1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letërsia gjermane në prag të panairit të librit në Leipzig

Gabi Schaaf20 Janar 2007

Botime të reja nga Grass dhe Walser

https://p.dw.com/p/AsD2
80 vjetori i shkrimtarit Martin Walser bie gjatë ditëve të panairit në mars
80 vjetori i shkrimtarit Martin Walser bie gjatë ditëve të panairit në marsFotografi: PA/dpa

Letërsia bashkëkohore gjermane ka pushtuar vitin e kaluar jo vetëm tregun kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar. Kjo jo vetëm në sajë të skandaleve të autorëve të njohur si Günter Grass ose Peter Handke, por edhe në sajë të autorëve të rinj që shgkruajnë në gjermanisht si Daniel Kehlmann, Cornelia Funke, Juli Zeh, për të përmendur vetëm disa. Edhe këtë pranverë tregu i librit gjerman ruan disa botime interesante, të cilat prezantohen tradicionalisht në panairin e librit në Leipzig në fund të muajit mars. Si çdo vit edhe këtë vit do të jenë të pranishëm emra të mëdhenj, për shembull mjeshtri i madh Martin Walser, i cili do ta festojë 80 vjetorin gjatë ditëve të panairit në një veprimtari të madhe në teatrin e Leipcigut. Prej tij do të ketë edhe një roman të ri. Edhe këtë vit panairi kërkon të theksojë profilin e vet si "panair i zbulimit të letërsisë së re gjermane". Ja disa botime të reja në gjermanisht.

Letërsia bashkëkohore gjermane nuk bie poshtë aspak. Romani më i shitur në Gjermani në vitin 2006 ishte "Matja e botës" i austriakut Daniel Kehlmann. Një libër në gjermanisht me kërkesa të larta në krye të listave të bestsellërve, ky është një zhvillim i ri krahasuar me vitet e mëparshme kur ato kryesoheshin nga autorë argëtues angloamerikanë si Dan Brown dhe Joanne K. Rowling.

32 vjeçari Kehlmann është edhe vetë i befasuar:"Ky fat të vjen vetëm një herë në jetë, kur bëhet fjalë për libra. Dhe ai nuk duhet përsëritur detyrimisht. Është mrekulli në qoftë se ndodh, sepse praktikisht ai zgjon një vëmendje krejt tjetër për tërë punën e mëvonshme dhe natyrisht që krijon një bazë tjetër ekonomike, me të cilën mund të punosh."

Deri tani janë shitur gjithsej 850.000 ekzemplarë të romanit të Kehlmannit dhe janë lidhur marrëveshje përkthimi për rreth 30 gjuhë.

Për reputacionin e letërsisë në gjermanisht ka kontribuar edhe "Çmimi Gjerman i Librit" i implementuar në vitin 2005. Ai akordohet për romanin më të mirë të vitit në gjermanisht dhe ka si qëllim të bëjë më të njohur jashtë vendit letërsinë gjermane. Që ai është sprovuar si shenjë malli që nxit shitjen këtë e tregon suksesi i fitueses së fundit të çmimit Katharina Hacker. Edhe romani i saj "Të paplëngët" ishte ndër bestsellerët në 2006-ën.

Tendencat përmbajtësore janë të lidhur rrallë me një sezon të vetëm letrar. Në përgjithësi mund të thuhet se të gjitha temat që diskutohen aktualisht në Gjermani shfrytëzohen edhe si lëndë për romane: Jetët e ndryshme të të pasurve dhe të të varfërve (në librin "Ëndërrimtarët" të Peter Truschner-it në shtëpinë botuese Zsolnay), disorientimi në një shoqëri në përshpejtim (Ora midis qenit dhe ujkut e Silke Scheuermann-it në shtëpinë botuese Schöffling), biografi në Lindje dhe në Perëndim (DJ Westradio e Sasch Lang-ut në shtëpinë botuese Aufbau) dhe ende historia gjermane.

Tema e dëbimit nga atdheu dhe e fatit të të dëbuarve trajtohet çuditërisht edhe nga autorë e autore fare të rinj. Për shembull në debutimin e Emma Braslavsky-t "Larg mendjes". Autorja e lindur më 1971 në Erfurt është vetë nga një familje të dëbuarish. Romani i saj tregon historinë e një familjeje gjermane në ish-Republikën Demokratike Gjermane të dëbuar nga Sudetet. Këtu shfaqet një konflikt brezash mes të rinjve dhe të vjetërve nostalgjikë, të cilin Braslavsky e vë në skenë me shumë ndienjë për tragji-komiken.

Edhe tema e 'ndryshimit të moshës' trajtohet në botimet e pranverës. Derisa shumë libra specialiteti merren kryesisht me pasojat e mplakjes së shoqërisë për sistemet e sigurimeve shoqërore, në romane trajtohet përjetimi i 'ndryshimit të moshës' nga individi.

Për tu shënuar është këtu edhe një debutim: 'E diel Pashkësh' e Harriet Köhler-it në shtëpinë botuese Kiepenheuer & Witsch. Në të autorja e lindur në Mynih në 1977 përshkruan në mënyrë mbresëlënëse fillimin e demencës së ish-profesorit të universitetit Heiner. Heineri rri tani vetëm ulur përpara televizorit ose fshihet pas gazetës: "Ti e bën këtë me qëllim: Kërkon që Ulla të besojë se ti po lexon faqen e opinioneve. E hap gazetën sikur do të fshehësh prapa saj një fytyrë të përqendruar apo një ballë të rrudhur. Por gjendja është shumë më serioze. Pas mburojës së faqeve të nxira me dije ti qëndron atje ulur dhe vdes."

Humbja e kujtesës nga i ati simbolizon në këtë roman edhe dramën e gjithë familjes, e cila hesht me këmbëngulje për vetëvrasjen e vajzës më të vogël duke e interpretuar atë si "aksident".

Letërsia nuk e pasqyron thjesht realitetin, por e interpreton atë me mjetet e veta. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për autorin ndërkohë me famë Georg Klein. Në tekstet e tij në dukje pranë realitetit asgjë nuk është ashtu siç ngjan në pamje të parë. Si edhe në librat e tij të mëparshëm Klein luan në romanin e tij të ri "Mëkat, mirësi, rrufe" (i botuar nga Rowohlt) me zhanret e letërsisë argëtuese. Në një përzierje romani mjekësh dhe histori demonësh këtu bëhet fjalë për përtëritje me mjete të mjekësisë, për tërheqje erotike dhe për besimin tonë në shkencë.

Përveç disa debutimeve në programin e pranverës të shtëpive botuese prezantohen edhe shumë emra të njohur: Ingo Schulze merr pjesë me remonain "Handy" të botuar nga Berlin Verlag, "Trembëdhjetë histori në mënyrën e vjetër", siç thuhet në nëntitull. Një aludim ironik për romanin e tij të suksesshëm "Simple Stories" të vitit 1998, të cilin kritika letrare e cilësoi si romanin e shumëpritur të "ndryshimeve politike."

Thomas Brussig prezanton një "Reportazh mbi gratë, seksin dhe prostitucionin", ky është paralajmërimi i shtëpisë botuese Piper. Titulli "Orgji berlineze". Wilhelm Genazino nga ana tjetër e lë heroin e tij të vuaj nga ndienja të mesme: "Mall i mesëm", ky është titulli i romanit në shtëpinë botuese Hanser.

Antje Ravic Strubel, e cila ka kaluar tani me shtëpinë botuese S. Fischer, luan në romanin e saj me temën e gjinive në romanin e saj "Shtresa më të ftohta ajri". Dhe Peter Handke varion edhe një herë me temën e udhëtimeve në romanin "Kali. Një histori paradimërore", i botuar tek Suhrkamp. Udhëtimet si rizbulim i botës, si mundësi e të parit 'me vëmendje dhe me shpengim njëkohësisht'.

Dhe së fundi 2007-a është edhe viti i 80 vjetorëve të 'shkrimtarëve të mëdhenj' Martin Walser dhe Günter Grass. Nga të dy do të ketë libra të rinj: me titullin "Augusti budalla" botohen vjersha dhe skica të Grassit, të cilat ai i ka shkruar si reagim ndaj debatit për anëtarësinë e tij në njësitë SS. Dhe nga Walser botohen në shtëpinë botuese Rowohlt me titullin "Kafsha e munduar" balada me skica të Alissa Walserit. Të dy këta janë me gjasa libra të botuar me rastin e panairit, aq më tepër që romanet e fundit - "Duke qëruar qepën" i Grassit dhe "Lulëzim frike" i Walserit vetëm pak muaj që kanë dalë.