1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ku gjendet Shqipëria në trajtimin e të kaluarës dhe në ç'mënyrë e trajton komunizmin?

20 Maj 2010

Nga 10 deri 15 maj qëndroi në Shqipëri një grup gjerman historianësh, studiuesish, që merren me zbardhjen e diktaturës komuniste. Qëllimi ishte njohja e Shqipërisë dhe rrugës së saj në zbardhjes e së kaluarës komuniste.

https://p.dw.com/p/NR8l
Studiues gjermanë të komunizmit dhe bunkeri shqiptar
Studiues gjermanë të komunizmit dhe bunkeri shqiptarFotografi: DW

A e kujton Shqipëria komunizmin dhe nëse po, si e kujton?

Kjo ishte pyetja, me të cilën 22 studiues gjermanë, që janë marrë me përpunimin e regjimit komunist në ish Gjermaninë lindore, erdhën në Shqipëri. Me këtë pyetje ata iu drejtuan shoqatave të ish të përndjekurve politikë, historianëve, Muzeut Historik Kombëtar, Arkivës së shtetit dhe disa intelektualëve shqiptarë.

Pas disa ditësh përgjigja e pyetjes është: "Në shkencë bëhet shumë pak. Në Muzeun Kombëtar shoqatave të ish të përndjekurve u janë vënë në dispozicion hapësirat e duhura, por ekspozitat nuk mund të tregohen kërkund tjetër. Në Shqipëri nuk ekziston asnjë vend historik, që tregon krimin, ku dorasit quhen me emrin e tyre, ku krimi të tregohet që të kuptohet nga brezi i ri. Në gjithë Shqipërinë ka patur burgje, kampe internimi dhe vende të tjera persekutimi, por asnjë vend i tillë nuk është kthyer në memorje historie. Për një diktaturë aq brutale sa ajo e Shqipërisë nuk ekziston asnjë vend historik, që ta kujtojë dhunën."- thotë Anna Kaminsky, nga fondacioni për përpunimin e diktaturës komuniste.

Anna Kaminsky und Fatos Lubonja
Anna Kaminsky, nga fondacioni për përpunimin e diktaturës komuniste dhe Fatos LubonjaFotografi: DW

Në takimin me ish të përndjekurit politikë ajo dëgjon bashkë me të tjerët prezantime të tilla si: "Unë jam Simon Mirakaj. Familja ime ka kryer gjithsej 950 vjet burgim dhe internim. .."Unë jam Lili Ndoci, babanë ma kanë pushkatur, kur ai ishte 26 vjeç dhe unë një vjeç. Nënën e dërguan menjëherë në internim, ku dhe vdiq, kur lindi motrën pas disa muajsh.“

Për të kuptuar si ka qenë burgu shqiptar në regjimin komunist dhe si jetohej në internim duhet kohë e gjatë. Dëshmitarët e dhunës komuniste tregojnë me lotë në sy, histori, që mezi presin të tregohen. Po ku?

Ku dhe si mund të tregohen historitë e dhunës komuniste?

Me këtë pyetje nuk është marrë kërkush në Shqipëri. Trajtimi i regjimit komunist u reduktua në dëmshpërblimin material të ish të përndjekurve politikë.

"Kjo ka të bëjë me mundësitë, që shoqëria i jep ish të përndjekurve politikë, që të tregojnë përvojat dhe të përfaqësojnë interesat e tyre. Por për përpunimin e traumës duhet të ngrihet dhe një vend kujtimor, në mënyrë që ata të kenë mundësi që të merren me traumën dhe historinë e tyre," shton Kaminsky.

Albanien Simon Mirakaj
Simon Mirakaj, kryetari i Institutit për integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë.Fotografi: DW

Reshat Kripa tregon per vdekjen (vrasjen) e një 17 vjeçari ne burg dhe akuzon se: "Vrasësit ndodhen mesh nesh, dhe në Shqipëri nganjëherë ata edhe nderohen."

Disa nga historitë, që tregohen, duken si të pabesueshme. Si mund të bëhen ato të kuptueshme?

"Ne nga Gjermania habitemi, se si një shoqëri e prekur nga një diktaturë e rëndë brutale ka probleme të mëdha me trajtimin e kësaj traume, me emërtimin e kësaj historie, me ndjekjen dhe dënimin e persekutorëve. Ajo, që ne nuk kuptojmë, është se si është e mundur sot që dikush, që ka kryer me parë krime, nuk është e mundur të ndiqet nga pozicioni publik. Duket sikur shoqëria futet në një situatë, që thotë nuk kemi ç`të bëjmë. Neve na u tregua për gjykatës, që kanë dënuar gjatë kohës së komunizmit dhe qëndrojnë sot në Gjykatën Kushtetuese dhe japin gjykime. Dhe që nuk ekzistojnë mjetet e presionit moral për t`i detyruar që të japin dorëheqjen, por nuk ekzistojnë as ligjet që të mos lejojnë, që njerëz të tillë të vazhdojnë të qëndrojnë në këto pozicione." - thotë Anna Kaminsky.

Studiues gjermanë që merren me zbardhjen e diktaturës komuniste.
Studiues gjermanë që merren me zbardhjen e diktaturës komuniste.Fotografi: DW

Çfare bëjnë ish të përndjekurit politikë, kur përballen me të rinjtë, si ia shpjegojnë atyre krimet?

Simon Mirakaj: Për fat të keq nuk bëjmë asgjë. Edhe se kanë kaluar 20 vjet, tek të gjithë ne ekziston mentaliteti komunist. Baballarët e tyre, edhe pse kanë kaluar 20 vjet nuk kanë kërkuar të falur. Ndaj tek ne, nuk bëhet ende një diskutim i tillë.

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica