1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta monetare pason krizën e borxhit

Zhang Danhong/Angelina Verbica6 Shkurt 2013

Fjalën e shëmtuar luftë monetare e tha ministri i Financave të Brazilit që në vitin 2011. Tani Japonia ka hyrë në një raund të ri konkurrence, se kush mund ta ulë më shumë vlerën e monedhës së vet.

https://p.dw.com/p/17Yum
Fotografi: Marén Wischnewski / Fotolia

"Nuk dua të them se në këtë moment vështroj pa shqetësim nga Japonia", tha Angela Merkel së fundi në forumin ekonomiik botëror në Davos. Ajo që e shqetëson kancelaren gjermane, është vullneti i hekurt i qeverisë japoneze që ta përmbysë vendin me para, për ta nxjerrë atë nga deflacioni. Me shtypjen e kartmonedhave Bank of Japan shkakton rënine e vlerës së yenit, një ndihmë e madhe për eksportuesit në vend.

Me politikën e saj të lirshme monetare Banka Qendrore Japoneze nuk është e vetme. Banka Qendrore amerikane Fed ka gjetur një emër elegant për shtypjen e parave: liberalizim kuantitativ. Që prej shpërthimit të krizës financiare dhe ekonomike ajo e ka ulur normën bazë të interesit në gati zero, duke shitur obligacionet shtetërore me vlera bilionëshe. "Rreziku është, që ne të gjithë përpiqemi të dalim nga kriza me liberalizimin e monedhës", thotë Achim Wambach, drejtor i Institutit për Politikën Ekonomike në Këln, në bisedë me DW.

Rettungsroutine - Wort des Jahres

Vende të tjera duhet të vuajnë

Meqenëse zhvlerësimi i një monedhe shpesh çon në zhvlerësimin e një monedhe tjetër, Brazili u bë viktimë e masave të Fed-it. Brenda dy viteve reali brazilian është shtrenjtuar me pothuajse gjysmën. Për këtë arsye ministri i Financave foli për një luftë monetare. Nga politika monetare e Bank of Japan vuan në radhë të parë Korea e Jugut. Të dy vendet aziatike shesin televizorë, celularë dhe makina në mbarë botën. Meqenëse vlera e vonit korean ndaj yenit është rritur që prej një viti me thuajse një të tretën, dëgjohen shumë ankesa ndër eksportuesit koreanojugorë.

Kina, ekonomia e dytë e rëndësishme e botës, është në këtë luftë monetare keqbërëse dhe viktimë. Për vite me radhë People's Bank of China ka blerë në mënyrë masive obligacione qeveritare amerikane, për të penguar vlerësimin e yuan-it. Eksporti u gjallërua. Vendi po sheh se si janë duke iu shkrirë rezervat e dollarit, sepse Fed-i po i përmbyt gjithnjë e më shumë tregjet me kartmonedha dollari. Gjithashtu edhe rritja e vlerës së yuan-it dhe rënia e konsumit në vendet e industrializuara i krijojnë probleme eksportuesve.

Garë e printimit të parave

Ndërsa dollari dobësohet dhe yuani ngadalë vlerësohet, kursi i monedhës së përbashkët evropiane ngjitet. Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka ulur normën bazë të interesit në një nivel historikisht të ulët, ka mbledhur obligacionet shtetërore të vendeve në krizë,i ka hapur digat për paratë. Megjithatë euro nuk bie. Marco Wagner, analist në Commerzbank, ka këtë shpjegime "Te bankat qëndrore duhet parë, se ç' raporte kanë me njëra-tjetrën. Sa para shtyp BQE dhe sa para shtyp Fed."

Marco Wagner Analyst Commerzbank AG
Marco WagnerFotografi: Commerzbank AG

Me fjalë të tjera: Fed ka një kurs shumë më agresiv se BQE. Që kur presidenti i BQE Mario Draghi ka dhënë një garanci për ekzistencën e euros, po kthehet besimi tek euro. Për më tepër BQE likuiditetin e lëshuar për luftimin e krizës do ta tërheqë sërish, për të mos lejuar që të krijohet inflacion.

Për këtë ajo ka marrë lëvdata nga kancelarja në Davos: "Nëse të gjithë e bëjnë punën aq mirë si Banka Qendrore Evropiane, atëherë s'do të kemi në botë më aq shumë probleme."

Vendet jugore duhet të durojnë një euro të fortë

Por tani për tani euroja e fuqishme mbetet një problem për vendet e Evropës jugore. Ai i bën prodhimet e tyre më të shtrenjta dhe vështirëson rritjen e eksportit, për të cilin shtetet me borxhe dhe recesion kanë nevojë urgjente. Për Marco Wagner nga Commerzbank problemi i vendeve të krizës në zonën e euros nuk është aq shumë kursi i këmbimit: "Sipas mendimit tonë, për këto vende është e domosdoshme, që ata të bëjnë zhvlerësimin brenda. Konkretisht kjo do të thotë se këto vende duhet të kryejnë reforma strukturore", thotë Wagner për DW.

Reformat e dhimbshme tashmë janë nisur. Mbetet për t'u parë, nëse BQE me mbështetjen e saj në fund të fundit do t'ua marrë vendeve zellin reformues. Në periudhë afatgjatë mund të dëshmonet se rruga evropiane ka qenë rruga e drejtë, ndërsa përpjekja japoneze mund të përfundojë në një dizastër. Fundja borxhi kombëtar atje ka kaluar ashmë pragun e 230% të prodhimit ekonomik. Nëse Tokio tani do të përpiqet të marrë më shumë borxhe për ta nxjerrë ekonominë nga letargjia, atëherë spiralja e borxhit do të shkonte lart, thotë Marco Wagner. Kjo do të bënte "që borxhi të vazhdojë të rritet dhe dikur investitorët privatë t'u kthejnë shpinën obligacioneve shtetërore japoneze."

Ai pret, që pika kritike të arrihet në këtë dekadë. Që manipulimi me monedhën nuk ndryshon shumëçka, e bën të qartë edhe shembulli i SHBA-së. Rimëkëmbja ekonomike po bëhet shumë ngadalë. Shkalla e papunësisë ka mbetur në një nivel të lartë, tetë për qind. Achim Wambach nga Universiteti i Këlnit bën thirrje për një koordinimin global: "Përndryshe kemi vetëm zgjidhje të pjesshme dhe rezultati, ne ndodheni në një garë, të cilën askush nuk mund ta fitojë në fund."

Gara mund të ketë edhe (shumë) humbës. Nga njëra anë një politikë e vazhdueshme ekspansioniste monetare përgatit terrenin për krizën e ardhshme financiare. Nga ana tjetër gjithnjë e më shumë vende reagojnë me proteksionizëm. Brazili ka futur tashmë subvencione tatimore për kompanitë e veta dhe ka futur tarifa të larta për disa mallra importi. Koreja e Jugut ka njoftuar gjëra të ngjashme. Në fund pas kësaj lufte monetare mund të vijë një luftë tregtare.