1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kulturë për të gjithë! - Qyteti portugez Guimaraes

3 Janar 2012

Qyteti i vogël Guimaraes është prej 1 Janarit 2012 (së bashku me Mariborin slloven) kryeqyteti kulturor i Europës. Programi, që përgatitet ndërkohë, vë një theks të veçantë tek aktivittet kulturore për të gjithë.

https://p.dw.com/p/13dLl
Logo e Guimaraesit
Logo e Guimaraesit

Kalimtarët, por edhe mysafirët e hotelit aty pranë „Hotel Toural“, në qëndër të pjesës së vjetër të qytetit Guimaraes, dëgjojnë shpesh tinguj muzikorë. Kur nga akademia e muzikës dëgjohen pjesë si kjo, ndonjëri që ndodhet në sheshin para ndërtesës së vjetër mban taktin me muzikën. Të rinj me violinat dhe violinçelët në duar takohen këtu, për të biseduar, të tjerë me fletoren e notave në dorë nxitojnë të hyjnë brenda në mësim.

477 nxënëse dhe nxënës mësohen këtu nga 50 mësues, tregon me krenari drejtori, Armindo Sa' Cachade dhe fton për të vizituar ndërtesën më shumë se njëqindvjeçare.

„Dikur këtu ka qenë azil, shtëpi për të varfrit, të sëmurët dhe njerëzit me aftësi të kufizuar. Më vonë këtu u bë qëndër pritjeje për gratë e vetme dhe të varfra", thotë drejtori.

Historia e këtij institucioni kulturor

Në fillim të shekullit të 20-të nga një institucion social ai u kthye në një institucion kulturor. Por e kaluara vihet akoma re. Boja bie, shumë klasa mësimi janë të ngushta dhe gjarpëruese, zyra e drejtorit, të cilën e ka të përbashkët me kolegët e tij, është shumë e vogël dhe e mbushur plot me libra, nota, kompjuter dhe mobilje të modës së vjetër. Akademia e muzikës është një institucion privat dhe merr fonde të rregullta publike. Por i ashtuquajturi auditor është i ndritshëm dhe i madh, ka një piano dhe karrige për publikun. "E kemi ndryshuar, se këtu ka qenë vend për të për të fjetur, si kapanon", shpjegon ai.

Një grup vajzash është mbledhur dhe dëgjon dy shoqe të tyre. „Unë do të doja të bëhesha mësuese pianoje. Unë jam që katër vjet këtu. Ne të gjithë duam të punojmë si muzikantë profesionistë. Ne luajmë me dëshirë së bashku, ose vetëm, këtu është e gjitha me të vertetë interesante. Eshtë një shkollë e vogël, por e mirë“, thotë njëra.

Ëndërrat për podiumet e mëdha

Qendra në Guimaraes.
Qendra historike në Guimaraes.Fotografi: Central de Informação Guimaraes

Mësimi këtu zgjat katër vjet dhe përgatit të rinjtë për studime. Shumë ëndërrojnë për podiumet e konverteve të mëdha në botë, të tjerët janë modestë dhe kërkojnë një pozicion si mësues muzike. Orari i mësimit është i mbushur me teori muzike, me mësim për solo dhe ansambël. Edhe natën vonë dëgjohet, se si i bien veglave dhe ushtrohen.

Kërkesa është e madhe. Ne nuk mund t'i pranojmë të gjithë të interesuarit, tregon drejtori Sa'Cachada. Aplikantët duhet të kalojnë provimin pranues dhe pastaj, kështu thonë vajzat dhe djemtë vetë, duhet shumë disiplinë dhe këmbëngulje. Kudo mund t'i gjeni ata këtu, duke i rënë violinës në qilar, me piano në papafingo dhe diku në mes me tuba: „Që kur kam luajtur për herë të parë më ka pëlqyer shumë tuba. Ajo është shumë e vështirë, por të gjitha instrumentet janë kështu. Kjo duhet ditur."

Kultura midis zonës industriale

Disa metra me tutje, në mesin e një ish zone industriale të lënë pas dore anës qendrës së qytetit. Ndërmjet ndërtesave të braktisura të mbulura me bimë të harlisura ndodhet diçka e zezë tërheqëse. Qendra e artit dhe arkitekturës. Para tre muajsh fabrika e mëparshme e tekstileve është bërë pikë takimi për artistët, por edhe një vend, ku popullsia e Guimaraes përjeton teatrin dhe filmin dhe mund të shohë ekspozita të artit bashkëkohor. Idenë për këtë e pati arkitekti i ri Ricardo Areias, i cili ka jetuar deri para pak kohe në Nju Jork.

„Guimaraes është qyteti im i lindjes, viti kulturor i Evropës ka qenë një rast i mirë, për t'u kthyher mbrapsht. Ne, gruaja ime dhe unë, erdhëm dhe menduam. Tani, që jemi këtu – çfarë mund të bëjmë?“, pyet Araias.

Me shtatë miq artistë kanë bërë, atë që entuziastët e artit e bëjnë shpesh në Guimaraes: Ata kanë themeluar një shoqatë, kanë marrë me qira ndërtesën e kanë rinovuar dhe zgjeruar. Është krijuar një hapësirë për skenën, salla për ekspozita, një studio për filmim dhe për artin digjital, zyra dy apartamente për 'artists in residence', artistë, që punojnë për një farë kohe në qendër dhe banojnë. Vetëm biblioteka nuk ka përfunduar ende. Librat e dhuruar nga profesori i Areias gjenden akoma pirg në një qoshe.

Guimaraes: arti i vjetër në muzeun Sampaio.
Guimaraes: arti i vjetër në muzeun Sampaio.Fotografi: DW

Krenar dhe i kënaqur Ricardo Areias na tregon ndërtesën e madhe. Diku dëgjohet akoma ndonjë çekik, nganjëherë dëgjohet një sharrë – kjo është si një lloj „work in progress“. Arkitekti i ri është frymëzuar nga studiot e shumta të artistëve në SHBA dhe megjithatë:

„Sukses është, kur të gjithë janë produktivë, punojnë mirë së bashku, ndjehen si në shtëpi, pa iu vënë kufij. Ne duam të prodhojmë pa kufizime, por sigurisht, kjo është edhe e vështirë. Këtu nuk është Nju Jork!", thotë ai.

Araias është i mendimit se qyteti i tij ka ndryshuar: „Kryeqyteti evropian i kulturës të ndërgjegjëson. Po të mos ishte ky eveniment, do të kishte qenë e pakuptimtë të hapje këtë vend këtu. Tani kjo ka kuptim, ne na duhet viti evropian i kulturës si motivim, si një motor dhe pastaj kultura këtu do të fillojë të ndryshojë.“

Dhe kjo do të ishte në frymën e atyre, që janë përgjegjës për programin e vitit të Kulturës.

Autor: Cornelia Rabitz/Angjelina Verbica

Redaktoi: Bahri Cani