1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

310310 Deutschland Finanzmarkt Reform

1 Prill 2010

Qeveria gjermane dha dritën e gjelbër për kontributin e detyrueshëm për bankat. Për pikat kyçe të projektligjit të miratuara nga kabineti gjerman, është rënë dakord me Francën.

https://p.dw.com/p/MjZi
Fotografi: picture alliance / dpa

Parimi është i thjeshtë dhe logjik: kush ndërmerr diçka që mund të rrezikojë të tjerët duhet të sigurohet për rastin kur punët shkojnë keq. Kështu veprojnë shoferët e makinave që paguajnë sigurimin e automjetit. Nëse ndodh një aksident shlyerjen e dëmit e merr përsipër sigurimi. Ngjashëm duhet të funksionojë edhe kontributi i detyrueshëm për bankat. Të gjitha institutet e kredisë do të paguajnë në një fond dhe nëse ndodh një krizë, shlyerjen e dëmeve duhet ta marrë përsipër fondi dhe jo taksapaguesit.

Deri këtu gjithçka në rregull. Por bankat kanë në sistemin ekonomik një tjetër rol nga ai i shoferëve të makinave. Ato janë të nevojshme për furnizimin e bizneseve me kredi. Pra politika nuk mund të gabojë me bankat dhe këtë e di edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble.

"Duhet të bëjmë kujdes që aftësia e sektorit bankar për të çuar përpara ekonominë dhe procesin e ristrukturimit ekonomik të mos rrezikohet apo dëmtohet. Për këtë arsye vendosëm për një kontribut të moderuar. Ata të cilët paraqesin rrezik të mundshëm për sistemin do të rëndohen më shumë se ata të cilët kanë më pak rreziqe. Dhe kontributi do të përcaktohet në varësi të madhësisë."

Në foto: Ministri gjerman i Financave Schäuble dhe ministrja franceze e Ekonomisë Lagarde në Berlin.
Harmonizim në nivel evropian: Gjermania dhe Franca dakord për kontributin e detyrueshëm të bankave.Fotografi: AP

Një deri 1,2 miliardë euro në vit duhet të derdhin bankat. Pjesa më e madhe rëndon mbi bankat private, pasojnë bankat e landeve. Fondi do të administrohet si pasuri e veçantë e Federatës nga Enti Federal për stabilizimin e tregut financiar. Por do të duhen disa dekada derisa fondi i krizës të mbushet aq mirë sa t'i vijë në ndihmë një banke në situatë të vështirë.

"Më e mira do të ishte të mos i lejojmë më vetes një krizë të tillë. Ne po punojmë edhe për shmangien e tyre në të ardhmen." - u shpreh Schäuble.

Ministri synon të paraqesë një projektligj përkatës përpara pushimit të verës. Përmbajtja e tij do të harmonizohet në nivel evropian. Për këtë arsye në mbledhjen e kabinetit të mërkurën në Berlin mori pjesë edhe ministrja franceze e Ekonomisë Christine Lagarde.

"Veçanërisht që prej fillimit të krizës ne kemi punuar së bashku në aspektin ekonomik dhe financiar për të çuar përpara pozicionin evropian dhe për gjetjen e një ilaçi për krizën ekonomiko-financiare, nën të cilën kemi vuajtur muajt e kaluar", tha Lagarde.

Edhe Parisi planifikon një kontribut të detyrueshëm të bankave. Por Franca do të presë fillimisht një raport kombëtar dhe propozimet e FMN-së për shmangien e krizave financiare. Detyrimet ndaj bankave nuk duhet të cënojnë aftësinë e tyre për të konkuruar në tregjet ndërkombëtare, tha Lagarde.

Ndryshe nga Gjermania, ku kontributi i detyrueshëm do të vendoset vetëm mbi bankat, Franca planifikon ta vendosë atë për të gjithë aktorët e tregut financiar. Të ardhurat do të shkonin direkt në buxhetin e shtetit. Në Gjermani kjo nuk është e mundur dhe për këtë arsye veçoritë në vendeve anëtare bëjnë të domosdoshme rregullat kombëtare.

Autor: Sabine Kinkartz/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi