1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta e përjetshme kundër evazionit fiskal në Greqi

Jannis Papadimitriou/ Eliana Xhani25 Tetor 2012

Verën e kaluar borxhet fiskale arritën 45 miliardë euro. Borxhlinjtë më të mëdhenj fiskalë detyrohen një shumë prej gjithsej 13 miliardë eurosh. Deri tani shteti grek ka arritur të mbledhë vetëm 19 milionë euro.

https://p.dw.com/p/16W5W
Deri tani shteti grek ka arritur të mbledhë vetëm 19 milionë euroFotografi: picture-alliance/dpa

Vitet e kaluara janë bërë disa arritje në Greqi: administrata fiskale është pajisur me mjete digjitale, në periudhën nga 2010 deri 2012 janë vendosur gjoba fiskale prej më shumë se 12 miliardë eurosh. Dhjetëra personazhe të njohur e madje një ish-ministër u arrestuan për shkak të borxheve fiskale apo nën akuzat për korrupsion dhe u dërguan në burg - të gjithë këto të papërfytyrueshme deri para pak vjetësh.

Por aktualisht edhe përndjekja fiskale duhet të luftojë kundër rrethit vicioz të borxheve dhe recesionit, mendon eksperti i fiskut dhe këshilltar i Shoqatës greke të Tregtisë, Antonis Mouzakis: Meqenëse Greqia gjendet në recesion të thellë prej pesë vitesh, edhe të ardhurat fiskale janë shumë më të ulëta. "Që prej vitit 2008 pjesa më e madhe e firmave kanë pasur rënie të xhiros apo janë madje në minus. Edhe vetëm prej këtij fakti ato nuk janë më në gjendje të shlyejnë borxhet e mbledhura fiskale“, mendon Mouzakis. Veç kësaj gjatë viteve të fundit është rritur barra fiskale, në radhë të parë tek firmat e vogla. "Kush gjendet para alternativës: të ushqejë familjen apo të shlyejë detyrimet fiskale, shumë rrallë vendos për këto të fundit", shpjegon ai.

Mungesë kontrollorësh për evazionin fiskal

Një vështrim në listën e mëkatarëve më të mëdhenj të fiskut duket se e konfirmon këtë: një numër i madh borxhlinjsh janë sipërmarrje dikur të suksesshme, të cilat ndërkohë kanë shpallur falimentin. Prej tyre nuk ka më se ç'të merret. Por nga ana tjetër recesioni nuk mund të jetë shpjegimi i vetëm për ndalimin e të ardhurave fiskale, pasi edhe përpara krizës kishte shumë probleme në sistemin fiskal grek.

Mouzakis mendon se shkaqet janë të shumta dhe shkojnë nga mangësitë organizative, tek strukturat e vjetëruara e deri tek lënia bosh e pozicioneve të rëndësishme në administratë.

"Qëkurse spekulohet për shkurtim të pensioneve në kuadër të një reforme të ardhshme pensionesh, gjithnjë e më shumë specialistë të financave dalin para kohe në pension për të mos rrezikuar pretendimet e tyre për pensionin", thotë Mouzakis.

Ata nuk zëvendësohen të gjithë, dhe të ardhurit janë të rinj të cilët nuk kanë përvojën e nevojshme. Duhen shqyrtuar më shumë se 100.000 transferta të dyshimta jashtë vendit, krahas procedurave të panumërta fiskale dhe penale, por për këtë në të gjithë vendin janë vetëm 1000 kontrollorë.

Listat e turpit

Aktualisht qarkullojnë shumë lista me emra dhe numra llogarish bankare të evazorëve të dyshimtë fiskalë, të ashtuquajtura "lista të turpit". Kështu për shembull është një listë me pronarë llogarish bankare në Zvicër, që ish ministri grek i Financave Giorgos Papakonstantinou e mori nga shefja e sotme e FMN-së Christine Lagarde, asokohe ministre franceze e Financave.

Një tjetër listë radhit më shumë se 30 politikanë, të cilët dyshohen për pasurim të dyshimtë. Në lista gjenden edhe të dhëna bankare grekësh të pasur, të cilët për shkak të krizës miliardët e tyre i kanë investuar në pasuri të patundshme në Londër.

Ende e paqartë është se sa të vërteta janë këto dyshime. Por do të ishte e rëndësishme të sqaroheshin të gjitha pikat e dyshimta, në mënyrë që qytetarët grekë të binden se shteti e ka seriozisht me luftimin e evazionit fiskal, kërkon specialisti i tatimeve Antonis Mouzakis. Nuk duhet harruar se një sistem funksional fiskal është edhe çështje perceptimi:"Në vendin tonë janë të shumtë ata që thonë: përse duhet të paguaj unë për shtetin? Por shteti jemi ne vetë", thotë me indinjatë Mouzakis.

Shërbimet shtetërore mund të kryhen vetëm nëse qytetarët paguajnë tatimet. Ndryshe shumë njerëz do ta shohin veten në një rreth vicioz, tërheq vëmendjen eskperti i tatimeve dhe jep shembuj: "Për një trajtim në një spital shtetëror shpesh duhet të paguash para nën dorë. Nëse fëmijët synojnë një titull të mirë akademik, duhet të paguash mësim privat shtesë. Kështu vazhdon derisa dikur qytetari pyet: përse duhet t'i paguaj tatimet?“