1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Malta - kamp i refugjatëve të Bashkimit Evropian

Kristofer Plas21 Qershor 2006

Në ishullin e vogël Malta të Detit Mesdhe gjatë viteve të fundit janë përqëndruar shumë refugjatë dhe atë në mënyrë joproporcionale: rreth 6000 në një ishull me vetëm 400 mijë banorë

https://p.dw.com/p/ArAp
Pamje nga ishulli Malta
Pamje nga ishulli MaltaFotografi: AP

"Kur erdhëm, ata na dhanë varëse me shkronja dhe numra. E tmerrshme. Ne ishim për shembull grupi FF".

Një fat që përcjell mijëra refugjatë për një sezonë. I riu i cili nuk dëshiron të na thotë emrin ka lënë vendlindjen e tij në Afrikën e Lindjes me synim Evropën dhe arrin në Maltë. Ai rrëfen për 14 burra të cilët ndajnë së bashku një dhomë ndeje dhe fjetjeje. Asnjë mundësi për të telfonuar jashtë, ndihma juridike edhe kur vjen atëherë me vonesë të madhe, dhe me dokumentet ata duhet të gjinden vet ashtu si munden.

"Unë e kam një emër por ku shkruhet mbiemri. Ishte shumë e vështirë të plotësohet ky formular. Andaj pata shkuar tek oficeri i policisë për ta pyetur atë. Nganjëherë ai thoshte 'nuk e di' nganjëherë ' po shkoj të pyes dikë tjetër'".

Malta është pothuajse çdokund, thotë për këtë shërbimi jezuit i refugjatëve i cili është aktiv në mbarë botën. Por ku saktë nuk dihet përkundër hulumtimeve të bëra, mendon motra e nderit Kornelia Byhrle nga zyra e Brukselit:

"Nga radhët e Parlamentit evropian është parashtruar pyetja tek Komisioni i BE-së, nëse Komisioni është në dijeni se në cilat vende ndodhen të ashtuquajturat qendra dëbimi në Bashkimin Evropian dhe nga Komisioni Evropian është thënë se nuk e dijnë. Në një demokraci këtë mund ta definoj vetëm si politikë turbulluese", thekson Byhrle.

Deri tani dihet për rreth 200 kampe të tilla pranimi por vetëm në 14 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Mbajtja e refugjatëve në burgje apo strehimore të ngjashme me burgjet sipas pikëmpamjeve të organizatës së krishterë nuk janë vetëm shkelje e të drejtës dhe humanitetit. Shtetet pranuese shpenzojnë shuma të mëdha për këtë qëllim. Shpenzimet për një refugjatë në Gjermani llogariten me 80 euro në ditë, në Poloni, Itali pao Hollandë kjo shumë është edhe më e lartë. Vit për vit duhet përllogaritur disa milionë euro shpenzime. Dhe sipas profesorit Anton van Kalmthout nga Universiteti i Tilburgut në Hollandë autoritetet e kanë të qartë se një pjesë e madhe e atyre që mbahen në këto qendra nuk mund t'i dëbojnë për në vendet e tyre të origjinës.

"Ata të cilët ne i konsiderojmë si refugjatë ilegal, prej tyre për në vendlindje dëbohen një e treta. Megjithatë ne investojmë para që dy të tretat t'i mbajmë në qendrat e tilla por pa i dëbuar ata", sqaron Kalmthout.

Shpesh nuk është e qartë se prej nga vijnë këta njerëz. Shtetet e origjinës poashtu nuk duan të bashkëpunojnë. Kundër mbajtjes së këtillë në burg të refugjatëve jezuitët kanë një propozim:

"Përshembull ne i japim secilit nga 5000 euro për faktin se nganjëherë njerëzit nuk duan asgjë më shumë se pak para për të filluar një biznes në atdhe. Me këto 5000 euro ata kthehen dhe fillojnë një biznes të vogël në shtëpi. Vlerësoj se rreth 40 përqind e tyre do të pranonin një zgjidhje të tillë", nënvizon Byhrle.

I riu nga Afrika e Lindjes pasi ka qëndruar 17 muaj në qendrën për dëbim tani jeton i lirë në Maltë. Autoritetet nuk dinin se si të vepronin më tutje me të.