Lavrov akuzon ashpër në Shkup: "OSBE vegël e BE dhe NATO"
30 Nëntor 2023Duke iu drejtuar, siç tha ai, burokracisë së Brukselit, kreu i dplomacisë së Rusisë, Sergej Lavrov pohoi, se Evropa ka problem me faktet dhe objektivitetin dhe se konkluzionet që do të miratohen në OSBEkëto dy ditë janë të përgatitura paraprakisht, duke dashur të thotë se nuk janë rezultat i dialogut politik. Ai akuzoi OSBE-në, se hesht kur liria e medias në vendet perëndimore kërcënohet dhe u bëhet represion. Ai konkludoi se nuk ka vend për optimizëm dhe se OSBE-ja është bërë zëdhënëse e vendeve perëndimore.
"Është faji juaj që keni sjellë këtë ndasi të OSBE-së, vetë iniciatorët e kësaj ideje janë duke e vrarë OSBE-në. Ka qenë tradicionale që ne të mbanim fjalime pozitive por kjo nuk po ndodh më, sepse OSBE është bërë vegël e BE-së”, tha ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov. Ai i quajti "përpjekje të turpshme angazhimet për të pranuar Ukrainën e kryesuar nga një regjim neo-nazist, në BE, pa radhë. Ai foli edhe për sanksionet që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.
"Në një përpjekje për të shkatërruar ekonominë ruse, SHBA-ja dhe satelitët e saj evropianë kanë vendosur mijëra sanksione ndaj Rusisë, duke i dhënë fund bashkëpunimit të gjerë praktik midis Lindjes dhe Perëndimit në rajonin tonë dikur të përbashkët", u shpreh Lavrov. Sipas tij, Moldavia është viktima e radhës në luftën hibride të Perëndimit kundër Rusisë.
Fjalimi i Lavrovit u vlerësua si manipulues
Referuesi i parë pas Lavrovit, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Rasmussen konsideroi se mesazhet e Lavrovit ishin manipuluese, me mesazhin "kaq nga dialogu”, sepse, sipas tij, ministri rus u largua nga takimi menjëherë pas fjalimit që mbajti.
Osmani: Agresioni rus shkeli parimet e OSBE-së
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, vuri në dukje faktin, se OSBE-ja gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut, është përballur me pasojat e agresionit rus ndaj Ukrainës duke shkelur rregullat e kësaj organizate dhe sigurinë evropiane dhe njerëzore.
"Agresioni rus kundër Ukrainës shkeli rregullat e kësaj organizate dhe shkeli sigurinë evropiane dhe njerëzore, dialogun dhe shkatërroi jetën e njerëzve që duan të jetojnë të lirë dhe pa frikë nga lufta. Në vend të interesit kolektiv, synohen interesa kombëtare egoiste. Kjo krijoi një mjedis të vështirë operativ dhe kundër kësaj ne mbetëm të vendosur për të shërbyer si mbrojtës të vlerave të OSBE-së”, deklaroi Osmani.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O'Brien, i bëri thirrje Rusisë që t'i japë fund shkeljes së parimeve të OSBE-së.
"Unë shtoj zërin tim, me atë të kolegëve, të cilët i bëjnë thirrje Rusisë, që t'i japë fund shkeljes së parimeve bazë të kësaj organizate, por nuk jam i sigurt nëse ajo është ende e gatshme të na dëgjojë”, theksoi O'Brien.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Baerbock kërkoi që OSBE-ja t’i kundërvihet bllokadës ruse.
Në Shkup në kuadër të takimit vjetor të SOBE-së Baerbock tha, se duhet të forcohet bashkëpunimi edhe pse Rusia masivisht përpiqet ta pengojë punën e kësaj organizate. Së fundi Moska pengoi me veto, që Estonia të merrte kryesimin e radhës së OSBE-së në vitin 2024. Më tej vazhdon të mbetet e paqartë, nëse do të shtyhet mandati për pozicionet kyçe në drejtimin e kësaj organizate, ndër to edhe për Sekretaren e Përgjithshme Schmid. Edhe në këtë drejtim Rusia bëhet pengesë.
Shmid: Edhe përkundër të gjitha sfidave, OSBE-ja arrin rezultate konkrete
OSBE-ja ka instrumente kyçe për sigurinë dhe po bëhet e rëndësishme edhe për sigurinë e Euroazisë, nënvizoi Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Helga Shmid .Ne do të vazhdojnë të kërkojnë mbështetje në Ukrainë dhe për institucionet demokratike në vendet anëtare, premtoi Shmid.
"OSBE-ja është një forcë që ka mundësi për ndryshim për shumë qytetarë në rajon. Bëhet fjalë vërtetë për njerëzit. Me mbështetjen tuaj, OSBE-ja mund të japë një kontribut të veçantë për një të ardhme më të mirë”, deklaroi Shmid.
Samiti i OSBE-së në Shkupvazhdon punimet edhe gjatë së premtes (01.12.2023), kur pritet të miratohet edhe vendimi që Malta të jetë kryesuese e radhës së OSBE-së.