1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet unanimitet në BE - Ministrat e jashtëm diskutojnë në Portugali për Kosovën

Vilma Filaj-Ballvora8 Shtator 2007

Ministrat e jashtëm të BE-së të mbledhur në takimin dyditor në Viana do Kastelo të Portugalisë, kanë axhendë Kosovën dhe projektmarrëveshjen e re për kushtetutën evropiane.

https://p.dw.com/p/Bdd8
Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, dhe kolegu portugez Luis AmadoFotografi: AP

Ministrat e jashtëm të BE-së në takimin dy ditor (07-08.09) në Viana do Kastelo të Portugalisë po konsultohen mbi qëndrimin e mëtejshëm në kërkim të statusit përfundimtar të Kosovës.

Sot ministrat e 27 vendeve të BE-së në qytetin portugez, Porto, po konsultohen për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët për Kosovën. Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnamjer paralajmëroi sot për përçarjen në radhët e BE-së. Në rast se dështojnë bisedimet deri në 10 dhjetor, mjaft vetë shohin rrezikun e "thyerjes së qëndrimit të përbashkët evropian në politikën e jashtme", tha Shtajnamer duke kërkuar qëndrim të përbashkët të BE-së në çështjen e Kosovës.
Fillimisht ministrat e jashtëm dëgjuan raportimin e të dërguarit të BE-së për Kosovën në trojkën ndërkombëtare, diplomatit gjerman Volfgang Ishinger. Ministri i jashtëm gjerman, Shtajnmajer paralajmëroi për shpresat e mëdha ndaj trojkës ndërkombëtare. Ajo është në çerekun e punës, tha Shtajnmajer.

Ndërsa kryetari i radhës së këshillit të ministrave të BE-së, ministri i jashtëm i Portugalisë, Luis Amado theksoi: "Ne do të përpiqemi të krijojmë bazën për një pozicion të përbashkët." Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i jashtëm francez, Bernard Kushner
(Bernard Kouchner) "Ne preferojmë të jemi në unanimitet, në vend që të kemi zgjidhje personale për Kosovën. Kjo është vendimtare." Si Kushner dhe homologu i tij britanik David Miliband u shprehën kundër opcionit për ndarjen e Kosovës. Ndërsa ministrja e jashtme austriake, Urzula Plasnik (Ursula Plassnik) tha: "Njerëzit presin, që BE-ja të tregojë unitet dhe vendosmëri. Dhe ne do ta bëjmë këtë." Edhe për kryediplomatin luksemburgas Zhan Aselborn (Jean Asselborn): "BE-ja është e bashkuar dhe e tillë do të qëndrojë deri më 10 dhjetor."

Shtete të tjera të BE-së si Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qiproja, vende këto që kanë minoritete të fuqishme, gjatë muajve të fundit janë shprehur me rezerva ndaj planit për pavarësinë të propozuar prej të ngarkuarit të OKB-së, Marti Ahtisari (Ahtissari).

EU-Ratspräsidentschaft Logo PORTUGAL 2007 EU Presidency logo, graphic element on white
Logo e presidencës portugeze të BE-sëFotografi: AP

Ishinger së bashku me kolegët e tij amerikanë dhe rusë ka afat deri më 10 dhjetor të gjejë një kompromis të pranueshëm për palën serbe në Beograd dhe qeverinë kosovare në Prishtinë mbi statusin e ardhshëm të Kosovës.