Maqedoni e Veriut: Zgjedhjet parlamentare më 15 korrik
15 Qershor 2020Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev përmes një konference shtypi konfirmoi, se është arritur marrëveshje me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski që 15 korriku të jetë data përfundimtare e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Zaev theksoi, se dëshironë t'i japin fund "lojës” së nervave të qytetarëve dhe vendosën që 15 korriku përfundimisht të jetë data e zgjedhjeve.
"Ne kemi ndërmarrë hap që menjëherë të përfundojë kjo lojë nervash që të mos e pësojë populli. LSDM e tregon mirëkuptimin e saj dhe përgjegjësinë. Që të mos pësojë populli, e vendosëm 15 korrikun si datë përfundimtare për zgjedhjet”, tha Zaev.
Më 13 dhe 14 korrik do të votojnë personat në vetëizolim, të sëmurët me COVID-19 dhe qytetarët që kanë sëmundje të tjera dhe nuk janë në gjendje t'iu drejtohen qendrave të votimit. Do të propozohet vazhdimi i gjendjes së jashtëzakonshme me qëllim përputhjen e afateve me datën e zgjedhjeve, vuri në dukje Zaev.
Mickovski: U erdhi fundi socialdemokratëve
Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski konfirmoi, se subjekti i tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 korrikut. Kjo parti ka vendosur të mos i bojkotojë zgjedhjet dhe siç shprehet Mickoski, së bashku me popullin do të fitojnë kundrejt burimit të krizës, Zoran Zaevit dhe LSDM-së.
Sipas tijë Maqedonia gjendet në gjendje të rëndë, e sulmuar fuqishëm përskaj krizës ekonomike, shëndetësore dhe asaj politike. Që e gjithë kjo të përfundojë, zgjidhja është një dhe e vetme, e ajo është mposhtja e Zaevit dhe LSDM-s, deklaroi Mickovski.
"Dy kushtet që i kërkuam janë pranuar, e para protokolli për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe e dyta misioni i OSBE-ODIHR-it ta mbrojë vullnetin e qytetarëve”, nënvizoi Hristijan Mickoski kryetar i VMRO-DPMNE-së.
15 korriku datë e pranueshme për partitë shqiptare
Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson, se konsensusi i arritur për datën e zgjedhjeve e ka evituar krizën politike që rrezikonte vendin. "Ftojmë të gjitha institucionet e vendit të përgatisin të gjitha protokollet për mbrojtje maksimale të shëndetit të qytetarëve gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa këmbëngul për një datë me konsensus dhe proces legjitim. "Kemi vlerësuar se përveç 12 prillit është e pranueshme çdo datë tjetër që do të sillet me konsensus të plotë nga të gjitha forcat politike në vend”, thonë nga ASH-AA.
Pendarovski: Arritja e marrëveshjes dëshmi e pjekurisë demokratike
Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski e përshëndeti arritjen e konsesusit dhe marrëveshjes mes liderëve politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai pret që zgjedhjet të jenë korrekte dhe demokratike, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe që ka filluar bisedimet me BE-në. "Përshëndes marrëveshjen e arritur mes liderëve të partive politike, që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik"
Konsesusi i arritur për datën për datën e zgjedhjeve parlamentare është edhe një tregues se në çdo vend të pjekur demokratik është i domosdoshëm dialogu politik përmes së cilit sillen vendime në interes të qytetarëve”, shprehet presidenti Pendarovski.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u anuluan për shkak të pandemisë së koronavirusit.