1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Reforma agresive" e kursime të forta

2 Mars 2012

Demonstratat në Spanjë kundër masave të kursimit nuk kanë të sosur. Por qeveria në Madrid qëndron e paepur, sepse ky vend problematik i Eurozonës ka bërë më shumë borxhe nga ç'ishte menduar.

https://p.dw.com/p/14Cki
Protesta të studentëve në Spanjë
Protesta të studentëve në SpanjëFotografi: dapd

Nuk ka më shumë se dy muaj që kryeministri spanjoll Mariano Rajoy është në detyrë dhe politika e tij has në rezistencë të ashpër. Në shumë qytete të vendit disa mijëra vetë kanë dalë përsëri në rrugë për të demonstruar kundër reformës së tregut të punës. Në demonstratat e mëparshme spanjollët kanë qenë të disiplinuar, ndërsa tani së fundi në Barcelonë dhe Valencia pati trazira të dhunshme. Kotë të gjitha janë shënja, që ankthi i rënies ekonomike dhe sociale ka përfshirë pjesë të tëra të popullatës dhe që "reforma jashtëzakonisht agresive", sic e cilësoi hapur ministri i ekonomisë Luis de Guindos, e ka vënë paqen sociale para një sfide të vështirë.

Apele drejtuar popullsisë

De Guindos pati shpallur programin e reformave në rradhë të parë duke vënë në dukje, se duhen hapur vende pune për të rinjtë. Por pikërisht të rinjtë, ashtu si studentët dhe gjimnazistët, janë ato, që rebelohen kundër këtyre planeve. Kryeministri Rajoy, i cili në fund të dhjetorit mori postin me premtimin, se do ta nxjerrë Spanjën nga kriza ekonomike. u përpoq të zbusë dallgët e zemërimit me apele, që dukeshin thuajse të pashpresa. "U lutem të gjithë qytetarëve spanjollë, që të tregojnë mirëkuptim, se gjërat nuk janë të thjeshta dhe se ne do të përpiqemi. Por ju duhet të keni siguri të plotë dhe absolute, se ne do ta kapërcejmë këtë situatë."

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy
Kryeministri spanjoll Mariano RajoyFotografi: AP

Por faktet nuk janë qetësuese. Kështu qeveria është dashur të pranojë, se borxhi i ri për vitin 2011 ishte më i lartë se sa prognozat më të këqija. Së fundi është përmendur një dificit prej 8,5 të produktit të brendshëm bruto. Por përballë BE Spanja u detyrua të kufizojë deficitin në vitin 2011 deri në 6 përqind. Tani duket e pamundur, që objektivi i planfikuar të arrihet në vitin 2012, që borxhet e reja të kufizohen në 4,4 përqind të produktit ekonomik. Rajoy deklaroi se Spanja do ta ulë deficitin e këtij viti,  aq shumë sa të jetë e mundur. Por kjo duhet të jetë në përputhje me masat për të krijuar vende pune.

E thënë troç, qeveria do t' përmbahet programit të kursimit. Alternativë tjetër ajo nuk ka. Për këtë janë të një mendimi shumë ekspertë të ekonomisë, sepse përndryshe ajo do të rrezikonte kredibilitetin përballë BE dhe tregjeve financiare.  Këto kishin kërkuar struktura më fleksibët të tregut të punës, me qëllim që sipërmarrjet spanjolle të mund t'i përshtaten më shpejt kushteve të konjunkturës dhe të ndërpritet rritja e panunësisë. 

Papunësia më e lartë në BE

Para disa vjetësh Spanja përjetoi një bum të madh ndërtimesh, por pastaj pati krizë imobiliesh dhe ekonomia u dobësua. Nga kjo goditje vendi nuk ka mundur ta marrë veten. Ai ndodhet në një krizë të thellë ekonomike, ku kanë falimentuar me mijëra firma. Me një gjendje rekord prej 23% të papunë (5,3 milionë) mbretëria ka papunësinë më të lartë në BE. Tek të rinjtë nën moshën 25 vjecare biles gati 50 përqind janë pa punë, tendenca është në rritje. Vetëm në vitin 2012 Spanja duhet të kursejë së paku 40 miliardë euro. Si pasojë e kësaj janë rritur ndër të tjera taksat.

Të papunë në Madrid
Të papunë në MadridFotografi: picture alliance/dpa

Thelbi i programit ekonomik të reformave janë ndryshimet e mëdha në tregun e punës. Këtu bëjnë pjesë pushimet më të shpejta nga puna dhe më shumë fleksibilitet për sipërmarrjet. Në arsim dhe në shëndetësi janë shkurtuar gjithashtu vende pune, si dhe në ndërmarrjet publike. Pas reformave punonjësit në rast pushimi nga puna marrin rrogë vetëm për 33 ditë për secilin vit pune dhe jo më 45. Sipërmarrjet e dobëszuara fort marrin vetëm 20 ditë për çdo vit. Më tutje janë parashikuar lehtësime fiskale për sipërmarrje, dhe një vit prove prej një viti, në të cilin punëtorët mund të pushohen pa kompensim. Sindikatat e cilësojnë këtë veprim si "sulm ndaj paqes sociale".

Rruga e reformave vihet në pikëpyetje

Tani qeveria spanjolle shpreson të gjejë mirëkuptim në BE. Ajo ka pyetur në komisionin e BE, nëse është i lejueshëm një deficit më i lartë për vitin 2012. Madridi vuri në dukje, se vendi në këtë vit ndodhet para një recesioni ekonomik, që nuk ka qenë i parashikueshëm, kur u vendos kufiri i deficitit. Nëse BE do t'i përgjigjet kësaj, është e hapur. Ka gjasa që Spanja i pengon rrugën vetes. Sepse gjithnjë e më shumë politikanë në Madrid pyesin, në se reformat e kërkuara nga BE janë me të vertetë rruga më e mirë dhe kjo nuk do të ndikonte pozitivisht në vendimin e BE.

Shitje e pasurisë së patundshme në Spanjë
Shitje e pasurisë së patundshme në SpanjëFotografi: picture-alliance/Patrick Seeger

Autor: Ralf Bosen/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama