1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lunaçek: Kosovarët mund të presin lajme të mira nga samiti i BE-së

8 Dhjetor 2011

Në samitin e BE-së do të jepen disa sinjale pozitive për Kosovë, por qeveria në Prishtinë duhet të kryejë detyrat. Serbia e ka fajin vetë për gjendjen e krijuar, thotë raportuesja e PE për Kosovën, Ulrike Lunaçek.

https://p.dw.com/p/13Ov3
Ulrike Lunacek, Parlamenti Evropian
Ulrike Lunacek, Parlamenti EvropianFotografi: AP

Zonja Lunaçek, çfarë mund të presin kosovarët nga samiti i Bashkimit Evropian: fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, apo edhe një herë do t'ju thuhet - duroni edhe pak?

Lunaçek:  Unë mendoj se dialogu me Kosovën do të fillojë brenda 1-2 muajve dhe se kjo do të bëhet e ditur nga komisionerja Malmström. Kjo parashikohet edhe në konkluzionet e takimit të ministrave të jashtëm, të mbajtur ditën e hënë. Nuk besoj se do të ketë ndryshime. Madje edhe pesë vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën kanë rënë dakord për fillimin e dialogut. Përparime ka edhe në dy çështje të tjera: kërkesën për marrëveshje tregtare me Kosovën dhe që mundësinë që Kosova të marrë pjesë në programet e BE-së. Besoj se këtu nuk do të ketë ndryshime dhe se BE-ja nuk do të hapë ndonjë debat të posaçëm për këto çështje, sepse BE-ja ka në rend dite disa tema tjera shumë të rëndësishme.

Sa kohë duhet të kalojë deri në heqjen e vizave dhe cilat kushte duhet plotësuar?

Lunaçek: Kjo varet nga gatishmëria e qeverisë së Kosovës për të realizuar gjërat: sa shpejt do të sqarohen çështjet e sigurisë, si do të rregullohet çështja e kufirit me Serbinë, sa shpejt do të rregullohen regjistrat e popullatës... Por mendoj se ky proces do të zgjatë dy deri tre vjet. Po e përsëris edhe një herë: kjo varet nga qeveria e Kosovës dhe gatishmëria e saj të zbatojë gjërat. Ajo së bashku me mediat dhe shoqërinë civile duhet të punojnë për realizimin sa më të shpejtë të këtyre kushteve.

Kohët e fundit në Bruksel është debatuar shumë për kandidaturën e Serbisë për antarësim në BE. Mendoni se Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim, apo kjo çështje do të shtyhet për më vonë?

Lunacek: Kjo çështje ende nuk është vendosur. Serbia,javët dhe muajt e fundit nuk ka treguar gatishmëri që marrëveshjet e arritura me dialog t'i zbatojë. Ditët e fundit ka nisur të zbatojë disa marrëveshje, por kjo është tepër vonë - siç ka deklaruar edhe zonja Merkel. Gjendjen e Serbisë e kanë rënduar edhe incidentet e fundit në veri të Kosovës, ku janë plagosur rëndë disa ushtarë gjermanë dhe austriakë. Ende nuk ëshë e qartë se si do të zgjidhet kjo çështje. Ekziston një propozim që Serbia të fitojë një status kandidati, por me kushte. Kjo çështje do të vendoset gjatë natës, të premten apo ndoshta edhe të shtunën. Serbia duhet të realizojë marrëveshjet dhe t'i respektojë ato.

Disa diplomatë në Bruksel thonë se Serbia kërcënohet nga ardhja në pushtet e forcave nacionaliste, në qoftë se nuk e merr statusin e kandidatit për anëtarësim... 

Lunacek: Për Serbinë me siguri që do të ishte shumë e vështirë. Problematike do të ishte edhe për Kosovën, sepse të gjithë ata në BE që mbështesin futjen në BE të vendeve të Evropës Juglindore, thonë se kemi nevojë për një paketë të përgjithshme. Zgjidhja më ideale do të ishte që me Kroacinë të nënshkruhet marrëveshja për anëtarësim, Malit të Zi t'i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim, Kosovës t'i jepet udhërrëfyesi për fillimin e dialogut, të merret vendimi për nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë dhe për pjesëmarrjen e saj në programet e BE-së, ndërsa Serbisë t'i jepet statusi i kandidatit. Nëse kjo nuk ndodh, në Serbi mund të ndryshojë gjendja. Serbia i ka gjërat në dorë të vet. Këto ditë për shembull, mund të arrijë marrëveshje edhe për përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. Gjërat varen nga Serbia dhe jo nga BE-ja.

A është Serbia në gjendje t'i realizojë marrëveshjet e arritura?

Lunaçek: Ky qëndron problemi, sepse Serbia nuk i ka realizuar marrëveshjet e arritura, siç është për shembull marrëveshja për lirinë e lëvizjes. Serbia është vetë fajtore për rezistencën e tanishme të disa qarqeve në BE. Këtë e kanë vërejtur edhe vetë qarqet qeveritare në Serbi, të cilat pranojnë se kanë bërë gabime.

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama