1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Landet në jug të Gjermanisë kanë rezultatet më të mira në shkolla

24 Qershor 2010

Pas kritikave të shqiptuara në Gjermani ndaj studimit PISA, të vitit 2000, Gjermania futi standarde të reja arsimore. Tani në Gjermani u krye një vlerësim i ri, i brendshëm, por rezultatet nuk janë ato që shpresoheshin

https://p.dw.com/p/O2Vm
Nxënës të klasës së nëntë të gjimnazit Adolfinum në MoersFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Të mërkurën (23.06.) ministrat e arsimit nga 16 landet e Gjermanisë u takuan në Berlin për të prezantuar rezultatet e një studimi të ri, këtë herë brendagjerman, për rezultatet në shkollat gjermane. Nxënës të klasave të nënta u testuan në lëndët e gjermanishtes dhe të anglishtes. Fitimtarët e qartë ishin nxënës nga landet e Baden-Vyrtembergut dhe të Bavarisë, me Bremenin, që zuri vendin e fundit të të gjitha rezultateve.

Dallime në rezultate në mes jugut dhe veriut të Gjermanisë

Olaf Këller, nga Instituti për Zhvillimin e Cilësisë në Arsim:

Schule PISA Englisch Unterricht Schulklasse Tafel Schüler
Nxënës i klasës 9c i gjimnazit Gadebusch në Nordwestmecklenburg në orën e anglishtesFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

"Pikërisht në lëndën e gjermanishtes ne kemi dallime të mëdha midis Veriut dhe Jugut. Dallimet konsistojnë deri në një vit shkollor. Kjo do të thotë, që përparësia në rezultate në landet më të fuqishme është e barabartë afërsisht me dijet, që ne i fitojmë ndoshta në një vit shkollor."

Studimi u bë dhjetë vjet pasi Gjermania u shokua nga vendi i ulët, që zuri në klasifikimin e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), i cili krahasoi rezultatet në shkolla në vende të ndryshme.

Testet i plotësuan 36 mijë studentë në 1500 shkolla të të gjitha niveleve. Studimi bazohej në standardet e reja për arsimin, që aplikohen tani në të gjithë Gjermaninë dhe u krye nga Instituti i Berlinit për Zhvillimin e Cilësisë në Arsim.

Schüler auf dem Schulhof
Nxënës të gjimnazit protestant të Kryqit në DresdenFotografi: picture-alliance/ dpa

Studimi i ri konfirmon se lidhja midis sfondit social dhe mundësive për arsim në Gjermani mbetet jashtëzakonisht e lartë. Një fëmijë nga një familje e shtresave të larta të popullsisë ka 4.5 herë më shumë mundësi të shkojë në gjimnaz, se sa një nxënës nga një familje punëtorësh - edhe nëse në teste ata dalin në rezultate të barabarta në inteligjencë dhe në aftësinë për të mësuar. Një fëmijë në landin e Bavarisë ka shanse më të larta për të shkuar në gjimnaz, se sa një fëmijë punëtor:

"Sfidë e madhe mbetet harmonizimi me njëra-tjetrën i aftësisë për rezultate dhe shanseve të barabarta me drejtësinë sociale. Unë mendoj dhe këtë e tregoi edhe studimi, këtu landet kanë nevojë për të vepruar", thotë Doris Ahn nga instituti berlinez.

Hendek social në arsim në landet Baden - Vyrtemberg dhe Bavari

Pikërisht hendeku social në arsim ishte fusha, ku dy landet, që arritën rezultatet më të larta në përgjithësi, Baden - Vyrtembergu dhe Bavaria, kishin rezultatet më të dobëta. Nxënës nga familje të shtresave të larta në të dyja landet kishin shanse 6.6 dhe 6.5 herë më të larta për të shkuar në gjimnaz, se sa nxënës nga familje punëtore. Ky hendek është më i ulëti në Berlin, 1,7.

Symbolbild Lehrermangel Unterricht Schulen Deutschland
Orë mësimi në shkollën vëllezërit Grimm në HannoverFotografi: dpa

Një faktor tjetër i rëndësishëm në arritjet e studentëve ishte sfondi nacional.


Afërsisht 18% e të gjithë nxënësve të klasave të nënta janë nga familje me origjinë emigrantësh. Veçanërisht në disa lande si Berlini, Hamburgu dhe Bremeni, grupi më i madh i emigrantëve paraqitet më dobët:

"Veçanërisht po të shohim nxënëse dhe nxënës, që kanë ardhur si emigrantë nga Turqia, ose prindërit e tyre, atëherë konstatojmë në të gjitha landet nevojë të madhe për mbështetje. Këtu ende nuk arrihet që të jepet ndihma e duhur në arsimin parashkollor dhe as jashtë shkollës."

Autor: Andrew Bowen/Bettina Stehkämper/Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica