Libia pa kryeministër
8 Tetor 2012
Kryeministri i Libisë është rrëzuar nga posti të dielën me një votë mosbesimi vetëm katër javë pas zgjedhjes së tij. Mustafa Abu Shagur, nuk arriti të bindë asamblenë kombëtare as me propozimin e përmirësuar për kabinetin e ri qeverisës. Kështu largohet nga posti i pari kryeministër i zgjedhur me votë të lirë, që prej rrëzimit të diktatorit Gaddafi. Kundër listës fillestare të ministrave pati qendresë të fortë nga deputetët dhe popullsia. Libianë të zemëruar madje sulmuan Asamblenë Kombëtare. Vetëm pak muaj pas kalimit të parë paqësor të pushtetit pas 40 vjetësh, po bëhen të qarta vështirësitë e mëdha për krijimin e një qeverie stabile në këtë vend afrikanoverior.
Abu Shagur deklaroi se ai është vënë nën presion nga fraksione të ndryshme për të shpërndarë poste ministrore sipas dëshirës së grupacioneve. Akademiku Abu Shagur u zgjodh nga Asambleja Kombëtare me premtimin për t'u dhënë fund problemeve të sigurisë në Libinë e pasur me naftë.
Kryeministri i ri nuk e ka të lehtë
Situata u keqësua sidomos pas sulmit kundër konsullatës amerikane në Bengazi, ku humbën jetën disa amerikanë si edhe ambasadori i SHBA-së, Christopher Stevens në Libi. Pas rrëzimit të pushtetmbajtësit, Muamar al Gadafi në vitin e kaluar, shumë grupe të armatosura refuzojnë të rrëzojnë armët dhe duan të bëjnë vetë ligjin në vend.
Asambleja Kombëtare duhet tanimë të emërojë një kryeministër të ri. Detyra e kryeministrit të ardhshëm do të jetë krijimi i një qeverie, miratimi i ligjeve të domosdoshme për vendin, si edhe pas përpilimi të kushtetutës organizimin e zgjedhjeve të ndershme parlamentare vitin e ardhshëm.