1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lokalet në Shqipëri përfundojnë të qeta

Ani Ruci'
30 Qershor 2019

Qytetarët për DW- Zgjedhim më të mirin nga ata që konkurrojnë, vota e drejta jonë. KQZ: Pjesëmarrja 21.9%

https://p.dw.com/p/3LMgq
Albanien Kommunalwahlen
Fotografi: DW/Ani Ruci

(Artikull i përditësuar)

Në situatën e pazakontë të bojkotit nga opozita jashtë parlamentare, e drejtuar nga Partia Demokratike (PD), më e madhja në opozitë në Shqipëri, Zgjedhjet Lokale 2019 ( 30.06.) u karakterizuan nga qetësia dhe rregulli. Sipas të dhënave paraprake të Komitetit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në votime kanë shkuar gjithsej 771863 votues, pra, 21,9% e elektoratit. Në një deklaratë për media, KQZ bëri të ditur, se "procesi i votimit ka vijuar normalisht në të gjithë vendin, duke përjashtuar 7 qendrat e votimit të Komisionit të Zonave të Administrimit Zgjedhor nr. 2, Shkodër ku nuk u zhvillua votim".

Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë për DW se incidentet nuk janë mbizotëruese. Pati disa protesta sporadike në Tiranë nga mbështetës të opozitës para qendrave të votimit në mjediset e disa shkollave të mesme të kryeqytetit. U raportua për thyerje xhamash në një qendër votimi në Skrapar dhe grisje demonstrative të fletës së votimit në një qendër votimi në Kamëz. Disa protestues zgjodhën të talleshin duke dalë nëpër rrugë me muzikë dhe slogane, siç bëhej në votimet moniste të regjimit komunist.

Në këtë atmosferë të qetë, por të ngarkuar me potencial trazirash, Misioni i Vëzhguesve Ndërkombëtarë të OSBE/ ODIHR-it ka shmangur përplasjen me protestat e opozitës. Në një njoftim zyrtar; Misioni bën me dije se kryesuesja e tij, Ambasadorja Audrey Glover, anuloi vëzhgimin e saj në qendrën e votimit të ngritur në shkollën Vasil Shanto, në Tiranë. ”Situata ishte e pafavorshme për vëzhgim, për shkak të protestave të opozitës joparlamentarë nga militantë të PD”, - thekson njoftimi.

Qytetarët për DW: Zgjedhim më të mirin ndër ata që konkurrojnë

Në ndërtesën e kopshtit publik të fëmijëve, “Nënë Tereza në Tiranë”, në qendrën e votimit 17152, në Njësinë Bashkiake nr.2, disa qytetarë kishin shkuar qysh në orën 7:00 të mëngjesit për të votuar. Bashkim Toska, banor prej 50 vitesh në këtë njësi, tha për DW se bojkoti i opozitës nuk prek të drejtën e tij për të votuar. 
“Do të votoj për atë që mendoj mes dy kandidatëve që janë në garë për të qenë kryetar Bashkie në Tiranë, për atë që unë mendoj se është më i miri. E kam të drejtën e zgjedhjes, të votës, duhet ta ushtroj. Nuk më prish punë që opozita i ka bojkotuar këto zgjedhje. Kjo është puna e saj, Po të më pyesësh mua, bëri gabim kur dogji mandatet parlamentare. Ato ia kishte dhënë populli për ta përfaqësuar, jo për t’i djegur” tha Bashkim Toska për DW.

Albanien Kommunalwahlen
Fotografi: DW/Ani Ruci

Madara Vargo, një tjetër votuese në këtë qendër votimi, tha se nuk i intereson se cila parti është në pushtet dhe cila jo.     
"Pres që votimet të mbyllen pa dhunë, pa tensione, që populli të votojë për atë që mendon se e bën punën më mirë. Secili prej nesh ka pëlqimet dhe bindjet e veta politike. Duhet të votojë për bindjen e vet, jo të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe të rrijë indiferent. Shpresoj t’i jepet fund rrëmujës, kaosit, trazirave,  Dhuna nuk është e mirë për askënd. Pse nuk merren vesh politikanët me njëri tjetrin? Për interes të tyre jo për tonat. Nuk jam dakord me ata që i quajnë këto zgjedhje njëpartiake. Çdo njeri ka të drejtën e vet: të votojë ose të mos votojë. Por ama nuk ka fare, fare të drejtë të nxisë dhunën dhe bojkotin,” thotë për DW  Madara Vargo.

Albanien Kommunalwahlen
Fotografi: DW/Ani Ruci

PD kundërshton shifrat e KQZ lidhur me pjesëmarrjen 

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha, bëri me dije që pjesëmarrja në votime, në nivel kombëtar, deri në orën 15.00 të pasditës ka qenë 15,5 % e numrit të zgjedhësve, sipas listës përfundimtare të publikuar nga Ministria e Brendshme, prej 3,5 milion zgjedhësish. PD e kundërshtoi këtë shifër dhe dha shifrën prej 12%. Në një deklaratë për media, Sekretari i PD-së për Çështjet Zgjedhore, Ivo Kaso, fliste për “falsifikim të pjesëmarrjes në votimet njëpartiake, të paligjshme”. Por, ndryshe nga zgjedhjet parlamentare, në zgjedhjet lokale njohja ose mosnjohja e zgjedhjeve nuk varet nga niveli i pjesëmarrjes. 

Opozita jashtëparlamentare, e kryesuar nga PD, konsideron 13 tetorin 2019, si datë  të ligjshme për zgjedhjet vendore 2019. Këtë e dekretoi tre ditësh Presidenti Ilir Meta, por KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor e shpallën dekretin të pavlefshëm. Por edhe pse e njeh këtë datë si të ligjshme, koalicioni opozitar ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në Lokalet 2019, pa u larguar më pare kryeministri Rama dhe pa u rrëzuar qeveria e tij. Ky kusht ka qenë motoja e protestave anti-qeveritare që nga shkurti i kaluar dhe deri para një jave.