po ashtu nga persona të paidentifikuar është rrahur rëndë kadidati për deputet i BDI-së, Skënder Xhemaili. Zëdhënësi i OSBE-së, Andrea Anxheli ka deklaruar se bashkësia ndërkombëtare është e shqetësuar për zgjedhjet dhe dhunën e shtuar.Vëzhguesit e ODHIR-it tanimë në raportet e tyre kanë dhënë vlerësime tejet negative për ecurin e fushatës zgjedhore.

Bashkimi Demokratik për Integrim, ka anuluar mitingun në Saraj për shkaqe të sigurisë. Kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti thotë se pas shfaqjes së akteve të dhunës dhe sjelljes brutale që vënë në dyshim mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare ka dalë me këtë apel- “Pa hyrë në diskutimin se kush i ka bërë ose nxitur aktet e tilla, koalicioni BDI-PPD, u bënë thirje në rradhë të parë anëtarëve dhe simpatizuesve të vetë të menjanojnë kategorikisht shfaqjet e përdorimit të dhunës e sjelljeve të pahijshme”.

Duke patur parasysh se aktet e dhunës kanë ndodhur në bllokun politik shqiptar, u takon liderëve partiak të marrin situatën në kontroll sepse çdo akt destabilizimi do të dëmtonte rëndë implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe interesat e popullatës shqiptare në tërësi, ka vlerësuar Ali Ahmeti. Ai u ka bërë thirje të gjithë liderëve te partive shqiptare që të takohen brenda dy ditëve dhe të marin qëndrim unik për mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike –“Partitë shqiptare duhet të veprojnë në unitet për të garantuar zgjedhje të lira e të drejta me 5 korrik, të cilat kanë rëndësi të veçantë edhe në shkallë rajoni e sidomos në zhvillimet në Kosovë”- ka deklaruar Ali Ahmeti.

Kryetaret e partive politike BDI dhe PDSH, Ali Ahmeti dhe Arbër Xhaferi do të zhvillojnë takime urgjente edhe me ambasadorin e BE-se në Maqedoni, Ervan Fuere dhe ambasadoren e SHBA-ve, Xhulian Millovanoviq. Këto takime kanë për qëllim të ndalojnë dhunën e shprehur në fushatën parazgjedhore.