1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maas i siguron mbështetje Bushatit

30 Korrik 2018

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati vizitoi Maas ne Berlin. Në qendër të bisedës ishin përpjekjet e Shqipërisë për të filluar negociatat me BE-në vitin e ardhshëm.

https://p.dw.com/p/32L98
Berlin - PK Heiko Maas und Ditmir Bushati
Ministri i Jashtem i Shqiperise Bushati i bën vizitën e parë zyrtare homologut të tij gjerman Heiko MaasFotografi: picture-alliance/AA/A. Hosbas

Ministri gjerman i punëve të jashtme Heiko Maas i siguroi homologut të tij shqiptar Ditmir Bushati mbështetje të mëtejshme të Gjermanisë në rrugën drejt BE-së.

"Fati i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për ne prandaj jemi shumë të angazhuar për thellimin e bashkëpunimit", tha Heiko Maas në përfundim të takimit me homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, të hënën, 30.07.2018, në Berlin.

Në qendër të bisedës ishin përpjekjet e Shqipërisë për të filluar negociatat me BE-në vitin e ardhshëm.. Maas kujtoi se kompromisi i arritur në fund të qershorit mes 28 vendeve të BE-së për fillimin e mundshëm të negociatave me Shqipërinë në gjysmën e dytë të vitit 2019 nuk ishte aspak i lehtë.

"Por ne tani kemi një datë dhe do të bëjmë gjithçka është e mundur që kjo datë të jetë data e nisjes", premtoi Maas. Ai apeloi te aktorët politikë në Shqipëri që t'i mbështesin reformat tejet të rëndësishme të vendit. 

Në lidhje me këto të fundit, ministri gjerman i punëve të jashtme nuk i kurseu fjalët lëvduese:

"Është e rëndësishme që t'i njohim dhe t'i vlerësojmë arritjet e reformave që kanë qenë një sforcim impresionues që kërkon kurajë dhe forcë realizuese në një mjedis jo fort të favorshëm", tha Maas duke shtuar pak më tej se procesi i Vettingut është një shembull që tregon se si Shqipëria është bërë model për rajonin.

Berlin - PK Heiko Maas und Ditmir Bushati
Ministrat e jashtëm të Shqipërisë dhe Gjermanisë, Bushati dhe Maas, të hënën, 30.07.2018, në Berlin. Fotografi: picture-alliance/dpa/G. Fischer

Gjermania më parë qe angazhuar që negociatat me Shqipërinë të çeleshin pas përmbushjes ndër të tjera të dy kushteve kryesore: reforma zgjedhore dhe përmbyllja e procesit të vettingut.

"Mbështetja e Gjermanisë për ne është e pazëvendësueshme për të gjitha fazat e procesit të shtetkonsolidimit demokratik në të cilën ne jemi përfshirë," tha Bushati, i cili dha si shembull asistencën e madhe që ka dhënë Gjermania për mbarëvajtjen e procesit të Vettingut. 

Bushati kishte shkuar në Berlin të hënën për të vizituar zyrtarisht homologun e tij gjerman, Heiko Maas, i cili e mori postin në mars 2018 nga kolegu i tij socialdemokrat, Sigmar Gabriel. Kreu i diplomacisë shqiptare shfrytëzoi rastin që ta ftonte homologun e tij gjerman në Tiranë, ku vetëm disa ditë më parë kish qenë për vizitë ministri i shtetit për çështjet europiane Michael Roth.  (ASh)