1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Largimet e detyrueshme nga shtëpitë në Spanjë

16 Gusht 2011

Kur Spanja ishte një vend me një bum ekonomik, bankat jepnin shpejt kredi për blerjen e patundshmërive. Sot ky vend është në krizë ekonomike. Rreth 20 % e spanjollëve janë të papunë dhe nuk mund të paguajnë kreditë.

https://p.dw.com/p/12Guk
Apartamente boshe në Spanjë.
Apartamente boshe në Spanjë.Fotografi: picture alliance/abaca

Policia u detyrua të zbrapset kur para disa javësh deshi të lironte me dhunë apartamentin e Patit. Kjo sepse Pati kishte mbledhur në apartamentin e saj një grup të rinjësh për ta mbështetur. Pasi që grupi ishte më i madh se numri i policëve, lirimi i detyrueshëm i banesës u evitua. Të paktën tani për tani.

40 vjeçarja Pati nuk pranon të prezantohet me mbiemër. Ajo është me origjinë nga Nigeria, ndërsa në Majorkë ka ardhur para 14 vitesh së bashku me bashkëshortin. Ata kanë tre fëmijë. Me një zë energjik Pati shpejgon se çfarë ka ndodhur: “Burri im e ka humbur punën para katër vitesh, ndërkohë ai nuk merr as ndihma për të papunët. Edhe unë kam mbetur pa punë. Nuk kemi mundur të pagujmë kredinë. Para tre muajve shkova në bankë dhe u thash: Tani nuk kam para, por neve na ka mbetur edhe pak për të pagur kredinë. Pyeta: Edhe sa kam borxh?. Por ata më thanë: kontoja jote është mbyllur! Rasti është tani në duart e avokatit tonë. E mora telefonin e avokatit dhe i telefonova disa herë, por nuk përgjigjej askush. Besoj se ky numër nuk ekziston fare.”

Në 70 raste evitohet largimi nga apartamentet

Protestat
ProtestatFotografi: dapd

Pati ka ardhur në zyrën e lëvizjes për protesta në Spanjë "15 maji". Ajo shpesh vjen në këtë zyrë për t'u këshilluar me njerëz të tjerë kryesisht të rinj, të cilët protestojnë kundër papunësisë së lartë dhe politikanëve të korruptuar. Lirimi me detyrim i apartamenteve është bërë një përditshmëri në Spanjë në disa muajt e fundit. Në protesta thuhet se kjo paraqet një shkelje të të drejtave elementare njerëzore. Lëvizja e protestave ka themeluar edhe një iniciativë kundër largimit të detyrueshëm nga shtëpitë dhe apartamentet. Në tërë vendin janë evituar rreth 70 largime të detyrueshme të njerëzve nga shtëpitë e tyre të blera me kredi. Por këto termine vetëm janë shtyer, si në këtë rast. Pati megjithatë nuk do të futet në konflikte. Ajo tani më ka hequr gati të gjitha gjërat nga apartamenti dhe ka gjetur një apartament tjetër me qira.

“Por atje nuk ka rrymë as ujësjellës. Është një shtëpi shumë e vjetër. Në veçanti problematike është mungesa e ujit, sepse fëmija i vogël ka vetëm tre muaj", thotë ajo.

Por Pati nuk do të ankohet tek autoritetet. Ajo pohon se do ta zgjidhë vet problemin, me ndihmën e të tjerëve. Danieli 20 vjeçar premton se do të ndihmojë në rregullimin e ujësjellësit: “Ne po shikojmë tani të gjitha shtëpitë dhe banesat e lira dhe po bëjmë meremetimet e domosdoshme, me qëllim që ato të mund të përdoren sërish. Ata të cilët tani jetojnë në kushte jonjerzore, mund të futen në to."

Angazhimi i lëvizjes spanjolle të protestave ka disa fytyra: ajo është platformë për viktimat e hipotekave dhe kredive. Ata të cilët humbin shtëpitë e tyre duhet të lirohen të paktën nga kreditë. Deri tani nuk është kështu, sepse bankat kërkojnë edhe interesin që u takon në bazë të këtyre kredive.

Qytetarët e mashtruar

Gjendje e vështirë ekonomike.
Gjendje e vështirë ekonomike.Fotografi: AP

Shumë prej atyre që kanë marrë kredi mbeten në borxhe gati tërë jetën. Kur Pati dhe burri i saj erdhën në Spanjë, shumë shpejt kishin gjetur punë: burri punonte në ndërtimtari, ndërsa ajo në gastronomi. Të ardhurat e tyre nuk ishin të mëdha, ndërkohë që nuk kishin as shumë kursime. Po pse në këto kushte kanë blerë një apartament? Pati thotë se e kanë këshilluar gabimisht: “Kur kemi shkuar në zyrën e agjentit të patundshmërive, ai na këshilloi të blejmë një apartament, me shpjegimin se çdo muaj paguajmë për qira aq sa do të duhej të paguanim për një apartament. Ne menduam se kjo është më mirë! Por ata vetëm duan të bëjnë para për vete. Zyrat e këtyre agjentëve bashkëpunojnë me bankat.”

Pati nuk është informuar mirë. Ajo nuk e ka ditur se mund të humbë apartamentin, në qoftë se nuk është në gjendje të paguaj çdo muaj. Megjithatë ajo dhe bashkëshorti i saj duan të mbeten në Spanjë, me shpresë se kriza ekonomike do të kalojë. Shumë të tjera jo vetëm që janë larguar nga apartamentet e tyre, por janë larguar edhe nga Spanja.

Autor: Stephanie Eichler / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti