Luftime të ashpëra në kufirin turk-irakian
22 Tetor 2007Luftimet ndodhën në provincën Hakari në juglindje të vendit dhe në kufi me Irakun. Luftëtarët guerrilas të PKK-së kanë muaj tashmë që sulmojnë territorin turk nga Iraku verior. Qysh prej fillimit të këtij viti këtu kanë humbur jetën rreth 100 ushtarë. Ushtria turke e ka rritur prezencën e saj në rajonin kufitar në mënyrë masive - flitet se atje janë stacionuar rreth 60.000 ushtarë.
Luftimet e të dielës janë më të ashpërat prej javësh. Ato ndodhën pak ditë pasi parlamenti turk vendosi t´i lejojë kryeministrit, që në rast domosdoshmërie, mund të ndërhyjë në mënyrë ushtarake në shtetin fqinj. Qeveria turke e mori këtë vendim, pasi SHBA-s, të cilave u ish lutur prej muajsh për mbështetje, nuk e ndihmuan. Të dyja këto vende, ashtu si edhe BE-ja e vlerësojnë PKK-në si organizatë terroriste, por Uashingtoni u përpoq ta evitojë rrugën e armatosur, sepse mendon se luftimet në rajonin e kurdëve do të shkatërronin rajonin e vetëm paqësor në Irak, duke prishur kështu përfundimisht imazhin e SHBA-s në këtë vend. Përveç kësaj, SHBA në luftën e tyre kundër Iranit mbështesin grupin iranian-kurd, PJAK, i cili bashkëpunon me PKK-në. Turqia shfaqi zhgënjimin e saj të thellë mbi këtë sjellje dhe deklaroi se në luftën kundër terrorit, nuk mund të veprohet sipas dëshirës.
Ndërkohë parlamenti irakian i ka bërë thirrje luftëtarëve të PKK-së që të largohen nga vendi. Presidenti i parlamentit Mahmud al Mashahadani deklaroi se në rast nevoje, qeveria e Nuri al Malikut do t´i ndalojë vetë aktivitetet e PKK-së. ndërkohë guerrilasit e PKK_së kërcënuan se në rast të një invasioni turk, ata do të hedhin në erë puse të naftës në veri të Irakut. Eksporti i naftës, e cila nxirret në rajonet rreth Kirkukut, zhvillohet nëpërmjet portit turk Ceyhan.
Për shkak të marrëdhënieve të vështira aktuale, kryeministri turk Erdoan do të takohet më 5 nëntor me presidentin Bush për të zhvilluar bisedime të përbashkëta. Më parë në Irak do të zhvillohet një konferencë, në të cilën pritet të marrë pjesë ministrja e jashtme amerikane, Rajs (Condoleezza Rice) dhe kolegu i saj irakian Manuçer Motaki. Sipas gazetave turke të së dielës, në rast se bisedimet mes Erdoanit dhe Bushit nuk do të kenë sukses, atëherë qeveria turke do të dërgojë trupat e saj drejt Irakut, në rast se PKK-ja vazhdon të sulmojë që andej.