LDK konsteston legjitimitetin e zgjedhjeve, PDK lajmëron një formim të shpejtë të qeverisë
13 Janar 2011Dy partitë që fituan më shumë vota në zgjedhjet e përgjithshme, PDK dhe LDK-së, kanë qëndrime të ndara rreth krijimit të institucioneve të reja. Zyrtarë të PDK-së, e cila nga rezultatet paraprake mori numrin më të madh të votave, thonë se ata menjëherë pas përmbylljes së procesit zgjedhor dhe rivotimit që do të ndodhë në Mitrovicë, do ta formojnë shumë shpejt qeverinë. Mirëpo zyrtarë të LDK-së thonë se zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë nuk kanë legjitimitet, për shkak së ka pasur shumë manipulime. Ata thonë se duhet krijuar një qeveri teknike, që do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja brenda këtij viti. Por zëdhënësi i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se pavarësisht vlereesimeve të ndryshme, zgjedhjet në Kosovë kanë legjitimitet dhe se partia e tij nuk e ka problem ta bëjë qeverinë.
“Do të bindeni të gjithë se do të ketë një qeveri të re për një kohë rekord. Probemi më i vogël që ka PDK është t'i plotësojë numrat në Kuvendin e Kosovës për të krijuar qeverinë e re”, thotë Memli Krasniqi.
Askush të mos mburret me zgjedhjet
Mirëpo, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se askush në Kosovë nuk duhet të mburret me zgjedhjet, sepse në to u manifestuan parregullsi të shumta.
“Nuk shoh asnjë arsye që dikush të mburret me këto zgjedhje dhe dikush të presë vetëm sa të kryhet i tërë procesi zgjedhor dhe ta bëjë një qeveri dosido”, thotë Isa Mustafa.
Zoti Mustafa thotë se LDK-së angazhohet për zgjedhje të reja.
“Ne insistojmë që të sigurohet parakushti ligjor, në mënyrë që të ndryshohet ligji i zgjedhjeve, të votohet në zona, të bëhet regjistrimi i popullsisë, të bëhen përgatitjet teknike për zgjedhjet dhe të shkohet në zgjedhje të cilat në mënyrë burimore të japin një qeveri të qëndrueshme”, thotë Isa Mustafa.
Analistët politikë nga ana e tyre thonë se zgjedhjet në Kosovë e kanë humbur kredibilitetin e tyre për shkak të manipulimeve që ndodhën dhe sipas tyre kjo u konkludua edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Analisti Ymer Mushkolaj thotë se institucionet e reja në Kosovë pas përfundimit të ciklit zgjedhor mund të formohen, por qeveria e re sipas tij e ka të vështirë të mbijetojë, sepse gjatë gjithë kohës do të përballet me akuzat e opozitës.
“Qeveria do të jetë jo stabile, do të jetë me një legjitimitet të cunguar, me legjitimitet të dyshimtë, për shkak se ndërtohet ose ka dalë nga këto zgjedhje të manipuluara dhe siç u pohua edhe nga autoritetet ndërkombëtare, nga zgjedhje me difekte shumë serioze”, thotë Ymer Mushkolaj.
Edhe partitë e tjera politike, që morën pjesë në zgjedhje thonë se legjitimiteti i zgjedhjeve është cënuar në masë të madhe për shkak të parregullsive, mirëpo, ato janë në pritje të përfundimit të ciklit zgjedhor për t'u pozicionuar nëse do t'i njohin rezultatet e këtyre zgjedhjeve apo jo. Sidoqoftë, analistët politikë thonë se formimi i institucioneve të reja në Kosovë megjithatë do të vonojë, për faktin që disa parti politike kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa disa nga ato hezitojnë të bëjnë koalicion me PDK-në, pavarësisht se kjo parti, sipas zyrtarëve të saj, është e hapur për biseda me të gjitha partitë politike.
Autor: Bekim Shehu/Prishtinë
Redaktoi: Auron Dodi