1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Aborti i kufizuar në Maqedoni

Fatos Musliu14 Qershor 2013

Nëse një grua shtatëzënë dëshiron ta ndërpresë shtatëzaninë dy herë radhazi brenda një viti, ajo duhet ti nënshtrohet ligjit të sapomiratuar. Sipas OJQ, edhe aborti po politizohet në Maqedoni.

https://p.dw.com/p/18pEJ
Fotografi: Gent Shkullaku/AFP/Getty Images

Parlamenti i Maqedonisë me shumicë votash ka miratuar ligjin e diskutueshëm për abortin. Opozita maqedonase në shenjë proteste ka bojkotuar seancën duke e vlerësuar ligjin e ri si diskriminues ndaj gjinisë femërore. Deputeti i socialdemokratëve, Oliver Spasovski, thotë se me risitë në ligjin për ndërprerjen e shtatëzënisë, rrezikohet e drejta e gruas të cilës i mohohet e drejta themelore për ndërprerjen e shtatëzanisë.

“Ky ligj nuk është në interes të grave shtatwzëna, ky ligj është tejet i politizuar nga partia në pushtet e cila në këtë mënyrë dëshiron të rrisë natalitetin e popullsisë. Ne do t'i përdorim të gjitha mekanizmat për ta bllokuar këtë ligj në praktikë”, shprehet Oliver Spasovski, deputet i LSDM.

Aborti dhe e drejta e gruas

Më të zëshme gjatë diskutimit për miratimin e ligjit për ndërprerjen e shtatëzënisë kanë qenë deputetet . Liliana Popovska nga Partia e Përtëritjes Demokratike thotë se ligji për abort cënon direkt të drejtat themelore të gruas. Me nenin 10 të ligjit në fjalë, gruaja shtatzënë është e detyruar që së bashku me partnerin e saj të dalë para komisionit për të fituar të drejtën e abortit. “Nëse komisioni vendos nëse një grua duhet të kryejë abort, kjo e kufizon të drejtën dhe lirinë e gruas që vetë të vendos për trupin e saj”, shprehet Popovska.

Edhe aborti i politizuar

"Miratimi i një ligji të rëndësishëm siç është aborti pa debat publik dhe pa përfshirjen e ekspertëve është në dëm të gruas shtatzënë", thotë Ermira Mehmeti Devaja nga BDI. Sipas saj, risitë në ligjin për ndërprerjen e shtatëzënisë, kanë premisa më shumë masat politike demografike se sa mbrojtja e gruas shtatzënë.

Mazedonien Parlament Skopje
Parlamenti i Maqedonisë në ShkupFotografi: AP

“Arsyet për miratimin e këtij ligji janë politike, nuk janë as humaniste, as morale e as fetare. Qëllimi i vërtetë është stimulimi i natalitetit në mënyrë artificiale duke shfrytëzuar mekanizmat e sistemit për projekte pupuliste. Formimi i komisioneve të shkallës së parë ndërhyn direkt në privatësi dhe ekspozon gruan ndaj situatave të pakëndshme dhe jodiskrete”, thotë Ermira M. Devaja.

Maqedonia më liberale në rajon për abortin!

Ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov, është i bindur se me draftin e ri të ligjit për abort, Maqedonia do të bëhet një ndër vendet më liberale përsa i takon rregullimit të kësaj problematike.

“Afati tre ditor për këshillim është më i shkurtri, pasi edhe deri më tani nuk ka pasur raste kur një grua ka kërkuar abort që në momentin kur është konstatuar shtatëzënia. Ligji i ri shkon një hap para dhe lejon ndërprerje të shtatzënisë nga arsyet personale, ekonomike dhe sociale edhe pas javës së dhjetë të shtatzënisë dhe atë më shumë se një herë në vit”, shprehet ministri Todorov.

Me amandamentet e miratuara në ligjin e ri, bashkëshorti nuk do të jetë i detyruar të jetë i pranishëm në këshillim për ndërprerjen e shtatzanisë që dukshëm shkurton procedurat burokratike. Nëse një grua shtatzënë vendos për abortin e dytë gjatë të njëjtit vit, ajo do të jetë e detyruar të kalojë procedurën e këshillimit dhe të dalë para komisionit të institucionit shëndetësor i cili ka për obligim ta kryejë. Ky koncept sipas ministrit Todorov, realizohet me sukses në Gjermani, Holandë, Francë dhe Belgjikë. Këshillimi nuk ka për qëllim t'ia ndryshojë mendjen gruas shtatzënë për abort, por qëllimi kryesor ka të bëjë me dhënien e informacioneve të sakta që nëse vendos të abortojë ta ndihmojmë ta kapërcejë periudhën pas abortit.

OJQ : Jo abort i kontrolluar

Organizatat joqeveritare, ligjin për abort do ta kontestojnë para Gjykatës Kushtetuese. Sipas tyre, ligji iu kufizon grave të drejtën e zgjedhjes dhe nxit kryerjen e aborteve jolegale në kushte jo të përshtatshme. Bojan Jovanovski nga OJQ ”Hera”, thotë se e drejta themelore e gruas është që në mënyrë të pavarur të vendosë për ndërprerjen ose jo të shtatëzanisë.

Symbolbild schwangere Frau eine Schwangere Baby Babybauch PID Schwangerschaft
Fotografi: Fotolia/luna

“ Maqedonia nuk ka nevojë të miratojë ligje të dëmshme që cënojnë të drejtat e qytetarëve. Ne do të kërkojmë nga Presidenti i shtetit të mos e nënshkruajë ligjin për ndërprerjen e shtatëzanisë. Që tani kemi grumbulluar nënshkrime për peticion për ta vlerësuar kushtetueshmërinë e ligjit para Gjykatës Kushtetuese”, thotë Jovanovski .

Aborti ilegal mund të rritet

Neda Korunovska nga Shoqata për Barazi midis gjinive, thotë se pushteti me këtë ligj tregoi arrogancë ndaj grave. Ne si shoqëri kemi rënë nga provimi sa i përket barazisë gjinore dhe me ligjin e ri vetëm se do të ndërlikohet edhe më shumë gjendja faktike e grave shtatzëna. Ai do të rrisë edhe më shumë numrin e aborteve jolegale të cilat në të kaluarën kanë rezultuar jo rallë herë edhe me vdekje.

“ Po zhvillohet politikë pupuliste, po manipulohet me ndjenjat fetare të popullatës pasi po involvohen edhe bashkësitë fetare në të drejtën e abortit. Ky ligj nuk do të thotë se do të zvogëlohen abortet, por do të stimulohet që ai të bëhet në bodrume dhe jashtë vendit”, thotë Korunovska.

Ligji i ri për abortin e kaloi filtrin e fundit - Parlamentin dhe do të hyjë në fuqi deri në fund të muajit. Por a do të zvogëlohet numri i aborteve në Maqedoni apo do të rritet aborti ilegal, këtë do ta dëshmojë koha.