1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lituania: faktikisht e kemi që tani euron

Marco Mueller12 Mars 2013

Lituania planifikon që me 2015 të bëhet edhe zyrtarisht pjesë e eurozonës. Lidhur me këtë flet në një intervistë për DW, presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite.

https://p.dw.com/p/17vgO
Fotografi: Delfi

Deutsche Welle: Janë bërë gati 10 vjet që Lituania është anëtare e Bashkimit Evropian. Ju synoni tani që më 2015 të futet në përdorim edhe euron, ndonëse kriza ekonomike ende nuk është tejkaluar. Pse?

Dalia Grybauskaite: Shikoni, kriza ekonomike nuk do të thotë edhe krizë e euros. Edhe vendet që nuk e kanë futur euron po përballen me krizën ekonomike. Në anën tjetër, disa vende që kanë futur në përdorim euron, nuk kanë kurfarë vështirësish. Situata qëndron kështu: të gjitha nëntë vendet që e kanë nënshkruar marrëveshjen duan që sa më parë të bëhen pjesë e eurozonës. Pra ky është një obligim. Lituania e ka futur de facto euron në përdorim, sepse kursi i monedhës sonë është i lidhur me euron. Politika jonë monetare është e lidhur pra me Bankën Qendrore Evropiane dhe ne nuk kemi kurfarë instrumentesh monetare të veçanta. Ka pra shumë shkaqe pse duhet që sa më parë të bëhemi pjesë e eurozonës.

Deutsche Welle: Kriza po vazhdon. Disa shtete duhet të ndihmojnë shtetet e tjera financiarisht tërë kohën. Nuk keni frikë se sistemi financiar me euron mund të dështojë?

Dalia Grybauskaite: Nuk bëhef fjalë këtu për vetë euron. Fjala është për politikën ekonomike dhe financiare, përpërgjegjësinë politike të vendeve anëtare - e cila nuk ekziston gjithmonë. Nuk mund të bëjmë euron përgjegjëse, nëse vetë vendet nuk janë në gjendje që të bëjnë një politikë të përgjegjshme.

Deutsche Welle: Në vitin 2009 ju keni marrë përgjegjësinë për gjendjen në Lituani dhe keni përcaktuar masa të rrepta kursimesh. Keni kërkuar ndihma edhe tek Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Pse keni ndjekur këtë rrugë?

Dalia Grybauskaite: Mendoj se Lituania ia ka dalë pa ndonjë diktat nga jashtë të zgjidhë problemet e veta. Pra nëse ekziston vullneti politik, nuk ka nevojë për ndihma nga jashtë. Këtu bëhet fjalë për drejtimin e vendit dhe marrjen e përgjegësive. Kjo mangësi është problemi më i madh i vendeve jugore të BE-së.

Deutsche Welle: Shteti fqinj Letonia ka ndjekur një rrugë tjetër dhe ka kërkuar ndihma. Sot është një prej vendeve me rritjen më të madhe ekonomike në Evropë. Mendoni se vendimi i saj ishte i drejtë?

Presidentja Dalia Grybauskaite i thotë DW se kriza nuk shkaktohet nga euro
Presidentja Dalia Grybauskaite i thotë DW se kriza nuk shkaktohet nga euroFotografi: Delfi

Dalia Grybauskaite: Si ekonomiste më duhet të them se sa më i madh është një vend edhe rritja është më e madhe, por e gjitha varet mbi çfarë bazash bëhet matja. Por si politikan duhet të marrësh vendime dhe përgjegjësi. Me FMN kam pasur të bëj pas krizës në Rusi në vitin 1999. Përvoja ime më ndihmon tani. Mendoj se asnjë plan i FMN-së apo BE-së nuk mund të funksionojë nëse vendi nuk është nën kontroll.

Deutsche Welle: Ju e përmendët Evropën Jugore: Spanja, Greqia dhe disa vende të tjera po përballen me një krizë të thellë. Pse?

Dalia Grybauskaite: As këto vende nuk kanë bërë më shumë shkurtime se sa ne. Ne kemi shkurtuar të dhënat e shtetit me 12 %, sepse nuk kemi pasur ndonjë zgjidhje tjetër. Qeveria jonë ka marrë vendime të shpejta, por edhe populli duhet bindur se këto vendime janë të drejta. Edhe rrogat e nëpunësve të shtetit janë shkurtuar. Rroga ime për shembull është shkurtuar me 30 %, ndërkohë që janë zvogëluar edhe rrogat e të tjerëve në qeveri. Nëse njerëzve u thua se duhet të jenë të duruar dhe duhet të vuajnë, atëherë duhet të vuash edhe ti me ta dhe duhet të shërbesh si shembull. Rrogat tani po rriten ngadalë dhe kjo rritë edhe mirëbesimin mes politikanëve dhe qytetarëve.

Deutsche Welle: Si e shihni ju ardhmërinë e vendit pas krizës?

Dalia Grybauskaite: Mendoj se çdo vit do të jetë më i mirë. Ne i kemi mbijetuar 50 vjet sundim , pra do të mbijetojmë edhe këtë krizë - po bëj pak shaka. Natyrisht që disa gjëra duhet të ndryshojnë dhe varet se kush është në pushtet. Populizmi në vend po rritet, mbase si pasojë e krizës ekonomike. Partitë politike po humbin mbështetjen, sepse nuk janë të gatshme të bëjnë ndryshime. Kjo ka frustruar njerëzit por këto gjëra po ndodhin në mbarë Bashkimin Evropian.

Dalia Grybauskaite është presidente e Lituanisë që nga viti 2009. Më parë ajo ka qenë pesë vite komisionere e BE-së për buxhet dhe planifikime financiare. Në popullatën e Lituanisë ajo vlerësohet si një "zonjë e hekurt". Ajo është nderuar edhe me çmimin e Karlit të Madh në Ahen, si personi i vitit me meritat më të mëdha për integrimet evropiane.

Autor: Monika Griebeler/Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi