Më 28 qershor organizohet festa e Vidovdanit në Kosovë
26 Qershor 2008Shërbimi Policor i Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha masat që festa e 28 qeshorit e njohur si "Vidovdani serb", të kalojë e qetë. Në këtë kuadër, policia ka hartuar edhe një plan operativ të koduar me emrin "Vidovdani 2008", ku janë të përfshirë policia e dy rajoneve ajo e Prishtinës dhe Mitrovicës.
Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, thotë se serbët e Kosovës, mund ta festojnë lirshëm festën e tyre, mirëpo nuk do të lejohen marshime në këmbë drejt Gazimestanit jo larg Prishtinës, ne vendin ku do të mbahet manifestimi qëndrorë. "Nuk lejohet marshimi në këmbë i serbëve nga Mitrovica veriore drejt Gazimestanit për arsye sigurie, mirëpo, policia do të kujdesët për sigurinë e sebëve gjatë transportit të tyre me vetura dhe autobus. Ne nuk presin se do të ketë ndonjë provokim. Sidoqoftë, policia e Kosovës, është e gatshme që të veprojë në rast të ndonjë provokimi të mundshëm dhe për këtë tashmë ka hartuar planin operativ të koduar me emrin"Vidovdani 2008".
Në ditën e festimeve për festën serbe të Vidovdanit, serbët kanë paralajmëruar se do të formojnë edhe kuvendin serb në nivel të Kosovës, ku sipas tyre, ky parlament do të mbrojë interesat e serbëve dhe do të udhëheqet nën direktivat e autoriteteve të Beogradit. Formimi i kuvendit serb është edhe një kundërpërgjigje ndaj hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës. Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, kanë thënë se strukturat paralele serbe janë jolegjitime dhe si të tilla nuk do të mund të funksionojnë në Kosovë. Mirëpo, qeveria e Kosovës akoma nuk ka kompetenca që me forcë të pamundësojë funksionimin e strukturave paralele serbe dhe për këtë ka kërkuar nga administrata e OKB-së që të pengojë strukturat paralele serbe në Kosovë. Këtë kërkesë, Prishtina zyrtare e bazon në dispozitat e Kushtetutës së Kosovës, e cila njeh vetëm institucionet e dala nga zgjedhjet në Kosovë dhe praninë ndërkombëtare, UNMIK dhe EULEX.