1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedoni : Adoptimi i fëmijëve përmes sistemit elektronik

24 Mars 2010

Anashkalimi i keqpërdorimeve dhe shkurtimi i afatit kohor për adoptimin e fëmijëve është synimi kryesor për ndryshimin e Ligjit të familjes. Në të ardhmen, adoptimi i fëmijëve do të bëhet përmes sistemit elektronik.

https://p.dw.com/p/Mb0a
Familje, Maqedoni
Familje, MaqedoniFotografi: Petr Stojanovski

Ndryshimi i ligjit për familjen, ka bërë të mundur që adoptimi i fëmijëve në Maqedoni në të ardhmen të bëhet përmes sistemit elektronik. Deri më tani, adoptimi i fëmijëve është bërë përmes faktorit njeri, gjegjësisht Komisionit 5 anëtarësh, i cili në bazë të kritereve, ka vendosur se cila familje mund të adoptojë fëmijë.

Ulja e keqpërdorimeve

Ardian Muça, është këshilltar shtetëror në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale. Ai thotë se adoptimi i fëmijëve përmes sistemit elektronik do të mundësojë eleminimin e faktorit njeri në përzgjedhjen e familjes për fëmijën e adoptuar. Deri tani ka pasur një sërë vërejtjesh deri tek qendrat sociale rajonale, sepse familjet potenciale për adoptim të fëmijëve, i kanë kritikuar ato për përzgjedhje jo të drejtë të familjeve adoptuese. “Tani qendra sociale është e detyruar të propozojë 5 fëmijë që mund të adoptohen. Të dhënat do të vijnë të koduara dhe jo me emra dhe mbiemra si deri më tani, që do të thotë se të gjitha të dhënat do të jenë të koduara”, thotë Ardian Muça.

Prindër amerikanë që kanë adoptuar fëmijë në Kinë
Prindër amerikanë që kanë adoptuar fëmijë në KinëFotografi: AP

Prej komisionit 15 anëtarësh, vetëm 5 prej tyre do të mund të kenë qasje në të dhënat e fëmijës, që gjendet në listë për adoptim. Gjithnjë sipas Ardian Muçës, e gjithë kjo bëhet vetën e vetëm që të mos ketë keqpërdorime. Interesimi për të adoptuar fëmijë në Maqedoni është tejet i madh, për momentin ka 453 adoptues të mundshëm.

Nëna duhet të heqë dorë nga fëmija

Mirëpo ekziston një problem real, meqë nga të gjithë fëmijët që janë vendosur në qendrat socilae nuk ka deponim të nënshkrimeve prej prindërve që të pranojnë adpotimin e fëmijëve, thotë Muça. ‘Për të adoptuar një fëmijë procedura duhet të jetë ligjërisht e pastër. Nëna e cila dorëzon fëmijën duhet të japë deklaratë me shkrim në qendrën për punë sociale me anë të të cilës heq dorë ligjërisht për tërë jetën nga ai fëmijë.“

Me ndryshimin e Ligjit për Familje, pas tre ftesave të dërguara prindërit dhe mos përgjigjes ndaj këtyre ftesave, Qendra Sociale me automatizëm mund ta japë fëmijën për adoptim. Një tjetër problem serioz me të cilin përballen qendrat sociale është edhe ai kur fëmija i dorëzuar në Qendrën Sociale është i sëmurë. Në këto raste fëmija nuk mund të jepet në adoptim. Familja potenciale për adoptimin e fëmijëve duhet të përmbushë një sërë kushtesh prej të cilave Muça veçon ato esenciale, që janë: prindërit potencialë duhet të jenë të punësuar, të shëndoshë dhe të kenë të siguruar çështjen banesore. Mesatarisht një familje në Maqedoni pret prej një deri tre vite për të adoptuar fëmijë.

Flash-Galerie Projekt Märchenwelt Junge Familie mit Kleinkind liest vor.
Fotografi: picture-alliance

Prindërit e ardhshëm gëzohen

Përzgjedhja e fëmijëve për adoptim përmes sistemit elektronik është mirëpritur nga prindërit potencialë. Agim Rustemi nga Shkupi shpreson se më në fund fati do t`i buzëqeshë dhe do të mund të adoptojë një fëmijë. “Shpresojmë se me sistemin e ri mesiguri se do të anashkalohen barierrat dhe dëshira ime do të plotësohet, meqë një kohë të gjatë unë pres të adoptoj një fëmijë. Besoj se në të ardhmen do të më realizohet kjo dëshirë meqë vullneti para së gjithash është arsyeja më e fortë dhe besoj se do të më plotësohet dëshira e kahmotshme," thotë Agim Rustemi.

Këshilltari në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, Ardian Muça, thotë se të drejtë adoptimi përveç shtetasve të Maqedonisë, kanë edhe shtetasit e huaj. Procedura dhe kushtet janë të njejta por gjithsesi, sipas tij përparësi kanë adoptuesit nga Maqedonia. “Ne kemi edhe adoptime në shtetet e huaja. Ka fëmijë të cilët fatkeqësisht tek ne nuk i adoptojnë për shkak të çështjeve etnike, e cila ndikon shumë. Përshembull kemi fëmijë romë të cilët adoptuesit tanë fatkeqësisht, nuk i duan. Poqese i ofrohet të gjithë adoptuesve ai fëmijë dhe askush nuk e pranon, atëherë fëmija mund të adoptohet nga shtetas të huaj.”

Ligji për adoptimin e fëmijëve përmes sistemit elektronik do të hyjë në fuqi në 1 prill të këtij viti.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama