1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta dhe morali

18 Janar 2012

Videot e marinsave amerikanë, që përdhosin kufomat në Afganistan, janë shokuese. Megjithatë pamje të tilla nuk janë të reja. Çfarë i bën ushtarët të kapërcejnë parimet e tyre morale?

https://p.dw.com/p/13l6B
Fotografi: AP

"Have a nice day, plako", thotë njëri prej ushtarëve në videoklipin e publikuar së fundi, që tregon një grup të vogël marinsash amerikanë duke urinuar mbi trupat e afganëve të vrarë. "Ky është si "dush i artë", thotë një ushtar tjetër. Viedoja prej 39 sekondash tregon ushtarë të elitës, duke përdhosur kufomat. Xhirimin e kanë bërë vetë.

Por çfarë ndodh në mendjet e këtyre ushtarëve? Përse tek disa është shuar çdo përfytyrim për moralin? Socialpsikologu Phil C. Langer ka qenë vetë para gati dy vjetësh në Afganistan dhe ka zhvilluar atje për një studim intervista me ushtarë të ushtrisë gjermane lidhur me këndvështrimin e tyre për misionin, që kryejnë. "Unë porosis, kujdes nga një model shumë i thjeshtuar shpjegimi." Sipas mendimit të tij nuk duhet thënë aq shpejt që dorasit kanë vepruar kështu për shkak të një çrregullimi patologjik. "Por edhe normalizimi i dhunës në luftë do të ishte një shpjegim i thjeshtuar. Të thuash se në luftë dhuna është normale, këtë do ta quaja mjet qetësues të civilizimit." Për 36 vjeçarin problemi qëndron më thellë.

Nga heqja dorë nga dhuna tek eksceset e dhunës

"Ne jetojmë në një shoqëri, ku e rëndësishme është heqja dorë nga dhuna, ku vrasja është një tabu absolute dhe këtë ne e kemi bërë tonën. Por duhet të kesh parasysh se çfarë do të thotë kjo për ushtarët, të cilët janë në luftë dhe vijnë nga një shoqëri demokratike, moderne perëndimore. Ato ndodhen papritur në një situatë lufte, ku ushtrimi real i dhunës është një kërkesë pozitive. Ky është një ndryshim i madh nga normat civilizese të mohimit të dhunës në një normë ushtarake të gatishmërisë për dhunë. Dhe nga ana psikologjike kjo është si të thuash një lidhje e shkurtër.

Abu Ghraib: Pamje si kjo shokuan botën në vitin 2003.
Abu Ghraib: Pamje si kjo shokuan botën në vitin 2003.Fotografi: AP

Ushtarët ndodhën në dilemë, ndërmjet dy kërkesave kontradiktore. Me këtë situatë ata duhet të përballen.

Kjo nuk justifikon as veprat e tmerrshme dhe as urinimin e të vdekurve, as pozimin e ushtarëve gjermanë të ISAF-it me kafka të vdekurish, apo skenat e torturave në kampin e të burgosurve Abu Ghraib. Por ekscesi mund të shihet si një lloj veprimi kompensues.

Të drejtat e njeriut në format xhepi

Të drejtat e njeriut dhe e drejta humanitare ndërkombëtare duhet ta pengonin në fakt këtë. Por çfarë vlere u mbetet atyre, në qoftë se ushtarët nuk i zbatojnë ato? Socialpsikologu Langer është i mendimit se ky është shkaku, përse duhen integruar më fort vlerat morale në përgatitjen e ushtarëve. Standarti i vlerave duhet përshtatur në realitetin e luftës. "Momentalisht në ushtrinë gjermane ushtarët duket sikur janë pajisur me një kartë xhepi. Një kartë, në të cilën janë shkruar në mënyrë racionale gjërat, që duhen bërë dhe që nuk duhen bërë."

Por Langer nuk beson se ushtarët nuk e kanë ditur se janë duke bërë diçka të gabuar. "Pikërisht inskenimi i fotografive si diçka e veçantë dëshmon nivelin e pavetëdijshëm socialpsikologjik, sepse në lojë është ndjenja e të bërit diçka të paligjshme."

"Armiku" nuk është njeri

Një eksces dhune, për të cilin Phil C. Langer bën fajtor edhe propagandën kundër armikut. Kundështari nuk është vetëm kundërshtar, por ai kriminalizohet, poshtërorhet, nuk perceptohet më si njëri. "Paraqitja e talibanëve si çnjerëzorë bën që ushtarët e tyre të kapërcejnë disa konvencione të caktuara", mendon Langer.

Ushtarë amerikanë në Afganistan
Ushtarë amerikanë në AfganistanFotografi: dapd

Sabine Mannitz, punonjëse në fondacionin e studimeve të paqes dhe konflikteve në Hessen, shkruan që në vitin 2005 në konceptin për të drejtat e njeriut në luftëra. "Ndoshta publiku amerikan do të kishte reaguar me pak indiferentizëm, sikur në torturat e të burgosurve dhe në shkeljet e të drejtave të njeriut të të burgosurve në Guantánamo do të bëhej fjalë për incidente në vendin e tyre, ku viktima të mos ishin afganët, apo irakianët, por qytetarët amerikanë."

Lufta perfekte

Një luftë pa armik, një luftë me parime morale, që plotëson kriteret etike është zor të përfytyrohet – ndoshta është fare e pamundur. Por megjithatë kjo kërkohet, shkruan Sabine Mannitz: "E drejta ndërkombëtare humanitare edhe në vetë situatat ekstreme të një veprimi të dhunshëm kërkon frymën e fundit të vetëkontrollit civilizues."

Të drejtat e njeriut dhe dhuna, stërvitja e dhunshme ushtarake dhe vetëkontrolli, reflektimi dhe funksionimi. Këto kontradikta nuk do të zgjidhen aq shpejt, në qoftë se do të zgjidhen ndonjë çikë.

Autor: Laura Döing/Angjelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama