1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lamtumirë mrekulli ekonomike

Tagesspiegel / Angelina Verbica26 Gusht 2013

Turqia e ka lënë pas dekadën më të suksesshme që prej themelimit të saj. Tani kapitali po largohet, duke lënë pas probleme të mëdha.

https://p.dw.com/p/19WAC
Fotografi: picture-alliance/dpa

Java e kaluar u mbyll me një të premte të zezë në tregjet e kapitalit të Turqisë. Për herë të parë që prej reformës monetare turke të 1 janarit 2005, kur nga një milion lira të vjetra u bë një lira e re, të premten kursi i monedhës së vendit ra nën një nivel të rëndësishëm psikologjik ndaj dollarit amerikan. Të premten pasdite turqit paguan 2,02 lira për një dollar. Para pesë vjetësh kursi ishte 1,30 lira. Në bursë indeksi referencë i aksioneve në fund të majit ka qenë afro 93 000 pikë, të premten ai ra në 68 000.

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: AP

Tani mrekullia ekonomike po merr fund, ose po bën së paku një pushim. Vitin e fundit performanca ekonomike u rrit vetëm me 2,2 përqind. Për një vend në industrializim si Turqia kjo i ngjan një recesioni. Objektivin e rritjes prej 4 % për këtë vit Turqia nuk do ta arrijë: "Nuk do të ishte çudi, nëse i korrigjojmë shifrat, duke i zbritur", deklaroi zëvendëskryeminisitri përgjegjës për çështjet ekonomike, Ali Babacan.

Turqia nuk është e vetme me problemet e saj

Që kur Banka Qendrore Amerikane në maj sinjalizoi largimin nga politika e dobët monetare, shumica e vendeve në industrializim vuajnë nga humbjet masive të kapitalit. Perspektiva e rritjes së normave amerikane të interesit e kthen paranë nga tregjet e rrezikshme në portin e sigurtë të dollarit. Kështu që vendet në industrializim kërcënohen nga fundi i bumit ekonomik, të cilin e ushqente kapitali me risk.

Turqia varet në masë shumë të madhe nga hyrjet e kapitalit të huaj. Me paratë bankat financojnë zhvillimin ekonomik, sepse kuota e kursimeve të turqve është tradicionalisht shumë e ulët. Mqenëse vendi importon më shumë se sa eksporton, bilancet e rendimentit janë në humbje. Paratë nga jashtë deri tani kanë mundur ta balancojnë pjesërisht këtë deficit. Nëse ky kapital tani tërhiqet, atëherë ky zhvillim është dyfish alarmues për Turqinë. Bankat mund të japin kredi më pak dhe njëkohësisht zmadhohet deficiti në bilancet e rendimentit. Në maj deficiti në krahasim me një vit më parë u rrit 42%.

Në foto: Kryeministri turk Erdogan
Në foto: Kryeministri turk ErdoganFotografi: DOMINIQUE FAGET/AFP/Getty Images

Çvlerësimi i lirës ka pasoja fatale për shumë sipërmarrje turke. Në vitet e fundit ata kanë marrë kredi në dollarë, por fitojnë në lira, vlera e së cilës bie gjithnjë e më shumë. Edhe kushtet politike janë gjithnjë e më të pafavorshme për ekonominë turke. Siria dhe Egjipti, dy partnerë të rëndësishëm tregtarë, janë zhytur në kaosin e luftës civile. Shumë investitorë dhe depozitues të kapitalit janë të shqetësuar se në vjeshtë trazirat mund të ringjallen në qytete. Me polarizimin e brendshëm politik, që bën, Erdogani nga këndvështrimi i ekonomisë po kthehet ndërkohë në një rrezik.