1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kulturë për tejkalimin e paragjykimeve - Sa njihen kultura shqiptare me atë maqedonase

14 Gusht 2010

Arti dhe kultura në Maqedoni janë një hapësirë e lirë brenda së cilës zhvillohen e perfomohen koncertet muzikore, ekspozitat, shfaqjet teatrale. Po sa ekziston komunikimi ndërkulturor mes maqedonasve dhe shqiptarëve?

https://p.dw.com/p/Onl5
Bienalja e Shkupit, aktivitet i njohur në Maqedoni
Bienalja e Shkupit, aktivitet i njohur kulturor në MaqedoniFotografi: MIA

Opinionet e artistëve dhe njerëzve të kulturës, maqedonas apo shqiptarë bashkohen në një pikë. Duhet bërë më shumë për të njohur njëri-tjetrin.

Artisti multimedial nga Tetova Mirko Vidoevski në mënyrë kritike shprehet: "Dimë shumë pak për kulturat tona, qofshin shqiptarët për kulturën maqedonase dhe anasjelltas. Pra, nuk i njohim kulturat e njëri tjetrit. Kemi nevojë për më shumë projekte të përbashkëta , me qëllim që t'i afrojmë dhe ti njohim ato“.

Poeti dhe kritiku letrar Ali Aliu nga Shkupi është i mendimit se komunikimi ndërkulturor bëhet mbi bazën individuale dhe jo institucionale: "Ekzistojnë shumë përkthime të veprave letrare nga gjuha maqedonase në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, ky realitet është i pranishëm, por jo më shumë se sa një sistem dhe organizim, jo si projekte e si institucione. Përkundrazi, të gjitha këto zhvillohen spontanisht përmes iniciativave individuale“.

Steinbrücke in Skopje Flash-Galerie
Ura me gurë në ShkupFotografi: DW/Tosev
Akademiku Mateja Matevski
Akademiku Mateja MatevskiFotografi: DW

Edhe akademiku maqedonas Mateja Matevski është i pakënaqur me nivelin e komunikimit: "Kontaktet në mes kulturave të maqedonasve dhe shqiptarëve nuk janë në nivelin e fushën e cilësisë, siç do të dëshironim ne dhe siç do të ishte në interes të maqedonasve dhe shqiptarëve. Bashkëpunimi, kontaktet, marrëdhëniet dhe thurjet kulturore të këtyre dy etniteteve mund të bëhen edhe më të zhvilluara dhe më të mira, sepse me ato do të tejkaloheshin të gjitha rezervat e së kaluarës ose disa tensione apo keqkuptime, të cilat kohëve të fundit po shfaqen. Ekziston një hapësirë e madhe, e cila kërkon investim dhe angazhim më të madh të institucioneve për të inkurajuar shkëmbimin e vlerave kulturore në bazë të një programi sistematik."

"As maqedonasit nuk e njohin Naim Frashërin dhe Faik Konicën, e as shqiptarët nuk dinë për Koço Racinin dhe Krste Misirkovin"

Gazetari dhe kronisti shumëvjeçar i jetës kulturore në qytetin e Tetovës, Gojko Eftoski, jep një shembull të veçantë për personalitetin shqiptar. Ai përmend Naim Frashërin, i cili është njëri nga shkrimtarët më të shquar, poetë dhe rilindës i shekullit të 20-të në Shqipëri: "Ne kemi një monument të Naim Frashërit në sheshin eTetovës, para shtëpisë së kulturës. Ai është vendosur para më shumë se dhjetë vjetëve. Në fillim ka pasur rezistencë në mesin e maqedonasve për këtë, sepse ata nuk e dinin vlerën e tij. E njëjta ndodh edhe me etnitetin tjetër: shqiptarët nuk dinë shumë detaje për Koço Racinin për Qiril Pejçinoviqin, apo për ndonjë nga protagonistët e tjerë të kulturës maqedonase. "

Piktori akademik dhe kryetari i shoqatës multietnike të artistëve në Tetovë, Nevzat Kica, tregon se një pjesë e frymëzimit në ciklin e fundit të tij krijues, ishte vepra e Bllazhe Konevskit: "Unë isha i detyruar që më shumë se dhjetë herë ta lexoj veprën „ E rënda“ nga Bllazhe Konevski. Pse? Sepse, sipas meje Konevski këtë vepër nuk e ka shkruar vetëm për maqedonasit, por ajo paraqet një valle gjithëballkanike, një element që na lidhë të gjithëve ne në Ballkan“.

Tetova
TetovaFotografi: Petar Stojanovski

Njëri nga poetët më të njohur të brezit të ri në Maqedoni Salajdin Salihu tregon disa nga arsyet për mosfunksionimin e urave lidhëse në mes të kulturës maqedonase dhe shqiptare: "Këtu në Maqedoni edhe poetët maqedonas por edhe ata shqiptarë kanë se çfarë t'i ofrojnë audiencës. Duhet të ketë më shumë përkthime në mes nesh. Por gjithashtu duhet të ketë disa projekte që do të kenë më shumë ndikim në shoqëri, ku gjithçka ndahet përgjatë vijave etnike. Për të parë se poetët mund të ndërtojnë ura, por se të njëjtat thyhen pikërisht nga politikanët“.

Koha është ilaç për tejkalimin e paragjykimeve

Nevzat Kica, piktor dhe kryetar i Shoqatës së Artistëve të Tetovës plotëson: "Sa është i nevojshëm përkthimi i veprave letrare maqedonase në gjuhën shqipe, po aq është i nevojshëm edhe përkthimi i veprave kulturore të shkrimtarëve shqiptarë në gjuhën maqedonase. Psh: Faik Konica, i cili është një shkrimtar jo vetëm me vlera shqiptare, por edhe evropiane, pastaj veprat e Naim Frashërit, Fan Nolit e kështu me rradhë."

Ndërsa akademiku Matevski ka shpresë se tek një kohë e re, e cila mundëson tejkalimin e paragjykimeve. "Koha në të cilën ne po jetojmë dhe e cila gjithnjë e më shumë po zbulohet para nesh, jep hapësirë për tejkalimin e izolimit dhe paragjykimeve. Por duhet të kërkohen shprehjet e këtij interesi të përbashkët, me veprim të përbashkët.“

Padyshim, se qarkullimi më i madh dhe më intensiv i vlerave kulturore në Maqedoni do të jetë një hap më tej në ndërtimin e kulturës së vetme të saj multietnike.

Autor: Sveto Toevski/Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Lindita Arapi