1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mali i Zi ka shumë detyra për të bërë para se të anëtarësohet në BE

Beniamin Pargan23 Maj 2006

Dalldia e fitores do të pasohet nga të bërët esëll. Rrugës për në BE Mali i Zi ka ende shumë detyra për të bërë. Mali i Zi ka defiçite të konsiderueshme në luftën kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit.

https://p.dw.com/p/Aqdj
Kryeministri Milo Gjukanoviç gjatë një konference shtypi në Podgoricë
Kryeministri Milo Gjukanoviç gjatë një konference shtypi në PodgoricëFotografi: AP

Ja që edhe republika e fundit pjesë e ish-Jugosllavisë u bë një shtet i pavarur. Megjithatë, pohimi se kemi të bëjmë me kapitullin e fundit në shpërbërjen e ish- shtetit shumëkombësh në Ballkan është i gabuar. Kundër kësaj teze flet jo vetëm problemi i pazgjidhur i Kosovës, i cili padyshim është pjesa më e madhe nga ajo që ka mbetur nga ish-Jugosllavia. Shumë vende në këtë pjesë të Evropës luftojnë me forca centrifugale nacionaliste. Shumë serbë në Bosnjë-Hercegovinë dhe siç u bë edhe më e qartë nga referendumi- edhe në Mal të Zi thuajse nuk e identifikojnë veten me atdheun e tyre. Ata do të preferonin shumë më tepër që rajonet e banuara prej tyre të ishin pjesë të Serbisë.

Nga ana tjetër, shumë boshnjakë në rajonin e Sanxhakut të ndarë tani midis Malit të Zi dhe Serbisë kanë marrëdhënie të ngushta ekonomike dhe politike me atdheun e tyre Bosnjë-Hercegovinën. Edhe ata besojnë, se problemet politike që kanë mund të zgjidhen jashtë vendit të tyre.

Shembulli i tretë: minoritetet e shumta në provincën autonome veriore serbe të Vojvodinës ankohet se ata dhe vështirësitë e tyre injorohen prej vitesh. Në dallim nga Mali i Zi, i cili gëzonte sovranitet të plotë prej vitit 1878 deri në vitin 1918, Vojvodina vërtet që nuk ka qenë kurrë një shtet i pavarur, edhe tani asnjë politikan që mund të merret seriozisht nuk kërkon pavarësinë. Megjithatë, Evropa nuk duhet të luajë shurdhin, kur jo serbët që përbëjnë më shumë se 35 për qind të popullatës në veri të Danubit kërkojnë më shumë të drejta.

Në numërimin e pafund të pikave etnike të nxehta në ish-republikat jugosllave nuk duhet të mungojnë as kroatët e Bosnjës. Shumë prej tyre nuk ndihen mirë në Bosnjë-Hercegovinë. E njëjta gjë mund të thuhet për shumicën e shqiptarëve në Maqedoni.

Ka pra shumë vatra të pakënaqësisë, tek të cilat rreziku kryesor nuk qëndron në secesion, por më tepër në një ngadalësim dhe madje në një paralizim të plotë të zhvillimit politik dhe ekonomik. Këtë e kanë treguar shpesh problemet e pazgjidhura etnike në Ballkan, Mali i Zi ka qenë dhe do të mbetet shumë-shumë një shembull.

Në dalldinë e fitores, fitimtari i brohoritur nga Podgorica, kryeministri Milo Gjukanoviç bën sikur harron që Mali i Zi është një vend i përçarë thellësisht. Veç kësaj, do të dalë shumë shpesh në pah se premtimet e tij nuk do të realizohen dot lehtë, nëse mund të realizohen. Gjukanoviçi nuk lodhet së premtuari afrimin tepër të shpejtë të vendit të tij, të pavarur që prej se dielës, me BE. Anëtarësimin në NATO ai natyrisht që do ta fitojë në kalim e sipër.

Ish-komunisti model harron se republika e tij e vogël e Adriatikut është një shtet xhuxh ekonomikisht i dobët, megjithë pavarësinë, ose pikërisht për shkak të pavarësisë. Po të dëgjosh fjalimet e tij, të krijohet përshtypja se investuesit ndërkombëtarë po presin me valixhet me para në derë që Podgorica t'ju bëjë vetëm një shenjë.

Kjo në një kohë kur Mali i Zi ka defiçite të konsiderueshme në luftë kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit dhe deri tani nuk ka rezultuar me forca veçanërisht tërheqëse për paratë perëndimore. Dhe Gjukanoviçi nuk është patjetër njeriu i duhur për këtë detyrë të vështirë. Përkundrazi, ai vetë është njëri nga problemet. Akoma vazhdojnë të qarkullojnë supozime se kryetari i qeverisë është i përfshirë në kontrabandën tepër fitimprurëse të cigareve. Në Itali madje kundër tij janë hapur hetime. Edhe kritikat e mbështetësve të Bashkësisë me Serbinë thonë se Gjukanoviçi kërkon "ta privatizojë edhe më tepër Malin e Zi".

Prej vitesh, në këtë vend të vogël ballkanik sundon një ekonomi përfitimesh, në të cilën pa lidhje të mira me kampin e Gjukanoviçit nuk funksionon asgjë. Këtë e kritikojnë edhe mbështetësit e pavarësisë dhe ata nuk mund t'i akuzosh se përpiqen të minojnë me këtë ndarjen nga Serbia.

Prandaj BE duhet ta mbajë para syve vendin e maleve të zeza, nëse nuk do t'i pëlqejë që në oborrin e pasëm të ketë një shesh ku mblidhen kontrabandistët e cigareve dhe të njerëzve, larësit e parave dhe kontrabandistët e makinave. Vizitorët nga Brukseli duhet të kenë në këtë drejtim vetëm guximin, që t'i tërheqin vëmendjen fitimtarit të Podgoricës, kjo megjithë popullaritetin e tij të rritur mjaft prej së dielës.