1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkesa me ngulm për masa radikale në Slloveni

20 Prill 2012

Në Slloveni të punësuarit në sektorin publik kanë protestuar me një grevë në mbarë vendin kundër politikës së kursimeve të qeverisë. BE dhe FMN kërkojnë me ngulm masa radikale nga Sllovenia.

https://p.dw.com/p/14iKJ
Fotografi: Reuters

Fillimisht lidhur me këtë në Neue Zürcher Zeitung lexojmë:

"Që nga fundi i janarit kryeministri i rizgjedhur slloven, Janes Jansha po konfrontohet me testin e parë të vështirë. Një grevë e përgjithshme ka paralizuar të mërkurën jetën publike në Slloveni. Shkak për grevën njëditore në sektorin publik është një program i kursimeve, përmes të cilit koalicioni qeverisës i qendrës së djathtë i kryesuar nga Jansha dëshiron të konsolidojë buxhetin shtetëror në Slloveni. Nga 160 mijë të punësuarit në sektorin publik vlerësohet që në grevë të kenë marrë pjesë rreth 80 mijë vetë.

Në këtë mënyrë kjo është greva më e madhe e nënpunësve në Slloveni që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1991. Shkollat, çerdhet e fëmijëve dhe institucionet e tjera publike qëndruan të mbyllura, policët dhe doganierët u kufizuan vetëm me zbatimin e rregullave strikte të shërbimit, ndërsa nëpër spitale personeli ofronte ndihmë vetëm në rastet emergjente....

Grevistët janë të inatosur posaçërisht me shkurtimet e planifikuara të pagave prej 10 për qind në sektorin publik. Duke marrë parasysh kursimet që planifikohen të bëhen në fushën e arsimit dhe shkurtimet e ndihmave të atyre që janë të papunë dhe paratë për fëmijët atëherë pakoja e kursimeve për të cilën parlamenti slloven pritet të votojë në fillim të majit konsiderohet nga grevistët si një sulm ndaj shtetit social... Edhe pse masat e kursimeve mund të jenë vendimtare prapëseprapë pa shkurtime të thella Sllovenia nuk do të arrijë të fusë nën kontroll financat e saj. Që prej shpërthimit të krizës financiare deficiti i buxhetit shtetëror sillet mbi pesë për qind  të prodhimit vendor bruto ndërkohë që është dyfishuar borxhi shtetëror"., lexojmë në Neue Zürcher Zeitung.

Ndërkaq nga Süddeutsche Zeitung po për të njëjtën temë shkëpusim:

"Qeveria sllovene ka vendosur javën e kaluar për kursime prej më shumë se një miliardë euro për të ulur deficitin shtetëror nga 6,4 për qind në nën tre për qind... Edhe Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë kërkuar nga Sllovenia që të fillojë me kursime drastike. Prandaj në vendimin e saj të 12 prillit qeveria në Ljubljanë argumenton se ndryshe prej vendeve të tjera të BE-së Sllovenia deri tani nuk ka ndërmarrë reforma radikale dhe në këtë mënyrë është rrugës drejt një krize të re: "Nëse nuk veprojmë, atëherë do të rritet ngarkesa e borxheve dhe do të shtohet rreziku nga normat më të larta të interesit".

Autor: Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti

Redaktoi: Elert Ajazaj